Nga Feti Zeneli
Vjeshtë. E enjte,13 tetor 2022. Zgjohem më herët se zakonisht, rreth orës 5 të mëngjesit. Jam për udhë, por ndjehem i freskët, si kjo ditë vjeshte, që ka nisur me një shi të imët. Është një freski, me motive kryesisht shpirtërore, që buron nga ndjenja e gëzimit dhe mallit për t’u rikthyer në vende e mes njerëzve, që i kam njohur në periudhat më të bukura të jetës; në fëmijëri apo në rininë e hershme. Jam i gjithi, pasqyrë e asaj që ndjej, e asaj që kujtoj...
Me kryetarin e sapo zgjedhur të Shoqatës “Tafil Buzi”, z. Medin Duraj, një emër i njohur shumë herët, fillimisht si Drejtor i Minierës së Qymyrgurit Memaliaj, e më vonë në funksione të tjera të larta kohë pas kohe, do udhëtojmë drejt Buzit, ku do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore, për një nga figurat historike më të përfaqësuese të trimërisë e mençurisë sonë, heroin e kësaj treve, Tafil Buzin - “Nderi i Kombit”. Nisemi nga Tirana rreth orës 6. Gjatë gjithë rrugës, i vetmi shqetësim është ai për motin, kur të mbërrinim në Buz, pasi shiu i furishëm po na shoqëronte hap pas hapi, sidomos nga Durrësi në Fier. Por sapo hyjmë në rrugën Levan - Tepelenë, shiu pushoi dhe qielli filloj të hapej dale - ngadalë, aq sa rrugën nga Kthesa e Luftinjës deri në Buz e bëmë nën shoqërinë e rrezeve të mekura të diellit, përzier me hije të coptuara resh në lëvizje.
Në Buz mbërrijmë rreth orës 9. Ceremonia zhvillohej pas gjysëm ore. Shumë pak njerëz për një ceremoni të tillë qëndronin në sheshin para lokalit të njohur kohë pas kohe si “Klubi i Buzit”, në cepin jugor të së cilit është vendosur edhe busti i “Kapedan Tafilit”. Mes tyre shquaj Novruz Çapunin, të zotin e lokalit, që ka shërbyer aty, qysh nga koha e ndërtimit të tij, në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Duket se ai është mikpritësi i parë, pasi afrohet buzagaz dhe pasi përshëndetemi na fton për një kafe. Përshëndetemi dhe më të pranishmit e tjerë jashtë dhe brenda lokalit. Ulemi rreth një tavoline, ku kishin zënë vend më parë, përfaqësues të Njësisë Administrative Buz dhe të pranishëm të tjerë. Biseda prezantuese e njohëse fare normale, siç ndodh në raste të tilla, të shoqëruara me urimin e të pranishmëve për kryetarin e ri të Shoqatës “Tafil Buzi”, z. Medin Duraj. Urime që delnin nga thellësitë e shpirtit, por të shoqëruara njëherazi edhe me kërkesa e lutje njerzish në vështirësi ekstreme jete, sikur Medini të ishte Presidenti apo Kryeministri i vendit.
