Pas incidentit që bëri xhiron e Shqipërisë, sopranoja Eva Golemi kthehet sërish në skenë

30 Tetor 2025, 14:47Kulturë TEMA
Pas incidentit që bëri xhiron e Shqipërisë, sopranoja Eva

Një muaj pas incidentit në skenën finale të operas “La Traviata”, që e detyroi të ndërpriste punën për t’u rikuperuar plotësisht, sopranoja Eva Golemi është rikthyer në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ky është një rikthim që ajo mezi e ka pritur pas skandalit të turpshëm të vetëm pak kohëve më parë. Sopranoja ka folur për herë të parë për dhimbjen e dy krahëve, fizike dhe psikologjike, pasi u turpërua por jo për faj të vet.

“E rëndësishme është që ndihem mirë, hera hera kur është moti i keq kam dhimbje sepse pësova një shembje të madhe. Por, rëndësi ka që kur bie të ngrihesh akoma më i fortë. Dua të falënderoj të gjithë kolegët e mi brenda dhe jashtë vendit, të cilët më kanë dhënë një suport të madh”, u shpreh Eva Golemi, soprano e parë, TKOB.

Sopranoja e parë e Operas ka nisur provat për “Il Trovatore”, pjesë e triologjisë popullore verdiane, së bashku me “La Traviata” e “Rigoletto”, që do të shfaqet për publikun në fillim të dhjetorit. Një shfaqje për të mos u humbur për këdo që është fans i regjur i operas.

Më tej ajo shtoi “Është një nga ato rolet që nuk e kam luajtur shpesh, jo si Traviatta-n që e kam luajtur 76 herë apo ‘Tosca’, por mendoj se do të dalë shumë mirë dhe do të mirëpritet nga publiku”.

Këtë herë, Golemi do të interpretojë krah tenorit të madh Josif Gjipali, që rikthehet në skenën e TKOB për të mahnitur të gjithë spektatorët me zërin dhe performancën e tyre.

Eva Golemi, soprano e parë, TKOB:  Për mua është e veçantë, pasi është rikthimi i tenorit Josif Gjipali në skenën e TKOB-së, i cili do të luajë Manrikon dhe për këtë jam shumë e kënaqur dhe shumë e lumtur sepse me Josifin kam luajtur një dekadë më parë te ‘Traviatta’.

Në një intervistë mes nostalgjisë dhe emocioneve për qindra rolet që ka sjellë në skenë, Golemi tregon personazhin e preferuar, ku gjen veten më shumë se çdo operë tjetër.

“Violeta është rol që kam luajtur më shumë, por Tosca është ajo që kam në zemër, është roli që më përfaqëson ashtu siç jam edhe në jetë”, tha më tej Golemi.

Pas 3 dekadave në teatrin që për të është bërë shtëpia e dytë, këngëtarja lirike shpreh dëshirën për t’i dhënë jetë disa kryeveprave të tjera botërore, përveç kryeveprave të cilat i ka luajtur tani dhe për të hedhur pas krahëve incidentin që bëri xhiron e rrjeteve sociale në të gjithë Shqipërinë.

“Do doja Medean, do doja Don Carlon dhe Otellon. Janë personazhe që do të doja t’i luaja, shpresoj që të vihen në Teatrin e Operës dhe Baletit”, përfundon Eva Golemi, soprano e parë, TKOB.

Me karrierën që e nisi që në bankat e shkollës, kur studionte në Akademinë e Arteve, Eva Golemi i ka dhënë frymë protagonisteve të operave më të njohura nga muzika e epokës barok te ajo bashkohore, dhe, tani ajo është kthyer sërish. A.K./TemA

 

4 Komente

  1. M
    Messerschmitt

    kujdes tani....mos e ler me veten ne doren e gjakdhjerve ...

    Përgjigjjuni
    1. N
      Na myten

      U kthye Maria Callas.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Lani

        Ngjarje e turpshme?!

        Përgjigjjuni
        1. L
          Lana

          Suksese!!!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje