Dje u përmbyll kolonia ndërkombëtare e piktorëve “Ditët e Mios”. Një punë e frytshme kjo, disa ditore por me mendime dhe vepra, sidomos, të vlefshme. Një mundësi për artistët e rinj dhe të vjetër për të prodhuar art dhe për t’u shoqëruar me njëri tjetrin.
Edicioni i 15-të i kësaj kolonie mblodhi në Korçë për 4 ditë, piktorë vendas dhe të huaj, plot krijimtari, ngjyra dhe frymëzim. Të gjitha këto vepra të prodhuara përgjatë këtyre kohëve do të shpalosen në ekspozitën që mbledh zemrën e artit dhe shpirtin e traditës korçare, në Galerinë e Bibliotekës “Thimi Mitko”.
Në punët e piktorëve të kësaj kolonie, vjen Korça frymëzimi, ashtu siç e panë dhe ndjenë artistët nga e gjithë bota por dhe nga Shqipëria.Ata zbuluan magjinë e qytetit, por edhe të fshatrave përreth, rrugicat me kalldrëm, gjelbërimin dhe shpirtin korçar, që këtë herë tregoi mirëfilli që nuk është, nuk i përket, vetëm muzikës (serenatave).
Piktorët patën rastin që në kuadër të “Ditëve të Mios” të vizitonin edhe Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, një hapësirë e bukur bashkëbisedimi e ndërtuar kohët e fundit, ku arti u kthye në gjuhën që bashkon kultura, përvoja dhe vizione të ndryshme.
“Ditët e Mios” nderon trashëgiminë e mjeshtrit të madh Vangjush Mio, duke e kthyer Korçën sërish në atelienë më të bukur të hapur, ku arti jeton mes njerëzve dhe natyrës duke i dhënë jetë vetes së vet në penelat e artë të artistëve. A.K./TemA
Lini një Përgjigje