Liria e robit

5 Korrik 2022, 23:24Kulturë NGA FARUK MYRTAJ

Marrëveshjen “Për lirinë vetëm për të” ia ofruan pas një mëkati krejt njerëzor. E kuptoi se, pashmangshëm, domosdoshëm, do duhej të thoshte ‘Po’. Më shumë akoma, provoi ndjesinë e epjes lehtësisht. Ftesën e tyre, profesionalisht të kujdesshme, e pranoi edhe si dëshirim të mezi-pritur nga ai vetë. Njëjtë si ajrin, që nxitoi ta thithte etshëm dhe ethshëm kur doli prej asaj zyre të errët, ku fillimisht e thirrën si mëkatar fillestar. “Harroje çfarë ndodhi!”, i thanë më në fund. Pasi e panë që ai vetë kishte pasur ëndërr rritjen pafund brenda egos.
S’mund të mos e pranonte, iu bë edhe më kollajtë, kur iu tha se marrëveshja nuk do të bëhej publike. Më shumë akoma e gëzoi hollësia e më-në-fundme: as që do nënshkruhej ndonjë dokument midis.
Nëse kjo marrëveshje, ky pakt, lipsej të rrëfehej me pak fjalë, ato ishin: “Liri vetëm për ty, me kushtin e vetëm: mos rrëfe çfarë sheh Andej dhe Këndej”.
Do duhej të mësohej sa më shpejt me mbajtjen mbyllur të gojës, ndaj dhe ia nisi duke zgjedhur syza të errëta. Kurrë s’e kishte pasur problem t’ia privonte vetes gëzimet e përditshme prej njeriu, aq më pak në këtë rast, kur do t’i arrinte të gjitha njëherësh në brenda-ëndrrën e madhe. E cila dihej: vetëm Andej Matanë mund të arrihej.
Menjëherë iu bënë lehtësisht të kalueshëm kufijtë për Andej, pikërisht kur të tjerëve ua ndaluan edhe t’i zinin ngoje. Shumë shpejt u gjend ndër fare të paktët që lejohej të ndante në mes muajt Andej dhe muajt Këndej. Nata dhe dita, terri dhe drita, robëria e këndejshme me lirinë e andejshme, të gjitha dhuruar vetëm për të. Edhe “ata të paktët fare” u ndjenë kapërcyer prej tij, kur u pa se ai ishte I Vetmi që mund të dilte për Andej, pra i vetëm fare, pa Dytës.
Kohë më vonë, kur gjithçka ta humbte trajtën origjinale në versione të zbehta në liri, pra kur kujtesa të identifikohej me artin, do të merrej vesh se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga Dytësi, asaj kohe, ishte ta bëje vetë edhe atë.

