Një libër për marrinë dhe artin e turizmit

1 Nëntor 2025, 19:11Kulturë TEMA

Një libër për marrinë dhe artin e turizmit

AI VEND ishte shitur. Jo se kish ndonjë njoftim publik për këtë dhe as ndonjë informacion të rrjedhur a dyshim se cili mund të kish qenë blerësi. Vetëm rrugëve ndihej një lloj pasigurie lehtësisht dehëse, e çiftuar me tundimin për të mëkatuar. Kambanat e kishave kumbonin më mbytur, gratë harronin të ktheheshin darkave në shtëpi, burrat nuk i hiqnin kravatat kur binin për gjumë. Vend i shitur. Katet e ndërtesave të reja tkurreshin, vendparkimet shtoheshin, mbylleshin dyqanet e luleve dhe kinematë, varrezat shpronësoheshin. Vend i shitur. Parashikimet e motit dështonin, kitaristët barteshin gjetiu, binte çmimi i mermerit, rritej çmimi i gipsit. Plugu i bujkut nxirrte nga dheu krimba të ngordhur.

Të këtij lloji janë kapitujt e shkurtër – 1-3 faqe – të librit më të fundit të Ardian Vehbiut, Në atë vend, që sapo ka dalë në librari nga shtëpia botuese Albas. “Mbresa udhëtimesh imagjinare,” e titullon autori, edhe pse më shumë se një libër përshtypjesh, teksti vjen në formën e një atlasi gjeografik në prozë, ose të një galerie fotosh nga vende sa të largëta e misterioze, aq edhe të afërta e të ngjashme me të përditshmen tonë. Një libër që i sjell lexuesit imazhe, vizione dhe vegime trojesh të përtejme, të imagjinuara por jo detyrimisht imagjinare.

Një udhëtim, thotë autori, nuk përfundon kurrë, derisa nuk është rrëfyer; vetëm kështu i njohim eksploratorët e hershëm të botës njerëzore, nga Odiseu te Marco Polo-ja. Është në natyrën e udhëtimit që të kërkojë dhe të gjejë ballafaqime, herë-herë të befasishme, me realitetin që njohim. Sot kur dallimi mes udhëtarit dhe turistit është mjegulluar dhe shumë prej nesh shëtitim, të trullosur, nga një aeroport në tjetrin, nga një hotel plazhi në tjetrin, nga një qendër tregtare në tjetrën, vetëm imagjinata e fiction-it mund të na ngushëllojë, për atë aventurë që e kërkojmë në botë por pa e gjetur.

Vehbiu tregon me këtë rast edhe ai vetë një histori:

Dy turiste amerikane u nisën të blejnë, në aeroport, bileta për të shkuar në Nisë të Francës, dhe përfunduan në Tunis, kryeqytetin e Tunizisë, meqë porosinë e tyre “to Nice”, punonjësja në check-in e kish dëgjuar si “Tunis”. Një ngatërrim i vogël emrash, dy aeroporte jo edhe aq të pangjashëm mes tyre. Sot udhëtari e ka të vështirë që të mbajë veçan emrat e vendeve ku shkon, aeroporteve që përdor dhe hoteleve ku rri. Më i lehtë është orientimi nëpërmjet rrëfimit – tek e fundit, për shumë amerikanë e pavarësisht nga etnia e raca, Nisa franceze dhe Tunisi arab nuk janë veçse identifikues rrëfimesh e historish të reja e të vjetra. Kjo s’është ndonjë risi – mes toponimeve dhe hartave, gjithnjë preferojmë rrëfimin, siç na e konfirmojnë Odiseu, Marco Polo-ja, Voltaire-i, Gulliver-i i Swift-it, heronjtë e patrembur të Jules Verne-it, dhe pastaj Marco Polo-ja i Calvino-s dhe Baudolino-ja i Eco-s. Rrëfejmë edhe ne tjetrin që pamë, me synimin për ta habitur e për ta zbavitur tjetrin që na dëgjon.

Jetojmë në kohë kur “AI VEND” i titullit të vëllimit dhe i çdo kapitulli brenda shpesh përfundon në rrëfimet e qindra-mijëra turistëve nga bota, që vijnë të shohin Shqipërinë dhe të përjetojnë hijeshitë e saj. Në reportazhet dhe infomercialet kjo Shqipëri e kthyer me fytyrë nga përjashta vjen njëherazi si park turistik i natyrës dhe i historisë, ku nuk mungon as politika e djeshme, në trajta fast food-i për kureshtarët e plogët, që nuk kanë shumë ditë në dispozicion, as vëmendje për të shpërdoruar. Rrëfimet e librit herë filozofike herë poetike i japin lexuesit, pa e lodhur shumë, shembuj pedagogjikë utopish banale dhe aksidentesh të dala jashtë kontrolli, që paradoksalisht i bëjnë ato vende edhe më spektakulare, për ata turistë që duan të jenë spektatorë jo vetëm të gjeografisë, por edhe të historisë. Edhe pse teksti ndërtohet me teknikat hipnotike të përrallës dhe nga pikëvështrimi i Tjetrit, i Vizitorit, i atij që shkon të shohë e të njohë, i pelegrinit në kërkim këmbëngulës të daljes nga burgu i përditshmërisë dhe të shelbimit shpirtëror, lexuesi është një gjendje të vërë re si shumë prej nesh, që nuk reshtim së bredhuri vizituari e fotografuari, nuk jemi veçse në kërkim të çfarë na ka munguar dhe mungon në vendin që lëmë pas dhe ku do të kthehemi sërish.

Shqiptari si kurrë ndonjëherë më parë nuk ka udhëtuar aq sa në dekadat e fundit, në kapërcyell të shekujve e të mijëvjeçarëve; aq sa Shqipëria që u “shitet” turistëve dhe u rrëfehet nga shoqëruesit e tyre institucionalë fare pak ka të bëjë me Shqipërinë që tani është përhapur anembanë Europës dhe botës, nga udhëtarë herë me dëshirë e herë nga halli, që kanë çuar gjetiu rrëfimet për të kaluarën e tyre, teksa i rikrijojnë realitetet e reja me syrin e udhëtarit që ndonjëherë shkatërron duke u përpjekur të kuptojë. Turizmi përfaqëson një impenjim tejet serioz të shtetit, të ekonomisë dhe të institucioneve brenda vendit, edhe pse ne – si shoqëri – ende nuk dimë si na shohin të tjerët, madje edhe kur nisemi e humbasim në kërkim të pasqyrave. Prandaj edhe lexuesi do të gjejë në libër, të sublimuar në trajta të një fantazie prej përralle, atë Shqipëri që na duket sikur e kemi harruar. Kësisoj, vetë vepra shndërrohet në një muze të kujtesës, që kushdo mund t’i kthehet e ta vizitojë në intimitetin e leximit.

Ardian Vehbiu është autor i shumë librave të eseistikës dhe fiction; dhe njëherazi, botues i revistës kulturore online “Peizazhe të fjalës”.

Lini një Përgjigje