Bibliotekat e shkollave 9-vjeçare në Bashkinë e Beratit janë pasuruar me libra të rinj, falë nismës së klubit letrar-artistik “Në gjurmët e Dodonës”. Një gjest fisnik ky që ndihmon të gjithë dashamirësit e librit por dhe lexuesit e vegjël.
Aktiviteti u zhvillua në bibliotekën “Vexhi Buharaja”, në bashkëpunim me ZVA Berat dhe shkollat e qytetit. Përveç librave është e rëndësishme të ketë dhe ambiente ku konsumohen librat, pra ambiente ku lexohet dhe ku mund të mbahen diskutime të frytshme pasojat e të cilave nuk do t’i shohim menjëherë por në vitet që do vijnë.
Nxënësit shprehën mirënjohjen e tyre me një program artistik. Në ceremoni morën pjesë drejtues të arsimit, përfaqësues të shtëpisë botuese “Dituria” dhe anëtarë të klubit letrar. Presidentja e klubit, poetja Ana Tisi, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për pasurimin shpirtëror të fëmijëve.
Në total, u dhuruan 94 tituj librash me 394 kopje, të cilat do t’u shërbejnë nxënësve të Beratit. Aktivitetin e përshëndetën edhe Prof. Drita Isufaj dhe mjekja Egriselda Allushi. Nxitja e leximit në moshë të re vetëm sa i bën mirë mendimit kritik dhe në një prizëm të përgjithshëm vetëm sa e përmirëson shoqërinë duke i dhënë një dorë të madhe formimit të qytetarëve të së ardhmes mes kultivimit të mendimit kritik dhe aftësive sintetizuese. A.K./TemA
Lini një Përgjigje