Në gjurmët e një ikone – Kleopatra

11 Mars 2026, 15:07Kulturë TEMA
Në gjurmët e një ikone – Kleopatra

Nga Mimoza Cika - Këln

Ajo ishte një nga gratë më të fuqishme të antikitetit dhe mbetet një ikonë e vërtetë edhe sot e kësaj dite: Kleopatra. Një ekspozitë e tërë në Liège të Belgjikës i është kushtuar aktualisht asaj: "Cleopatra Superstar". Ajo fillon me një nga përshkrimet më ikonike të mbretëreshës faraone - vdekjen e saj nga një kafshim gjarpri. Por ajo që duket të jetë fundi, në të vërtetë shënon fillimin e një trashëgimie që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Edhe më shumë se 2,000 vjet pas vdekjes së saj, Kleopatra vazhdon të magjepsë si pothuajse asnjë figurë tjetër në historinë botërore. Ekspozita e re "Cleopatra Superstar" e vërteton këtë. Por imazhi i mbretëreshës së faraonit ndërkohë ka ndryshuar vazhdimisht gjatë shekujve - nga joshësja e frikshme te ikona moderne e forcës femërore. Dhe kjo ekspozitë u lejon vizitorëve të zhyten në mënyrë interaktive në këtë imazh. Vetëm këtë vit, janë hapur pesë ekspozita në Evropë që përqendrohen tërësisht te mbretëresha-faraon. Kleopatra edhe pse na është shfaqur edhe në filma, seriale televizive apo dokumentarë historik, ende edhe sot figura e saj mbetet ”misterioze”.

Kleopatra i përkiste dinastisë Ptolemaike, e themeluar nga Ptolemeu I Soteri. Kjo dinasti sundoi Egjiptin që nga koha e Aleksandrit të Madh. Gratë, në parim, mund të ishin bashkësundimtare në këtë dinasti. Prandaj, ndërsa ishte e vështirë për Kleopatrën të merrte pushtetin, kjo nuk ishte krejtësisht e pamundur. Kleopatra e paraqiti veten me vetëdije si mishërimi i perëndeshës egjiptiane Isis. Kjo e forcoi legjitimitetin e saj midis popullsisë egjiptiane dhe e ndihmoi atë të shfaqej si një mbretëreshë e fuqishme dhe e legjitimuar në mënyrë hyjnore – diçka që pranohej në traditën egjiptiane.

Duke e portretizuar Kleopatrën si egjiptiane dhe për rrjedhojë si një sundimtare afrikane, seriali dokumentar “Queen Cleopatra” në platformën Netflix synon gjithashtu ta rehabilitojë atë historikisht. Debati rreth origjinës së Kleopatrës është po aq i çuditshëm. A ishte ajo egjiptiane, greke apo maqedonase? Pas debateve të tilla fshihen dëshira për madhështi kombëtare dhe rëndësi kulturore. A ishte Kleopatra me të vërtetë me ngjyrë? Prodhimi i Netflix-it i vitit 2023 me protagoniste Adele James ndoshta kishte për qëllim të kompensonte shitjen nga Hollywood-i të një Kleopatre të bardhë si ideali i ekzotizmit femëror. Por kjo nuk kishte më shumë të bënte me historinë e Kleopatrës.

Për dekada të tëra, Elizabeth Taylor formësoi idenë se si mund të ishte dukur Kleopatra. Filmi i famshëm i Joseph L. Mankiewicz krijoi idealin e bardhë të bukurisë ekzotike në vitin 1963. Deri më sot, magjepsja me sundimtaren e lashtë është kryesisht një shprehje e pyetjeve dhe problemeve moderne. Kush ishte Kleopatra? Një faraone mizore, ikonë e Egjiptit të lashtë? Femër fatale, e stilit kitsch të Hollivudit? Kleopatra historike vështirë se futet në këto klishe. Historia e jetës së saj është më komplekse, përfshirë aleancën e saj me Cezarin. Ata janë ndër çiftet më të famshëm në histori.

Në botën e lashtë të shekullit të parë para Krishtit, mbretëresha egjiptiane ishte mbi të gjitha: jashtëzakonisht poliglote. Shtëpia sunduese e Ptolemenjve vinte nga Maqedonia. Kryeqyteti egjiptian, Aleksandria, ishte qendra e arsimit grek, me bibliotekën më të madhe të kohës së saj. Bota e Kleopatrës ishte shumëetnike dhe shumëpolare. Historianët romakë Plutarku dhe Suetoni e përshkruajnë vajzën e mbretit si shumë inteligjente, me humor dhe shumë të arsimuar. Kleopatra fliste disa gjuhë dhe konsiderohej mjeshtre e intrigave politike. Ajo e përdori kulturën e rafinuar egjiptiane me shumë aftësi.

Takimi i saj fatal me Cezarin ishte gjithashtu i motivuar politikisht. Oborrtarët e vëllait të saj më të vogël, Ptolemeut XIII, e kishin dëbuar 21-vjeçaren në Siri. Ajo vetë ishte kthyer kontrabandë në Aleksandri. Përpara gjeneralit romak, ajo doli nga thesi dhe i kërkoi Cezarit mbështetje në ambiciet e saj për pushtet. Kjo i dha jetë një prej aleancave më të famshme dhe një prej dashurive më të famshme në histori: Cezarit dhe Kleopatrës. Mbretëresha egjiptiane Kleopatra vazhdon të mbetet një nga temat me te dashura por dhe më të diskutueshme në Hollywood. Megjithatë, sipas burimeve historike, Kleopatra ndoshta nuk ishte “bukuroshja klasike” e portretizuar në filma.

Forca e saj e vërtetë qëndronte te inteligjenca, karizma dhe talenti politik – cilësi me të cilat ajo i bëri përshtypje edhe burrave të fuqishëm si Jul Cezari. Ajo sfidoi botën maskuliste në radhë të parë sepse i kuptonte në mënyrë të përsosur rregullat politike të kohës së saj falë legjitimitetit dinastik, arsimimit të saj të jashtëzakonshëm, aleancës strategjike me Romën dhe aftësisë së saj për tu vetëprezantuar. Sot Kleopatra shihet si simbol i fuqisë femërore dhe si një nga ikonat më të mëdha kulturore në historinë botërore.

2 Komente

  1. M
    Maskulistja

    Bota maskuliste e sat'eme. Cfare shkolle ke mbaruar, moj truthare? Kush ka qene ajo mesuese qe te ka kaluar ne fillore? Se aty duhet te kthehesh prape.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Maskulistja

      Bota maskuliste e sat'eme. Cfare shkolle ke mbaruar, moj truthare? Kush ka qene ajo mesuese qe te ka kaluar ne fillore? Se aty duhet te kthehesh prape.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje