Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani ishte i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.
Në episodin e 13-të të podkastit “Flasim” i emërtuar “Shqiptari i shumëpritur”, Imzot Joani tregoi se si vendosi të përqafojë fenë ortodokse kur lexoi për herë të parë Ungjillin në moshën e gjimnazit.
“Unë vij nga një familje shumë e madhe dhe jo e krishterë, në atë kohë nuk praktikohej asnjë lloj besimi. Nuk ishte konvertim. Kur lexova për herë të parë Ungjillin, në vitin e 4 të gjimnazit ndodhi diçka thellë brenda meje. Mu kthye sërish gëzimi i fëmijërisë. Në atë çast jeta ime ndryshoi. Pata fatin të njihesha edhe me njerëz që kishin akses në libra të tilla. Bindja për t’u bërë prift lindi atëherë”, theksoi Imzot Joani.
Kryeministri Rama tregoi njohjen e hershme me Kryepeshkopin Joan.
“Ne kemi njohje shumë të vjetër dhe kemi folur për këto tema duke bërë ecejake mbrëmjeve në rrugën ‘Myslym Shyri’ deri pas mesnate. Flitet për vitet ’80 dhe as nuk mendohej që ne do të dilnim në botën e lirë dhe do të kishim lirë të praktikonim fenë. Ju kishit një fjali shumë të thjeshtë kumbuese, që unë do të bëhem prift”, tregoi ai.
Një eksperiencë shumë të thellë, por shumë të dhimbshme, Imzot Joani përshkoi edhe shërbimin e tij pranë Spitalit Psikiatrik numër 5 në Tiranë, ku para se të bëhej prift ka shërbyer si infermier.
“Mendja është gjëja më e rëndësishme e njeriut. Këta njerëz duhet të ndihmohen”, u shpreh ai.
Rama kujton se kur ecnin bashkë në rrugën “Myslym Shyri”, Joani punonte infermier në spitalin psikiatrik, ndërsa u shpreh se “Psikiatria ishte palestra në mungesë të kishës, ku ai stërviste shpirtin”.
Kryepeshkopi Joan u shpreh se “Kisha nuk ka qenë asnjëherë kundër teknologjisë, por teknologjia në vetvete nuk mund ta zgjidhë akthin ekzistencial”.
I pyetur mbi raportin me Fan Nolin, Imzot Joani u shpreh se puna e tij është e pabesueshme dhe përkthimi i tij është i papërsëritshëm. Sipas tij, “Fan Noli mbetet një nga figurat qendrore të Kishës Ortodokse”.
“Kisha mbeti për mua gjithmonë dashuria ime e parë”, citoi Imzot Joani dorëshkrimet e Fan Nolit.
Lini një Përgjigje