Në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), nisi sot punimet Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). Lajmet për organizimin dhe hapjen e këtij kuvendi kishin të paktën dy javë që kishin dalë.
Kuvendi vjen në një moment kyç kur arbërëeshët duhet të kthehen në temë të ditës në rrethet akademike shqiptare sepse me thënë të drejtën i kemi harruar jo pak, ashtu si dhe çamët.
Tema e këtij edicioni është: “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Kuvendi III i Studimeve Arbëreshe mbahet çdo dy vjet. Ai përbën ngjarjen më të rëndësishme studimore të organizuar nga QSPA-ja, në këtë 5-vjetor të qendrës.
Një prej elementëve të veçantë të këtij Kuvendi, ishte interpretimi i disa pjesëve në arbërisht nga grupi “Arbëria-Frasnita”, nga Frasnita e Kalabrisë. Populli shqiptar duhet të gjejë gjurmët e veta në të gjitha trojet ku ka shqiptarë dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi nuk e kemi luksin që veprojmë vetëm brenda kufinjve.
Fjalën përshëndetëse në kuvend e mbajti drejtoresha e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, e bija e intelektualit dhe studiuesit të njohur Jup Kastrati, e cila parashtroi veprimtarinë e institucionit në këtë 5-vjetor të saj. Kastrati theksoi nevojën për qartësi dhe objektivitet në trajtimin e çështjes arbëreshe larg folklorizmave dhe aktivitete sporadike, me vizionin e duhur që meriton kjo diasporë.
Drejtoresha e QSPA, Diana Kastrati, gjatë moderimit të kuvendit, tha sot se nëse kemi një emblemë të profesoratit, ai është prof. Emil Lafe.
“Është një nga figurat që ka ndjekur dhe shoqëruar jo vetëm arsimimin e shumë brezave, por është një nga kontribuuesit më të qenësishëm të punës në QSPA dhe kemi fatin që e kemi pjesë të Këshillit të Botimeve Shkencore”, u shpreh Diana Kastrati.
Prof. Lafe në këtë rast të veçantë vlerësoi organizatorët e kuvendit dhe u uroi atyre punë të mbarë e të frytshme.
“Ky institucion i ri i jetës akademike e ka përligjur më së miri veten. Kjo qendër vjen sot në këtë kuvend me një veprimtari të pasur studimore dhe botuese dhe me një vizion të qartë për të ardhmen”, tha prof Emil Lafe duke iu referuar QSPA-së.
Sipas profesorit, falë punës së QSPA-së, kultura, historia, letërsia dhe arbërishtja po bëhen më të njohura në rrethet e studiuesve si dhe për publikun e gjerë shqiptar.
Bota arbëreshe si një pjesë shumë e çmuar dhe shumë e dashur e qenies tonë kombëtare, duhet të mbijetojë duke u zhvilluar dhe jo duke u konservuar si objekt i një muzeu historic, por duke qenë temë e ditës në të gjitha mediumet komunikative të mundshme.
Ky, sipas profesor Lafes, është qëllimi i këtij kuvendi.
Në fjalën e tij, Damiano Guagliardi, kryetar i FAA-së (Federata e Shoqatave Arbëreshe), Itali, tha se ky kuvend nuk është vetëm fitorja e disa studiuesve, por i përket gjithë komunitetit arbëresh në Itali. A.K./TemA
Lini një Përgjigje