Sot, në ditëvdekjen e shkrimtarit

15 Prill 2025, 20:40Kulturë Adri Kalaja

Si sot plot dyzetë e pesë vjet më parë ndërroi jetë në Parisin e dritës filozofi francez Zhan Pol Sartr, filozofi që refuzoi çmimin Nobel.

Ai njihet më së shumti për militantizmin e tij të majtë dhe të pakompromentuar kundër pushtetit por dhe për ateizmin e tij të skajshëm.

Përgjatë gjithë jetës ai mbajti një fejesë të hapur me bashkëekzistencialisten dhe shkrimtaren Simone De Beauvoir duke bashkëpunuar ca kohë dhe në redaksinë e të famshmes franceze "Le Temps Modernes" ashtu si me M.Merleau-Ponty.

Pjesëmarrës i zellshëm gjatë Majit 68 në Paris dhe një prej aktivistëve më të zjarrtë ai dhe u arrestua atëkohë për shpërndarje fletushkash.

E shpëton De Goli me shprehjen tashmë të pavdekshme "nuk arrestohet Volteri". Dhe, vërtet,  Sartri ishte një "ardhje e dytë" e Volterit. "Ekzistencializmi është humanizëm", vepra e tij më prezantuese e tregon qartë këtë.

Ai u njoh për kundërshtitë dhe talljet që i bën normave borgjeze të kohës por jo vetëm. Ai, ashtu si kolegu dhe rivali Albert Kamy, u njoh për më shumë se humanizmin e vet, ai kërkonte një liri absolute për qenien njerëzore.

Komunist por edhe shkrimtar, ai njihet për vepra dramatike ku ai është më artistik si "Duar të ndyra", "Mizat", "Putana e respektueshme" dhe të tjera, por dhe veprat filozofike ku ai është më politik si "Kritika e arsyes dialektike" dhe "Qenia dhe hiçi".

Kryevepra e tij letrare mbetet triologjia "Rrugët e lirisë" ardhur mjeshtërisht në shqip nga Diana Çuli por nuk mbetet mbrapa as autobiografia e tij "Fjalët" që e ka prurë për lexuesin shqiptar mjeshtri Edmond Tupja.

"Një shkrimtar se lë veten të bëhet institucion", ky ishte motivimi me të cilin ai refuzoi çmimin Nobel, duke u bërë i vetmi që e refuzoi me dëshirë, Pastërnakun e shkretë e detyroi Stalini.
Por jo vetëm kaq. Ai, pas kësaj ndodhie u fsheh disa javë nga shtypi në fshat.

Sartri lindi dhe jetoi i lirë! Kompliment më të madh nuk mund t'i bëjmë...

Lini një Përgjigje