nga Luan Rama
Ngasja për të shkruar do fjalë mirënjohjeje dhe nderimi për Robert Radojën, muzikantin mësues të qindra e qindra artistëve në disa breza dhe kompozitorin e fundmë mbase të një plejade a brezi artistësh të mëdhenj që Shkodra i dha Shqipërisë, më ka yshtur prej shumë e shumë kohësh në fakt.
Por, jam stepur e kam hezituar me një ndrojtje të pafajshme si e një fëmije kur gjendet përballë madhështisë së emrit dhe figurës së mësuesit, të cilin e sheh gjithë adhurim, por të paarritshëm dhe që pafundësisht do t’i ngjajë dhe të mësojë sa më shumë prej tij.
Arsyeja e kësaj stepjeje a ndrojtjeje lidhet gjithaq edhe me pretendimin dhe përgjegjësinë se a do të mundja unë të shkruaj e të them për Robert Radojën atë që do të donin e mund të thonin për të ata qindra e qindra që e kanë njohur më parë e më mirë se unë dhe që prej tij kanë mësuar notat e para të pentagramit, si të vendosin gishtat e vegjël mbi tastet e pianos apo se si të këndojnë…
Mirëpo, ja që ngasja është me e fortë dhe detyrimi që imponon mirënjohja dhe nderimi për punën dhe veprën e Robert Radojës, është më i madh.
Jo se mjeshtri dhe punëtori i palodhur i muzikës ka nevojë për çfarë po shkruaj unë, por, jemi ne ata që kemi nevojë të dimë e të mësojmë prej modelit, prej shembullit që është Robert Radoja.
Sepse Robert Radoja nuk është vetëm një emër ndër shumë kompozitorë dhe muzikantë që gjithë talentin, pasionin, dijen, kulturën, përkushtimin dhe jetën e vet e vuri në shërbim të muzikës e kulturës tonë kombëtare me idealizëm dhe atdhedashuri që vetëm rilindasit e kishin shfaqur më parë.
Ai është një model përkushtimi i mësuesit ndaj nxënësve, aq sa edhe sot, shumë vite pasi Pallati i Pionierëve në Tiranë është prishur e nuk ekziston më si qendra më e madhe kombëtare, ku fëmijët që prej klasave të para të shkollës fillore përfshiheshin sipas pasionit e talentit që kishin për t’i kultivuar e zhvilluar ato më tej, ai institucion identifikohet me emrin e Robert Radojës.
Edhe Robert Radoja iu dha punës më fëmijët me gjithë qenien e vet.
Ai u bë mësuesi, frymëzuesi, udhëheqësi e modeli i shumë prej atyre që më pas u bënë artistë të mëdhenj e të famshëm, që me talentin dhe zotësinë e tyre iu imponuan skenave në Shqipëri e përmatanë saj, në të gjithë botën.
Unë jam i bindur se të gjithë ata, gjithkund ku gjenden edhe sot, nëse i pyet për emrat më të dashur të mësuesve të tyre, emrin e Robert Radojës do ta venë gjithmonë në krye të rendit.
Mirësia është një tjetër cilësi e Robert Radojës. Madje, nuk do ta teproj aspak nëse them se ndër cilësitë e tij, mirësia është më e shpërfaqura, më e spikatura, më e qenësishmja dhe më përfaqësuesja.
Mund të ngjajë si paradoks kjo që po them, sepse ekziston një opinion jo edhe krejt i pavend, që ndër artistët përgjithësisht egoja dhe ambicia e dominojnë mirësinë. Mirëpo ja që edhe këtu Robert Radoja është i ndryshëm.
Ai asnjëherë nuk u lodh, kurrë nuk hezitoi t’i bëhet krah kujtdo që ka patur nevojë për një fjalë apo që i është dashur ndihma dhe përkrahja e tij, pavarësisht moshës apo se nga ç’anë e atdheut vinte. Ai asnjëherë nuk reshti së inkurajuari e përkrahuri ata që e donin artin e deshën të bëhen artistë. Për shumë prej tyre mbështetja e tij ka qenë përcaktuese.
Ka qenë e vazhdon të jetë, sepse edhe sot në moshën 87 vjeçare, Robert Radoja vazhdon të punojë me të njëjtin pasion e përkushtim.
Edhe sot atë e gjen mbi piano, mbi partitura, në dhomëzën e tij të vogël të punës, prej nga ku rrezaton një mirësi e fisme si ajo e shpirtit të tij prej artisti të vërtetë.
Por Robert Radojën e gjen sot edhe në çdo veprimtari muzikore, e gjen edhe në Gjuhadolin e tij të dashur të Shkodrës, ku shkon e luan në piano për qytetarët vendas e të huaj që kalojnë andej pari, siç e pashë edhe unë pak ditë më parë tek interpretonte bashkë me violinistin e talentuar shkodran Lorenc Radovani, në një video të postuar në Facebook nga Rozafa Shpuza, shoqja ime e klasës në fakultet, organizatore e shkëlqyer veprimtarish argëtuese në atë lagje të Shkodrës qytetare.
