I ftuar në episodin e 43-të të Apostrof Podcast, regjisori Robert Budina reflekton në lidhje me rrënjët morale të tranzicionit shqiptar nga diktatura në demokraci, duke theksuar liria u perceptua nga shumë njerëz si moment hakmarrjeje ndaj shtetit.
Pas rrëzimit të diktaturës, shprehet ai, nuk u përpoqëm mirëfilli të ndërtonim një sistem të drejtë për të gjithë, por për të marrë, në disa raste edhe kur nuk na takonte, gjithçka që dikur i përkiste shtetit.
“Janë disa zakone tonat që vijnë, për mendimin tim edhe nga koha e komunizmit, kur çdo gjë ishte e kontrolluar nga shteti dhe në momentin që ne morëm demokracinë, ne e shfrytëzuam si një hakmarrje ndaj shtetit. Shtetin e quajtëm armik, u turrëm, donim pronat, donim të merrnim edhe atë që nuk na takonte, sepse e tillë ishte bërë ajo kohë… Dhe në këtë përplasje, ne nuk patëm mençurinë në ato kohë të vështira, që të gjenim një ekuilibër dhe të ndërtonim një sistem, i cili mund t'i shërbente të gjithëve.”
I tiji është një vështrim i kthjellët se si dëshira për drejtësi mund të deformohet, duke u shndërruar lakmi dhe se si paaftësia për të gjetur balancën e duhur vazhdon ende të formësojë sistemin në të cilin jetojmë sot.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/NCkgV7jHi8U?si=OzeHUZgdYZJLO83g