Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë mbylli me sukses sezonin veror të këtij viti, duke shënuar një periudhë të pasur me veprimtari kulturore, ekspozita dhe vizita turistike. Gjatë muajve të verës, muzeu u kthye në një nga destinacionet më të vizituara të qytetit, duke mirëpritur mijëra vizitorë vendas dhe të huaj që u njohën nga afër me trashëgiminë e çmuar ikonografike shqiptare.
“Dy vitet e fundit kanë qenë me një prurje tejet të madhe të vizitorëve, kryesisht të huaj të cilët kanë një interes të jashtëzakonshëm për objektet e Muzeut të Artit Mesjetar. Mund të flasim për një shifër rreth 30 mijë vizitor deri në muajin shtator”, u shpreh Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë.
Me mbylljen e sezonit veror, institucioni nis përgatitjet për programin e vjeshtës dhe dimrit, i cili do të përfshijë ekspozita të reja tematike, aktivitete arsimore dhe nisma të reja bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Muzeu organizon herë pas here në kuadër të programit “Edukimi mbi kulturën” , programe të ndryshme me shkollat, të cilët njihen me trashëgiminë kulturore”, tha ajo.
Përmes ekspozitave të përkohshme, aktiviteteve edukative dhe bashkëpunimeve me artistë e institucione kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dëshmoi se arti i së kaluarës mbetet frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm. - RTSH-
Lini një Përgjigje