Vangjel Grabocka (1913-2006). Aktor. Lindi më 15 prill 1913 në fshatin Grabockë të Korçës, në një familje patriote. Familja e tij do të shpërngulet në drejtim të Korçës kur ai ishte fare i vogël.
Pas aktivizimit të suksesshëm në lëvizjen Teatrore Amatore të qytetit të lindjes, në vitet 30, si këngëtar dhe si aktor, u përzgjodh nga regjisori Sokrat Mio për të luajtur rolin e doktor Shtokmanit në dramën "Armiku i Popullit" e H. Ibsenit, shfaqje që pati një sukses të jashtëzakonshëm në vitin 1935 dhe që çmohet si një nga figurat më të arritura të vetë aktorit.
V. Grabocka ishte ndër 10 aktorët themelues të teatrit “A.Z. Çajupi” të Korçës, më 1950.
Luajti në skenën e këtij teatri rreth 140 role, në 53 vjet karrierë, më së shumti karaktere: fshatarë të ndershëm e atdhetare, njerëz të thjeshtë, zemërbardhë e me vlera morale, sikurse edhe tipa me mbartje negative, njerëz cinikë, tinëzarë, patriarkale e autoritare.
Në mjaft nga rolet e tij në shfaqjet: "Rrënjët e thella" (Sentori Lengton), "Makar Dubrava" (Makar Dubrava), "Engjëjt e skëterrës" (dr. Llokvud), "Këneta" (Gjik Dolani), "Votra e huaj" (Martini), "Me gjuhën e pushkës" (xha Zeneli), "Koprraci" (Anselmi), "Plumbat e shkronjave" (Marjani) etj., bie në sy kujdesi për ta karakterizuar figurën kryesisht me mjetet shprehëse që burojnë nga rrafshet e përjetimt të brendshëm aktorial, nga përshtatshmëria e mirë psikofizike, sikundër edhe nga afria ndjesore ndaj personazheve e situatave ku ata vendosen.
Kjo u vu re edhe në portretizimin që i beri rolit të Kristos te drama "Lulja e kujtimit" e Foqion Postolit, apo Akimi varfanjak, shpotitës e ironi të drama me të njëjtin titull e Viktor Eftimiut. Gjithashtu, figura e avokatit meskin, dinak, kinse të edukuar në dramën "Të pamposhturit" e Minush Jeros, më tutje roli i gjyshit te pjesa lirike "Shtëpia në rrugicë" e Teodor Laços, ishin role që mbeten gjatë në kujtesën e publikut.
V. Grabocka dallohej nga një vëmendje kah elementet plastikore të lojës ato që buronin prej sarkazmës e groteskut, nga humori popullor, të cilat përshfaqeshin në një formë të çlirët, si gjendje të shpenguara fizike dhe si mënyra të vetvetishme të gjestit, trajtës apo intonacionit të të folurit, lëvizjes së bërë, të sjellurit, mimikës shprehëse etj.
Shumë karaktere komike ka realizuar edhe në shfaqjet e Estradës së Korçës, si dhe ka marrë pjesë si këngëtar në tri opereta, ndër to opereta e parë shqiptare "Agimi" e K. Konos, më 1953. Një galeri rolesh të dyta, rreth 13 të tilla, që mesonin tipa e karaktere të njëmendtë, prore natyrale, ka krijuar ai edhe në kinematografi, ku veçohen: Bamkë Qylollari te filmi "I teti në bronz", rolet e çobanit te "Përballimi" dhe "I treti", Atdhetari tek "Udha e shkronjave", Idrizi Cenko tek "Agimet e stinës së madhe", Kozi te "Nëntori i dytë, Rushani te "Streha e re", kryeplaku te "Kush vdes në këmbë etj. Ndahet nga jeta në 9 prill 2006. V. Grabocka mban titullin Artist i merituar.
/aktorëtshqiptarë/
I perjetshem qofte kujtimi yt xha Vangjo Grabocka.
Kjo fotografi kaq shprehese, e prezanton me se miri kete aktor te madh.