Zbulime të reja në Durrës: Ekspedita shqiptaro-franceze zbulon dëshmi të Antikitetit

29 Qershor 2022, 15:42Kulturë TEMA

Zbulime të reja në Durrës: Ekspedita shqiptaro-franceze zbulon

Durrësi është një qytet që është ndërtuar dhe rindërtuar gjithnjë mbi veten.

Një qytet ekzistencën e të cilit e kanë sfiduar vazhdimisht tërmetet dhe zjarret masive. Për të njohur evolucionin urban të qytetit që nga fazat më të hershme të tij dhe në vazhdim, gërmimet më të fundit arkeologjike nga ekspedita shqiptaro-franceze sjellin të tjera dëshmi të së shkuarës së Durrësit antik dhe fatkeqësive të pësuara

Catherine Abadie Reynal, arkeologe franceze: Kemi arritur të kapim nivelet romake, dy banesa, njëra e shek. II dhe tjetra e shek. III pas Krishtit, të dyja të shkatërruara si pasojë e zjarreve masive, siç mund të shihet. Duhet thënë se veçanërisht banesa e shek. II është shumë e pasur pasi zjarri ka shkatërruar gjithçka pa i lënë mundësi banorëve të hershëm të marrin sendet e tyre, ndaj ka shumë gjetje. Mes tyre dhe një statujë e vogël bronxi që u gjet sot dhe për nga tiparet e veshjes dhe lëvizjes mund t’i përkasë perëndeshës Artemisë, që ka qenë një perëndeshë e rëndësishme për qytetin, kujtojmë sanktuarin e saj në Durrës.

I pozicionuar në zonën arkeologjike A të Durrësit, në qendrën e gjithë hershme të qytetit bregdetar, Forumi Bizantin i qytetit dëshmon faza të ndryshme të zhvillimit të qytetit, ndërsa gërmimet kanë depërtuar në shtresat më të hershme të këtij monumenti të rëndësishëm.

 Brikena Shkodra, arkeologe: Ky gërmim na dha mundësinë të dokumentojmë një pas një të gjitha gjurmët e transformimit që ka pësuar monumenti që prej fazës së ndërtimit të tij në fillim të shek. VI dhe transformimet brenda vetë monumentit përgjatë shek. VII kur funksiononte si qendër publike dhe braktisjes së tij nga nga fundi i shek. VII dhe nga kjo periudhë deri në shek. XIV kemi gjetur të gjitha gjurmët e ripërdorimit të strukturave të këtij monumenti në funksione të ndryshme në mesjetë. Muret ekzistuese të Forumit Bizantin janë ripërdorur në forma të ndryshme banimi.” 

Pas gërmimeve, gjetjet do t’i nënshtrohen fazës studimore për të hedhur dritë mbi topografinë e Dyrrah-Epidamnit të lashtë, përfshirë dhe vendndodhjen e portit antik si një pikë e rëndësishme orientuese për qytetin.

2 Komente

  1. T
    Taulant

    Merita i takon Gjushit te Rilindjes qe ne 12 vjet kryetar bashkie shkaterroi Durresin 3000 vjecar.

    1. a
      animas

      Dha leje ndertimi aty ku ka antikitet fix ke muri kalase ke ndertime qe e mbulojne murin ose jane ndertuar mbi objektet e atikitetit.....

    Lini një Përgjigje