Pas pak mbërrin edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, z. Gjolek Guci, bir i kësaj zone, i zgjedhur në këtë post para 3 vitesh. Njerëzit e duan dhe e respektojnë, sepse dhe ai i do, i dëgjon dhe jeton me shqetësimet e tyre. I përkushtuar për detyën, si askush tjetër para tij. Punon me moton, që të bëjë të pamundurën brenda mundësive financiare, materiale e njerëzore, që i ofrohen…
Fillon ceremonia. Pas vendosjes së kurorave me lule tek Busti i Tafil Buzit, fjalëm e rastit e mban kryetari i Bashkisë Memaliaj, ku bën pjesë dhe krahina e Buzit. Siç ndodh zakonisht në fjalime të tilla ceremoniale, gjithëçka sillet rreth figurës historike të heroit dhe mesazheve që përcillen për brezin e sotëm nëpërmjet evokimit të cilësive luftarake, vlerave patriotike dhe virtyteve njerëzore të heroit. Pas tij përshëndeti dhe kryetari i Shoqatës “Tafil Buzi”, z. Medin Duraj. Fjala e tij përmbylli pjesën zyrtare të ceremonisë…
Tani fillon pjesa emocionale që krijon fjala, buzëqeshjet, lotët, përqafimet…
Ndodhemi në një zonë me histori dhe tradita të spikatura, duke u renditur në një nga trevat më të rëndësishme të Jugut shqiptar. Por edhe natyra i ka falur asaj një pozitë gjeografike mjaft interesante për syrin dhe shpirtin njerëzor. Megjithatë, gjithëçka ofron natyra atje, ende nuk po e shfrytëzon si duhet dora e njeriut. Jo për indiferencë apo mosinteligjencë, po për mosprezencë. Është mosprezenca e shtetit, me investime e projekte zhvillimi, kryesisht në infrastukturë. Ka gati një shekull, qysh nga ndërtimi për arsye militare i rrugës “Berat-Këlcyrë”, nga pushtuesit italian të kohës së Duçes, që nuk është vënë dorë në të. Buzi dhe shumica e fshatrave të kësaj krahine, që me ndarjen më të fundit administrative përfshihet në Bashkinë Memaliaj, nga pikpamja gjeografike ndodhen m’u në mes të kësaj mynxyre infrastrukturore. Mund të jetë rast unikal në botë, besoj, ku guri i zi i kalldrëmit të rrugës është nxirë edhe më tej nga gomat e makinave pushtuese, social-ndërtuese e demokratizuese të vendit, duke u shndërruar kështu në “faqen e zezë”, jo më e një zyrtari të vetëm, por të një sistemi të tërë, që nëpërmjet thirrjes: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, predikoi mirëqënie e drejtësi për të gjithë. Por buziotët, historikisht, nga asnjë lloj sistemi e pushteti nuk kanë pritur më shumë se sa kanë përfituar banorët e zonave të tjera të Tepelenës, sidomos ata “matanë lumit”, ku aktualisht s’ka mbetur rrugë pa u asfaltuar.
Rindërtimi dhe asfaltimi i këtij segmenti rrugor, mes për mes krahinës së Buzit, më shumë se sa për të qarkulluar mjetet, kërkohet për të qarkulluar malli dhe dashuria për vendlindjen e braktisur s’i askund tjetër në Shqipëri.
T’i zbehësh njeriu mallin për vendlindjen, apo më keq akoma ta nxisësh
në mënyrë indirekte që ta braktisë përfundimisht atë, më shumë se sa papërgjegjshmëri është krim. Vendlindja është një ndër dashuritë më të mëdha të njeriut. Wshtë dashuri dhe pasuri e gjithanshme, që lidhet me familjen, miqësitë, traditat, zakonet, gjuhën e kështu me radhë. Përveç të tjerash, vendlindja është amanet. Rilindasit u përpoqën shumë t’i bindnin shqiptarët se nuk duhet të turpëroheshin nga vendi i tyre, përkundrazi duhet të ndjeheshin krenar për të. Vendlindja është shtrati ku u ngjiz vazhdimësia e jetës dhe trashëgimia e gjakut, ku u kalit qëndresa përballë vështirësive të kohës. Largimet masive të njerëzve, sidomos të brezit të ri nga vendlindja e tyre, me siguri do të shkëpus zinxhirin e njohjes dhe lidhjes me të shkuarën, duke zhbërë frikshëm kujtimet për kohën, fisin dhe trojet e të parëve.
Buzi është këngëtim toke dhe qielli, është mrekulli natyrore, është jehonë patriotizmi. Natyra këtu është frymëzuese, por situata sociale më se trishtuese. Kështu që përjetimet dhe regëtimet shpirtërore ndërthyren me njera-tjetrën. Kodi gjenetik i buziotëve është skalitur në lartësi malesh e kodrinash pafund, ku prej së largu lexon karakterin e fortë, krenarinë, patriotizmin, trimërinë, mikëpritjen, solidaritetin e plotë virtyte të tjera, që “modernët” e ditëve të sotme i klasifikojnë si kuriozitete arkaike të motive të shkuara. Vërtetë banorët e këtyre anëve nuk i nënshtruan luftrat dhe pushtimet, ashpërsia e motit apo arroganca e pushteteve, por duket se po ua dobëson zemrën braktisja masive e njerëzve. Mjafton të kujtojmë se në të gjithë krahinën e Buzit, nga rreth 12 000 banorë në fund të viteve ’90, sot numërohen gati 12 herë më pak.