“Sinqerisht, s’është thjesht metaforë”, iu desh të shpjegohej në bisedat Andej, teksa ata s’pushonin së pyeturi për atë mrekulli gjuhe të zgjedhur për të paraqitur artikulimet e të shkruarave të tij. Në ballinë të botimeve të tij inxhinierike, as në faqen e parë dhe as në të pasmen, askund në librat e tij të parë të madhëruar, Andej s’gjetën emër përshtatësi, përgatitësi apo përkthyesi.
“Mos ka qenë kjo gjuha juaj e parë?”, e pyetën.
“Mos…!”, vetëtiu zmalti i nënqeshjes së tij.
Në të vërtetë, ‘mos’ do të ishte fjala më e saktë si përgjigje për ta. Kësisoj e përdorte pa e cituar edhe Marrëveshjen e tij. Edhe pse atij i voliste të zgjidhte më mirë zhytjen kaltërsive të mjegullta të fjalëve deri në fshehje të terrtë drite.
“Unë prirem të besoj se në inxhinierinë e shpirtrave njerëzorë, kudo ka metafora lindore dhe metafora perëndimore, edhe pse e di se ju hezitoni ta pranoni, aq më pak ta besoni këtë! Pikërisht për këtë moskuptim, jemi të detyruar të pranojmë prani dhe ekzistencë dy llojesh. Ndryshe s’do mbeteshim në këtë jetë gjysmash, siç edhe bota është e ndarë!”.
Ata, sërish, për vitet të tëra, vazhduan ta pyesnin, shtruar dhe ngutshëm, sërish e sërish, për kufirin e trojeve nga vinte brenda vet lindjes, pastaj edhe atë midis Lindjes dhe Perëndimit, gjithnjë nën mveshjen e bisedave për gjuhën në punimet e tij. Dhe ai e dinte: ishte e pashmangshme të mos e gërricnin për konceptin e inxhinierisë së shpirtrave. Dhe ai, gjithnjë, arrinte t’i nderte përgjigjet në cepat e thektë të heshtjes së fjalëve. I gëzohej edhe vetë kësaj aftësie, absolutisht inxhinierike. E çfarë se, më mira akoma, që atyre pikërisht kjo ftohtësi teknike i bënte të vazhdonin ta pyesnin!
“Dallimi vjen gjithnjë anasjelltas: njeriu është kudo njëlloj, sistemet ndryshojnë, pa e ndryshuar dot njeriun. Andej nga vij unë, provojmë të krijojmë lloj të ri Njeriu. Në syrin e lexuesve të atjeshëm, njeriu është telash social, ju këndej e quani dekadencë. Si autor tekstesh të midistë, ndryshe nga të shumtët rëndomtë atje, por ndryshe edhe nga ju këtu, unë vij e shfaqem përmes një arsenali tingujsh, shenjash e shkronjash, të cilave ju u gëzoheni si nostalgji e aristokracisë së gjuhës suaj dikur.
Edhe pse e dini fare mirë, edhe pse nuk e kundërshtoni dot se aristokracia është kudo e ndëshkuar, këtej dhe andej. Absurde që guxoj e vij të kuptohem e çmohem edhe këndej, nëpërmjet kodeve të gjuhës suaj dikur. Lloj marrëveshjeje është edhe gjuha, dilemë kodesh e shenjash, pafundësi variantesh, qasje e kundërti në mos-për-kthime korrekte dhe, a më thoni dot, cili është atdheu për njeriun e sotshëm? Cili është atdheu im?! A do lejojmë diku, dikur, një atdhe për individë të shënjuar me kode të veçanta?!”.
Ata ia dëgjonin fjalët, ia çmonin, prisnin ta dëgjonin edhe më tej, teksa vërenin se ai niste dhe bëhej i paqartë në frazat, por, pikërisht në këtë lartësi pritjeje të tyre, ai mbyllej paksa, mekej fjala, thuajse ndalonte. Gjë që nuk ndodhte kurrë.
Nuk do t’ia falte kurrë vetes të rrezikonte më shumë. Kaq-o gjë e dinte: s’kishte komunikim më jetëshkurtër se kur gjërat thuheshin të gjitha dhe qartësisht. Ata, po të donin, në mundeshin, le ta plotësonin boshin e frazës së tij në mënyrën e tyre. Sigurisht që do ngatërroheshin në përpjekjen për të kuptuar misterin me të cilin ishte i lejuar të kapërcente kufijtë. Le të mbetej kufiri i moskuptimit, i pa limituar edhe ai, si kufijtë e lëna të paqartë midis shteteve pikërisht që të mos rehatoheshin kurrë popujt në to!
Në parim, edhe ata që e pyesnin, pranonin se imazhi s’ishte e thënë të përkonte me realen. Liria e dhuruar, çdo ndërmjetësi, nuk mund të ishte më e madhe sesa i duhej atij vetë për ndërmjetësimin. Edhe sikur diçka të kërciste në këtë logjikë të tyre, kjo s’kishte asnjë lidhje me marrëdhënien e tij me ata. “Madje as me ata që kam lënë pas, andej nga vij”, shtonte pa zë. “Madje-madje as ftohtësia teknike e përkthyesve të andejshëm s’ka lidhje me mjedisin këtu të artikulimeve inxhinierike të prurësit tim të parë në këtë gjuhë. Që do mbetej prurësi në tërë gjuhët e tjera, edhe pse në to nuk garantohej dot prania origjinare. Edhe thjesht për mirësjellje, në çdo arritje skenike, secili mjaftohet me rolin e vet. Ju kërkoni ç’ju duhet, unë çfarë më duhet t’ju jap!”.

