Maksim Mitrojorgji, një nga figurat më të spikatura të arkitekturës në vend dhe projektuesi i disa prej objekteve më emblematike të Lezhës, u rikthye në këtë qytet me një ekspozitë të veçantë, të titulluar “Një udhëtim në gjurmët e arkitekturës popullore”.
Ai solli për publikun një përzgjedhje të punimeve, skicave dhe projekteve që pasqyrojnë mjeshtërinë e tij profesionale, me përkushtimin për të ruajtur dhe pasuruar elementët e arkitekturës popullore shqiptare, transmeton rtsh.
“Një nga tendencat sot në përgjithësi për arkitektët e rinj, të tentojnë drejt një arkitekture që të ketë vlera kombëtare. Sepse ashtu sikurse çdo brez ka lënë vlerat e veta edhe ne duhet të lëmë tonat për të ardhmen”, u shpreh Mitrojorgji.
Maksim Mitrojorgji i njohur si arkitekti I qytetit, ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në identitetin urban të Lezhës.
“Me kalimin e ditëve dhe viteve, kuptuam që Lezhës i kishte ardhur një thesar, sepse filluan të projektoheshin vepra të reja që sot i kemi ndër më kryesorët që ka qyteti”. Ekspozita e sotme dëshmon kualitetin e lartë që ka Maksi në të vizatuar”, tha piktori Pashka Pervathi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë, duke ofruar një mundësi për reflektim mbi arkitekturën si formë e kujtesës kolektive dhe identitetit qytetar.
Lini një Përgjigje