Ata që kanë mbetur aty të kujtojnë pak a shumë gjyshin e Manuelit tek romani “Kalorësi polak” të spanjollit Molina, i cili e këshillon nipin e tij, që ëndërronte qysh në fëmijëri të shpëtonte nga vendlindja e tij e vogël: “Nëse bën edhe një hap më tej, nuk do të kthehesh më prapa, do të bëhesh i huaj përgjithmonë…”. Megjithatë, ndryshe nga ky personazh letrar, askush prej banorëve të mbetur në Buz dhe rrethinat e tij, nuk mendon, që “…përveç trojeve dhe zakoneve tona apo përveç lidhjeve tona të gjakut, pjesa tjetër e botës është një xhungël e tmerrshme ku vetëm mashtruesit mund të mbijetojnë”. Migrimi dhe emigrimi për banorët e këtushëm është një gjë krejt normale në demokraci; anormale është braktisja ose moskthimi i kokës më prapa nga ata që ikin për arsye të tilla, nga që mungon totalisht vëmendja e qeverisë dhe strukturave të tjera shtetrore për investime dhe zhvillimin e këtyre zonave të thella. Lëvizja e lirë, që në nivel personal dhe ekzistencial, shoqëron pjesën e emancipuar të njerëzimit, për disa sjell fat, kurse për një pjesë tjetër krijon presion. Në fund të fundit, askush nuk mund ta parashikoj se ku mund të ndeshet me “të keqen e botës”: në vendlindje apo në një vend tjetër jashtë saj. Megjithatë, në përgjithësi, nga këto troje iket pa bërë zgjidhje ushtrimesh të tilla psikologjike…
Dixhej (DJ) edhe pasi mbaroi ceremonia vazhdonte me melodi vallesh e këngësh popullore të kohës së sotme për t’i mbajtur disi të ndezur ngjyrat e zbehta të gëzimit festiv. Një grup i vogël të pranishmish vijojnë të hedhin një valle pogonishte, në sheshin para bustit të Tafil Buzit. Por në repertorin e përzgjedhur, si para ashtu dhe pas ceremonisë nuk kishte, asnjë këngë të kënduar nga grupi i Buzit me zërin potent të Xhevaire Allkushi, apo për “sebepçin” e kësaj ngjarjeje përkujtimore; pra për Kapedan Tafilin. Megjithatë këto mungesa filluan t’mos më bënin shumë përshtypje, teksa shikoja sa të etur ishin për të kënduar e kërcyer këtu në Buz. Kushedi prej sa kohësh u mungon kënga e vallja. Sepse mungojnë njerëzit, sidomos të rinjtë.
Në të shkurën e afërt të Buzit dhe fshatrave përreth ishte krijuar tradita që vjeshta ishte, veç të tjerash, edhe stinë dasmash. Por vjeshtat e këtyre viteve të fundit kanë mbetur pa dasma dhe pa këngë. Nuk ka dasma dhe gëzime, për rrjedhoj nuk ka as këngë. Sepse nuk ka njerëz. Ata pak njerëz që kanë mbetur, më shumë se sa për këngë, kanë nevojë për një “Shpëtimtar” me modelin e Tafil Buzit, përshtatur në kohën e sotme. Ndaj sapo erdhi kryetari i Shoqatës, z. Medin Duraj, ata menduar se erdhi “Shpëtimtari”, që do t’i çlironte nga vështirësitë e jetës, do t’u rikthente buzëqeshjen dhe këngën.
