nga Luan Rama
Zija Çela e quan letër.
Edhe mua më pëlqen ta quaj letër, ani pse nuk është një letër në kuptimin klasik dhe të vërtetë të fjalës letër.
Sepse nuk është një letër mbi të cilën shkruhet me bojë e ku bashkë me shkrimin, shkruesi dërgon edhe veten, emocionin, karakterin, fjalën, dorën, por edhe zemrën. Pra, dërgon gjithçka mund të lexohet në gjurmën që le dora përmes penës me bojë mbi letrën e bardhë.
Pra po e quaj letër, ashtu siç e quan shkrimtari që mbi e në letër, ka krijuar veprën e vet letrare; pasurinë e vlefshme e të pazëvendësueshme që ka zënë vend si një diamant i rrallë në kurorën e më të çmuarve të kulturës tonë kombëtare.
Dhe këtë letër, po e ndaj me ju të dashur lexues, pa dashur t’ju imponoj asnjë grimë prej qëndrimit tim, por vetëm sepse Zija Çela, me punën e palodhshme (askush tjetër përveç shkrimtarit nuk e di se sa shumë mund e lodhje i kushton procesi krijues), me këmbenguljen epike dhe të pacak në përpjekjen për të arritur më të mirën e për t’ia dhënë atë lexuesit e botës shqiptare, ia ka dalë të jetë shkrimtar i rendit të parë, bash aty ku e meriton nderi i letërsisë së shkruar në shqip.
Ja teksti i letrës:
I DASHTUNI I SHPIRTIT ZIJA,
Prej se është bërë do kohë që nuk jemi takuar a parë sy më sy, sot mora “udhë” e shkova në fb tënd. Qëndrova bashkë me ty dhe lexova për nja dy orë kohë shumë prej postimeve që ke bërë kohëve të fundit.
Prej pushimeve e hallakatjeve të verës, nuk kam dashtë me ia marrë vetës kohën e me e tretë nëpër rrjetet sociale.
Më shumë zgjodha të udhëtoj nëpër natyrë, udhëve e brigjeve të atdheut, fshatrave, maleve e luginave, anës lumenjve e livadheve të botë reale, se sa nëpër botën virtuale, që në jo pak raste e rrëmben njeriun dhe e tret labirinteve të saj.
Sot të kam lexuar përveç postimeve, ku edhe në ato më të thjeshtat është fjalëqëndisuri me sqimë, elegancë dhe embëlsi naimjane që i jep gjuhës gjithë nderimin e shpirit, edhe komentet e shumtë dhe përgjigjet që iu jep të gjithëve me aq mirësi, siç është e pamatë mirësia jote.
Më bën përshtypje forca e madhe e njeriut që është brenda teje; mirësia edhe më e madhe që lartëson dashurinë e fisme dhe respektin aq të ndjerë që ua fal të gjithëve bujarisht.
Lexuesit kjo gjë i lumturon. Dhe padyshim, merita e madhe është e teknologjisë që i bën njerëzit kaq të afërt. Sepse, le ta themi, teknologjia i ka demokratizuar marrëdhëniet mes njerëzve, edhe pse unë dua më shumë shkrimin mbi letër, ashtu me shkrim dorë, me bojën e gjallë të penës e jo me këtë bojën pa jetë të shkronjave të ekranit të telefonit.
Padyshim, edhe kjo ka vlerën e vet, sepse ja, gjithësesi jemi bashkë e unë vij brenda sekondit tek ti e ti tek unë.
Imagjino për një çast sikur të kishim në (inbox - inboks i thonë në anglisht) mesazhe apo komente nga De Rada apo Naimi, nga Migjeni, Ndre Mjedja, Noli e kështu me rradhë, se çfarë pasurie do të kishim.
Por, le të kthehem tek shkrimet e tua në fb dhe komentet mbi to. Më ka bërë përshtypje fakti që ti iu përgjigjesh të gjithëve njëpërnjë. Dhe jo me fjalë klishe, por me komente të dedikuara, me emër e mbiemër dhe me fjalë të zgjedhura.
Këtë nuk e bën çdokush.
Këtë qasje, këtë sjellje prej njeriu zemërbardhë e bën vetëm dikush si ti, që dashurinë e njeriut e ka themelin mbi të cilën ka ndërtuar gjithë rrugëtimin e vet dhe pa të cilën nuk mundet me ecë.
Unë mendoj se pikërisht në këtë raport ku vibrojnë zemra që japin e marrin forcë e jetë, në këtë marrëdhënie sublime, ti jeni lartësia e modelit, je referenca e shembullit se çfarë force i jep njeriut njeriu që lartësohet brenda teje, prej nga ku na vjen njësh me të edhe shkrimtari që sot e bën krenar letërsinë që shkruhet në shqip dhe pa të cilin, asaj do t’i mungonte lartësia e modernitetit shqiptar, krejt e barabartë me lartësitë e ngjashme në letërsinë e Botës, atje ku të mëdhenjtë e saj kanë sivëlla edhe shkrimtarin shqiptar Zija Çela.
Mosha jote fizike prej kohësh është vetëm një konvencion kalendarik.
Mosha e veprës është ajo e forcës së zemrës tënde, është mosha e shpirtit që përtërihet e vetëm përtërihet magjishëm dhe na përthyehet në pafundësi ngjyrash përmes yllësisë së galaktikës së fjalëve që e gjitha përbën veprën letrare tënde letrare i dashtuni Zija Çela.
Me shumë përqafime
dhe përzemërsisht,
Luan Rama
Mjaftonte qe shkrimtarit t' shkruaje vetem nje fjali: Te lumte qe u pergjigjesh lexuesve ne bf nje per nje! Je munduar shume me artikullin.