Ngaqë përmes shprehjes së mugullit arrihej shumëçka, por jo gjithçka, dhe pa arritur qëllimin s’ia vlente t’i gëzohej dot daljes Andej, provoi të fliste duke i përdorur fjalët në qasje të kundërt: kur pyetej nga të Tijtë për Andej ku shkonte, rrëfente robërinë që shihte aty, mes tyre. Gjithë çfarë mungonte këtu, mes tyre, e sillte si mungesë të Andejshme. Kështu e respektonte Marrëveshjen: “Mos rrëfe këtu atë që sheh Andej!”.
Nëse dikush do ta vinte re këtë kundërti dhe do shkonte ndërmend ta bënte publik absurdin, do ta humbte zërin më shpejt se të arrinte të dëgjohej. Hera-herës, harmonia në këtë mënyrë të shprehuri kërciste; edhe vetë ndjente tronditje prej hijeve të qasjes, gjersa dikur e fitoi edhe mes të vetëve qytetarinë e idesë se e vërteta për Individët e Mëdhenj të Kombeve s’ishte e vetme. Çfarë ishte ditë për dikë, s’ishte doemos e tillë edhe për tjetrin. Gjer edhe liria!
Vetëm kohë më pas do pranonte se në thelb të marrëveshjes me privilegjuesit e tij, ai kishte shërbyer në instinkt. Brez-ftohtë, dimërisht, kallkan, kronik, inxhinierik, pa shpirt në dilemë…
Sa herë linte pas të vetët, nisur për Andej, sikur dilte nga errësira e një mesjete librash të moçëm për të hyrë në një fanepsje drite. Edhe në orët e gjumit pakësuar, provonte ndjesinë e kalimit të klonit në ajrin e midistë, ku qeni klasik i kufirit nuhaste shkelësin, që s’mund të ishte vetë ai. Në ditët me diell të ngrohtë mesdhetar gjente nge të pëshpëriste si për qejf se këtë bio-jetë që gëzonte, këtë trajtë të mëdyshtë liri-robëri vetjake, do duhej ta rrëfente si fat. Dikur do ta shndërronte në art shenjash e fjalësh. Nuk e pengonte kurrgjë ta shfaqte ndryshe, histori të pakohshme, që prej të Andejmëve mund të kundrohej si dhunti e veçantë.
Të mos e shteronte deri në zero të kuptuarin prej tyre, i vendosi ngjarjet në troje para-shtetërorë, në kufij të lëvizshëm principatash e hapësira perandorish të hershme. Tërë të vërtetat e ditëve e netëve të kohës ua adresonte e blatonte kohëve dikur, si brerore orientale nostalgjike. Edhe vetë ndërmjetësi, që për shkak të robërisë së gjatë s’do guxonte ta përmendte dhe jo më ta kapërcente kufirin, mund të endej si përkthyes në zonat e klonit si frymëmarrje krijuar nga harmonia e gjuhëve.
Më në fund do të mbërrinin ditët me lavdi; të gjithë do ta kishin në sy, për arsye të ndryshme. Gjithnjë e më tepër besonte se të shumtët do ta donin, megjithatë do ta pëlqenin, të tjerë do ta çmonin pikërisht prej lehtësisë së kalimit të kufijve dhe, po për këtë, do kishte edhe njerëz që s’e donin ngaqë nuk ia morën vesh kurrë marrëveshjen, ca të tjerë do ta urrenin pikërisht ngaqë e kishin menduar si ta kishin provuar atë. Megjithatë, e ngazëllente shakaja se më të shumtët prej admiruesve ishin ata që kurrë s’kishin lexuar. Thjesht si rrahës-shuplakash sa herë njoftohej se punët e tij ishin përkthyer në të njëqind e tridhjetë e tri gjuhët e botës. Pra, edhe në gjuhët e vdekura.
Përderisa koha për lexim, një lloj si ajo për dashuri, mbetej e pamjaftueshme, kurrgjë me urrejtje s’do konsiderohej mëkat.
Kalimi i herëpashershëm i kufirit, nga drita në errësirë dhe sërish për te drita, iu shndërrua në një lloj lirie vetmitari, të cilën s’po nginjej së shijuari. S’do mundnin kurrë, aq më pak të vetët, t’i merrnin me mend arsyet e kësaj lirie. Edhe nëse do nisnin ta ftillonin misterin e nisur në lindje pa perënduar dot në perëndim, sigurisht s’do guxonin ta rrëfenin pandehmën e ngritur nga ata vetë. Thjesht ngaqë rregulli i kësaj bote, i vjetër sa ajo, dihej: si ai, për arsye të tjera, secili kishte MOS-et e veta. Edhe vetë Perëndimi, vetëm prej ndalesave dhe kufizimeve dallohej nga Lindja! Kush më mirë se ai, i më-dyshëm, nën robëri dhe në liri, mund të dëshmonte?
Pikërisht këtë, dhënien e dëshmisë, nuk do ta bënte kurrë. Edhe më në fund fare s’do t’i ishte e lehtë, siç në fillimet. Edhe pse prej çdokujt ishte dhe mbetej e ëndërruar që gjysmën e kohës ta kalonte Andej dhe gjysmën Këndej, nuk i ishte i kollajtë, ishte rrëqethës, lemeritës ishte, këmbimi i gjysmës së vetes prej Robi në gjysmën të po kësaj Veteje prej Njeriu në liri.
Duke u ngritur avioni me të brenda, mbetej atje poshtë vendlindja, teksa ai vazhdonte të ngjitej në qiell si lloji i zogut dykrerësh, kurrë të pashpjeguar si i këtillë. Edhe kur thjesht mendonte se mund të kishte lënë atje poshtë gjysmë-veten prej robi, i mekej fryma, mezi gëlltitej. A thua se edhe liria, për ku ai nisej për t’u shndërruar në gjysmën tjetër, si vetë ajri në lartësi, rrallohej. Së paku bëhej më pak lëndore. Përpiqej ta urtonte pritjen dhe durimin si frymëmarrjen, duke u qetësuar se deri në mbërritje kishte ende tërë ato orë udhëtim, përpara se të zbriste Atje, si njeri me kryen e lirë. Gjatë këtyre orëve do mund të përshtatej, do mund të ndryshohej sa të merrte trajtën e dytë, siç i duhej, siç pëlqente të ishte ose siç duhej të dukej, kur të zbriste në atë truall të huaj, ëndërruar nga kushdo që linte pas, ofruar vetëm atij.
Më pas, kjo metamorfozë, ky shndërrim i herëpashershëm, iu bë diçka e zakonshme, sado jo aq e natyrshme, brenda një zymtie trishtuese, në rrekje të vazhdueshme për ta bërë sa më të gëzueshme. Kurrë s’e ndaloi dot veten të mendonte se, sido si, përshtatja humbje e vetes së më-hershme i ishte. Kurrë s’e merrte vesh se si ndodhte që robëria e atjeshme, me gjithë kujdesin e tij për t’i ndarë gjërat, e ndiqte pas gjurme, i shfaqej pafund në grimca të vogla, të padukshme prej të tjerëve, edhe prej të huajve që takonte atje, por që atij vetë nuk i shqitej kurrë nga syri dhe shqisat e tjera.
Kjo pamundësi ndarjeje me gjysmën tjetër të marrëveshjes, bënte që sa vinte dhe më pak shihej me miqtë dhe të njohurit e dikurshëm. Në bisedat e tij hynë të tjerë, të huaj, të Andejshëm ose të midistë të Këtushëm, nëpunës të Hoteleve të Mbikëqyrur dhe Anekseve të Aeroportit, që edhe ata i kishin ca Mos-e për t’i respektuar. Të njohurit dikur, në pengesë, i ishin kthyer në bërjen përpara. Megjithatë, ai, për të mos i humbur përfundimisht, zgjodhi të mos i humbte, duke i sendërtuar të gjallë në të shkuarat për kohët para-shtetërore dhe para-historike.