Kënga e tregon ndjeshmërinë dhe virtytin njerëzor më shumë e sa historia, faktet dhe dokumentat. Kënga e popullit është marrë shpesh si njësi matëse e kontributit patriotik dhe atdhedashës gjatë kohës së luftës për liri e pavarësi. Kam parasysh këtu, që kur kishte “plasur sherri” midis vlonjatëve dhe tepelenasve, se kush nga trimat e tyre do të ishte simbol i Luftës të Vlorës, Enver Hoxha e ka shuar këtë sherr me “njësinë matëse të këngëve”. Pra sipas udhëheqësit komunist, kryetrimi do të ishte ai, të cilit populli i ka kënduar më shumë këngë. Dhe më shumë këngë kishte për Selam Musa Salarinë…
Trimit të motivuar vetëm nga cilësi e virtyte të larta atdhedashurie, duke luftuar deri në vetmohim për këtë çështje, populli nuk ja ka kursyer këngët. Kapedan Tafil Buzi është një prej trimave të rrallë të historisë së Shqipërisë për të cilin ka shumë këngë, ku në secilën prej tyre zbërthehen vargjet: “O Tafil bir’ i Shanisë/ Kapedan i Shqipërisë/ Ç’i ktheve pallën Turqisë…”. Më shumë se sa tek cilësitë individuale si trim e luftëtar, populli e sheh Tafil Buzin në këngët e tij, si shpëtimtar nga zgjedha dhe mizerja e pushtim e pushtimit otoman. Ndaj ushtria e tij kryengritëse arriti në më shumë se 10 mijë vetë, aq sa ç’ka qënë popullsia e gjithë krahinës së Buzit në fund të viteve ’80. Besimi dhe gatishmëria në ato kohë të vështira bëheshin jo vetëm mbështetje, por edhe vargje kënge: “Na to shkojmë Tafil?/ Labërisë posht e përpjetë/ ta përpjekim me Gjonlekë…”. Sepse “Gjonlekë e Tafili di/ Bobo qenkan të këqi/ Luftojnë me një vali/ Me një goxha Rumeli/ S’ë për mua e për ti/ Po për gjithë Shqipëri”.
Vargjet e këtyre këngëve më sjellin ndërmend thënien e burrit të mençur e patriot të këtyre anëve, Ali Abaz Skëndit: “Shqipëria është e të gjithëve bir, e të gjallëve dhe e të vdekurve...”. Buzi është një “Shqipëri” e vogël, që ka të gjallët dhe të vdekurit e vet. Kur themi “të gjallët” fjala nuk është vetëm në kuptimin e ngushtë të saj; pra për ata që vegjetojnë si gjallesa, por për ata që edhe në kushte të vështira nuk rrinë duarkqyq. Në Buz ka vështirësi pa fund, por ka edhe mundësi, ndonëse shumë të kufizuara, për ata që përpiqen dhe në mungesë të Shtetit - Shpëtimtar, e gjejnë “Shpëtimtarin” tek vetja.
Ja një shëmbull. Kushtet e vështira janë, fjala vjen, edhe për Izmir Nuraj nga Selcka e Madhe, i cili para 6 vitesh la kryeqytetin dhe së bashku me bashkëshorten u kthyen në fshat, në trojet e mëparshme. Tokat rreth e qark shtëpisë së dikurshme i ka shndërruar në një minifermë. Përveç të tjerash në to ka mbjellë 1.5 ha me 220 rrënjë arrë, rreth 1 ha me bajame ose 160 rrënjë nga ky drufrutorë, 0.2 ha vresht, mbarështon 120 krerë dhënë, etj.
Rasti tjetër i përket biznesmenit Hetem Bajrami, i cili u zhvendos prej kryqyteti para 2-3 vitesh në vendin e tij të lindjes në Gëllavë, dhe duke investuar atje për ndërtimin e një bujtine, ka filluar të tërheq jo vetëm vëmendjen investuese të banorëve të zonës, por edhe mjaft turistë të huaj nga vendet të ndryshme europiane. Dy turistë polak, me të cilët u përshëndetëm atë ditë në rrugë teksa zbrisnim nga Buzi, me siguri shkonin në Gëllavë tek “Vila Sofia”…
Ndërsa hidhja këto rreshta në letër më vjen ndërmend ç’kam shkruar këtu e 33 vite të shkuara në gazetën “Lajmëtari”, të datës 5 shtator 1989, midis të tjerash, në reportazhin me titull: “Tregimet e Vjeshtës në Hormovë”:
“…Historinë e luftës dhe qëndresës së papërkulur të hormovitëve e njohim edhe nëpërmjet shumë këngëve e tregimeve, por më mirë se kudo atë e gjen atje në fshat… Në shtëpinë e Lilo Ziflës zien kënga. Bëhet dasmë. -Ky që ja merr është Habibi, gjyshi i vajzës, -thotë Zaho Balili, rapsod i grupit të Hormovës. -E njoh mirë unë zërin e tij. E vërteta është se Zahua i dallon që larg zërat këngëtarë të Hormovës. Është meritë e tij që grupi polifonik i fshatit është bërë me emër në të gjithë vendin. Vetëm gjatë këtyre 10 viteve të fundit, në repertorin e tij janë regjstruar mbi 150 këngë…”. Frymëzimin e asaj dite e finalizova me krijimin e vargjeve të një kënge, që rutina e punëve e la për shumë kohë në harresë, për ta gjetur këto vitet e fundit, teksa shfletojsa disa shënime të së shkuarës:
TI, MOJ STINË QË BËN MAGJI
Po vjen vjeshta shtegëtare,
Si një ëndërr e florinjtë.
