Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli Kënd të ri Arkivor në qytetin e Durrësit dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë ato që kanë punë të rëndësishme për të kryer në arkiva si kërkim dokumentash pronash e të tjera.
DPA thotë se, ky është një hap i rëndësishëm për t’i sjellë arkivat më pranë qytetarëve, studiuesve dhe studentëve, duke u mundësuar akses të drejtpërdrejtë në fondet e ruajtura të Drejtorisë së Përgjithshme, si të ishin të pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë.
Por kjo është diçka e rëndësishme dhe për studiuesit të cilët mund të jenë hulumtues të historisë dhe ju duhet akses në dokumenta pikërisht për të ndërtuar tezat e tyre akademike dhe ky process është shumë i ngadaltë dhe zvarritet duke i bërë ata shpeshherë që të heqin dorë.
Çdo qytetar, i cili kërkon të dhëna biografike, materiale studimore apo dokumente me vlerë historike, tashmë mund t’i konsultojë ato në këtë kënd të posaçëm, pa qenë nevoja të udhëtojë drejt kryeqytetit, një lajm që kursen shumë kohë dhe mund për qytetarët e Durrësit.
Falë Këndeve Arkivore të hapura në dhjetëra qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe pranë arbëreshëve në Kalabri, bashkatdhetarët mund të hulumtojnë dokumentet arkivore me të njëjtën procedurë dhe lehtësi, kudo ku frymon shqiptaria. A.K./TemA
Lini një Përgjigje