Mirësia e Robert Radojës ka edhe një përmasë tjetër, që e bën atë një mirësi të epërme; kujtesën dhe nderimin për të gjithë ata që themeluan dhe zhvilluan artin muzikor shqiptar. Me një memorie për t’u patur zili dhe me sistematizimin e një arkivisti pedant ai përkujton në çdo datë të shënuar emër për emër të gjithë, pa harruar asnjë, artistët para e ata të brezit të vet.
Si askush tjetër, Robert Radoja na dëshmon kësisoj lartësinë ku mbërrin njeriu i dominuar prej mirësisë dhe fisnikërisë. Për cilindo prej tyre e jo vetëm për shkodranët e mëdhenj të rendit të Prenk Jakovës, Çeske Zadejës, Pjetër Gacit, Tonin Harapit, Tish Daijës e gjithë të tjerëve, por edhe për Nikolla Zoraqin, Feim Ibrahimin, Kujtim Laron e plot sivëllezër të tyre që kanë shënjuar lartësitë e artit muzikor shqiptar, Robert Radoja si asnjë tjetër, dhe këtë dua ta theksoj, si asnjë tjetër, gjithmonë e gjen mundësinë të shkruajë a të flasë me nderim, gjithmonë di të na i sjellë në vëmendje e të na ofrojë informacion mbi jetën, krijimtarinë, veprën e tyre.
E gjitha kjo nuk është pak. Është vlerë e një cilësie qytetarie dhe intelektuale të veçantë.
M’u për këtë arsye por, edhe për gjithë sa përfaqëson, Robert Radoja meriton çdo mirënjohje dhe nderim, anipse ndër dosjet e këshilltarëve të një presidenti injorant kur është fjala për të nderuar bartësit dhe përfaqësuesit e vlerave të vërteta qytetare dhe intelektuale, apo të një kryeministri të marrosur vetëm pas Noizit, emri i një njeriu me vlera e kontribute të veçanta si Robert Radoja mungon. Për turpin e tyre!
Unë me gjithë zemër i uroj Robert Radojës shëndet e jetë të gjatë. Uroj që ta kemi gjatë me duart dhe zemrën mbi piano që të vazhdojë të na dhurojë artin e vet e të na dëshmojë mirësinë e tij të fisme, por, ndërkaq e di se kur ai t’u bashkohet engjëjve ku gjenden edhe emrat e tjerë të mëdhenj të artit shqiptar, këta që kapardisen zyrave të larta të shtetit prej Presidentit e me radhë deri tek deputetët e popullit, do të rendin të shkruajnë ndonjë fjalë e të shprehin mirënjohjen e tyre hipokrite e të pavlerë. Përsëri, për turpin e tyre!
Radiotelevizioni shqiptar, enti i vetëm kinse publik dhe me detyrime e përgjegjësi kombëtare në fushë të kulturës dhe muzikës kombëtare, mund e duhet t’i kushtojë vëmendje dhe kohë një veprimtarie dinjitoze për Robert Radojën. Dhe jo vetëm për të, por marr shkas nga emri i tij për t’i sugjeruar që të krijojë një traditë nderimi me emisione të kushtuara enkas për disa emra që fatmirësisht i kemi ende në jetë dhe që ende mund të ofrojnë kontribute si Limos Dizdari, Eno Koço, Aleksandër Peçi, Enver Shëngjergji, Josif Minga e shumë të tjerë.
Po kështu, edhe ajo pjesë e mbetur e një ministrie ku gjendet një aneks për kulturën, i bën nder vetes dhe jo Robert Radojës nëse një ditë të vitit e shpall dita e muzikës së Robert Radojës.
Bashkia e Tiranës, anipse e ka kryetarin në burg, mund të mendojë t’i shtojë vlerë vetes nëse i kushtohet një ditë të vetme muzikës për fëmijë të Robert Radojës dhe qoftë edhe për këtë kontribut t’i japë mirënjohjen e qytetit.
Robert Radoja nuk është prej atyre që trokasin apo zvarriten dyerve të pushtetit për të kërkuar mirënjohje. Nuk e ka bërë kurrë. Dhe as ka për ta bërë. Nuk ia lejon dinjiteti, nuk ia lejon karakteri e as krenaria e emrit dhe e veprës që ka krijuar. Të tjerët, institucionet e shtetit, drejtuesit e tyre e kanë detyrë nderimin dhe mirënjohjen.
Qytetaria dhe mirësia e tij e fisme, lartësitë e humanizmit ku gjendet emri i Robert Radojës, i mjaftojnë të meritojë nderimin dhe mirënjohjen më të lartë; atë të të gjithë artistëve që janë bërë të tillë edhe falë ndihmesës së tij të pakursyer, dhe të të gjithë artdashësve shqiptarë, që çmojnë dhe nderojnë krijuesit dhe bartësit e vlerave të vërteta të artit tonë kombëtar.
Robert Radoja është njëri ndër ta.
Respekt njeriut muzikant i shquar dhe muzikantit intelektual i shquar.Shqiperia jeton ne kohen e bronxit akoma ,nuk ka ardhur koha te vleresoje dhe ti jape vleren floririt.