Që lart hëna lozonjare,
Nëpër gjethe ndez qirinjtë.
Erdhi që të ngjyros fjalët,
Që i themi njeri-tjetrit.
Ç’qe e hirtë e morën valët,
Ç’qe e zbehtë më të vjetrit…
Ç’gjen përpara zë prarohet,
Ndrin gjithçka që mbetet pas
Vetëm deti zemërohet,
Dallgët bregut ja përplas.
Pastaj i kthen shpinën detit
Që ngjyrimet mos t’ja shplajë.
Larg rrëmujës, larg rrëmetit
Nëpër zemra t’i shpërndajë.
Shpirtrat s’bëhen të florinjtë
Po nuk u vjeshtuan disi,
Të puthim duartë e sytë
Mos stina që bën magji!...
Nuk e mendoja që 33 vite më vonë, tashmë jo në Hormovë por në trojet e të parëve të mi, në krahinën e Tafil Buzit, dhe jo më në sistemin e punës kolektive, por në kohën e lëvizjes së lirë dhe ekonomisë magjike të tregut do të shkruaja vargje me nota kaq pesimiste, si këto më poshtë:
DITË VJESHTE NE BUZ
(Meditim tek busti i Tafilit)
Po kthehem në viset e mia,
Kur vjeshta s’ka nge të më pres,
Mbi krye më ulet freskia,
Dhe dy re më futin në mes.
Bëj kujdes me hapat e hedhur,
Mos dëgjoj ndonjë zë bilbili,
Sa pak njerëz paska mbledhur,
Rreth vetes këtë vjeshtë Tafili.
Sigurisht nuk është Zeneli,
Zylyftari apo Hodo Aliu*.
Në një dorë flamuri ç’u ngeli,
Në tjetrën “…palla ç’u ngriu”.
Era vajton si një qyqe,
Pse trimin nga trimat e ndanë,
Monumentet s’bëjnë dot gjyqe,
Që bronzin prej gjaku s’e kanë.
Vetmia shpresat zë i shemb,
Vendlindja plagë shpirti rri,
Pushtimi Tafilit i dhemb,
Por dhe braktisja - barbari.
Malli apo trishtimi i zverdhi,
Gjethe e fruta këtë vjeshtë,
Për stinën s’pyet kush, në erdhi,
Ndaj dhe vjeshta gjen arsye të hesht.
Këtu Hëna fle nëpër rrënoja
Dhe Dielli zgjohet po aty,
Të dridhet buza, të kyçet goja,
Për gjithëçka sheh në Buz me sy.
Ç’na pret më tej askush s’e di
Me këto modele mërgimtarësh,
Mbiemri “Buzi” pa gjak të ri,
S’ka më shkëlqim luftëtarësh.
______________________________
*Bashkëluftëtar të Tafil Buzit
13 Tetor 2022
Kur shkruan dikush nje carcaf me karlliqe per "nderin e nje kombi" tafil buzi imagjinoni se ku ka ren vatoni......!!!
O. Teqifsh. Moteren. Ty. qe. shan. Tafil buzi. ai. kaluftu. Me. Turqin. dhe. ka. dhen. dhe je ten. to. o. tiqifsh. té. gjitherob.e.shpish
O. Teqifsh. Moteren. Ty. qe. shan. Tafil buzi. ai. kaluftu. Me. Turqin. dhe. ka. dhen. dhe je ten. to. o. tiqifsh. té. gjitherob.e.shpish
O. Teqifsh. Moteren. Ty. qe. shan. Tafil buzi. ai. kaluftu. Me. Turqin. dhe. ka. dhen. dhe je ten. to. o. tiqifsh. té. gjitherob.e.shpish
O. Teqifsh. Moteren. Ty. qe. shan. Tafil buzi. ai. kaluftu. Me. Turqin. dhe. ka. dhen. dhe je ten. to. o. tiqifsh. té. gjitherob.e.shpish
hartim ne shkollen e nates tepelene - nota 6 (me hater)