Megjithatë, s’ia fshehu dot vetes që krejt padëshirueshëm iu shfaq një stinë kur kthehej në vendlindje thuajse i heshtur. Zbriste nga avioni këmbëzvarrë, në pa dëshirën në rritje për t’u përshtatur si deri atëherë në robërinë e gëzueshme të të tijve aty. Më trishtë akoma, ia lodhte syrin mugëtira e qiellit të tyre, kur tashmë ishte mësuar t’u gëzohej hapësirave të Andejme…
Kur zëri i stjuardesave lajmëronte vendosjen e rripave të sigurimit në përgatitje për të zbritur, i bëhej sikur vetëm atij i thuhej të bëhej gati të hynte sërish në robëri. Përpara i ishin ditë e javë, e muaj, gjer të plotësohej gjysma e vitit – sipas marrëveshjes së pashkruar – gjatë të cilave i duhej t’i gëzohej lojës së fshehjes së syve përtej syzeve të errëta.
As përuljen e tepruar të disave nuk e duronte dot. Edhe pse e dinte, gjer edhe në mungesë të tij, disa prej tyre nuk e refuzonin dot ftesën për të dalë në radiot dhe ekrane, të porositur të lëvdonin atë. Vetëm atë. S’mungonin kurrë, as një gaç fryme dhe kohe s’e gjenin për të rrëfyer sado-diçka për dikën tjetër, madje për veten e tyre…
“Mjerë ju! Si ia bëni me Vetet tuaja?!”, pyeste i mrekulluar, që edhe ai, si ata, të tjerët, mund të fliste pa zë. I vetëdijshëm se ata pa zë flisnin krejt ndryshe ndaj tij.
Edhe kohëve që ai endej Andej, nëpër botë, këto qenie të pështira, në stadin e larvave, s’guxonin të dilnin prej membranës së tyre. Edhe pse e dinin se ai i përfliste, i nënqeshte, sidomos kur këtë përulësi zyrtare e ofronin si thjeshtësi ose virtyt kombëtar. Vet dy-fytyrësinë e justifikonin si qasje të nevojshme prej zogut për t’u ngjitur e mbetur në flamur. Ngaqë ai e dinte se ata e vuanin tmerrësisht keq mbetjen nën këtë mugëtirë barazie dystuese, që ai ua linte aty poshtë avionit, si mëshirë për inxhinierim shpirtëror. Krye-uljen kolektive si dhe pamundësinë për ta ndryshuar këtë raport të sanksionuar përmes një marrëveshjeje, që ata thjesht e merrnin me mend, u vinte për osh ta neglizhonin, madje edhe t’i gëzoheshin në kuadër të përfoljes përgjithnjë anonime se ‘Ai shkruante për Andej, teksa Ata shkruanin për Këtu!’.
Edhe kur s’kishte asnjë njoftim publik, ata shfaqeshin të tërë bashkë në bulevardin “Të Rënët Pa Vetëdije”, për t’iu gëzuar një çasti apo minute të ëndërrt vëmendjeje nga ana e tij. Ah, sikur… një foto, një autograf për librat e tij, blerë paraprakisht thjesht e vetëm si lexues, pa shkuar dot kurrë ndërmend t’u pranohej nga ana e tij librat e tyre, edhe pse, në thellësi të sinqertë të robërisë, kishin vendosur të mos ia falnin kurrë.
Ca prej tyre dilnin ta prisnin në aeroport, edhe pse e dinin se ai do nxitonte t’u ikte. Sa zbriste nga avioni, ngrinte jakën e pardesysë, duke u lutur që, më në fund, ata të kuptonin se ishte mishërim talenti fodullëku i tij. Si i tillë, duhej mirëkuptuar. Më të zellshmit e prisnin te dalja anësore, në të cilën kalonin autoritetet e larta shtetërore dhe ca pak si ai, intelektualë të kombit. Atij i mundësohej në bazë të marrëveshjes që askush mos t’i kontrollonte bagazhet.
“Vetëm libra s’kam, t’jua jepja!”, ua shuante kureshtjen në një sekondë. Përkundrazi, aparatçikëve, dalë aty për ta pritur zyrtarisht, i bindur se nuk lexonin libra jashtëshkollorë, u jepte nga një gjysmë sapun tualeti. Vetëm ca pakëve, të zgjedhurve, në intimitet të pafshehur u ofronte erëza për gratë e tyre.
Në momentin tjetër, hutuar të gjithë, u kthente shpinën dhe afrohej te makina e Akademisë që e priste.
Në pak kilometrat nga aeroporti në shtëpi, nga vendi i pasmë ku askush nuk e shquante, rrekej të kapte detaje të mjaftë tipikë, që, mjegulluar fjalësh dhe pastaj përkthyer, shërbenin si lëndë e parë për kalimin tjetër për Andej.
Vetëm kaq i kërkohej.

2 Komente

  1. S
    Studenti

    Shkrim domethënës.

    1. W
      Walpurgis Night

      Brilante!

      Lini një Përgjigje