“Musine Kokalari, një yllësi”/ Promovohet libri i Uran Butkës për Musine Kokalarin, stërmbesa A.Kokalari: më frymëzon çdo ditë

31 Tetor 2025, 08:55Kulturë TEMA
“Musine Kokalari, një yllësi”/ Promovohet libri i Uran

“Musine Kokalari, një yllësi” është një studim historik, letrar e antropologjik për jetën Musine Kokalarit, një prej intelektuale më të spikatura të shekullit XX dhe në përgjithësi të historisë së Shqipërisë, një grua e fortë që besoi në parimet e saj deri në fund.

Vepra e Uran Butkës dhe Institutin të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nxjerr në dritë fakte të reja nga veprimtaria e gruas që sfidoi komunizmin në Shqipëri dhe vetë diktatorin Hoxha derisa u thurën dhe legjenda për fjalët që ajo i kishte thënë drejtpërdrejt.

“‘Fashizmi dhe komunizmi nuk kanë asgjë ndryshim mes tyre, përderisa vrasin njeriun. Unë nuk jam komuniste dhe ky nuk mund të cilësohet faj. Ti fitove, por unë nuk duhet të jem në burg’, i thoshte Musine Kokalari Enver Hoxhës. Ajo qëndroi deri në fund si martire.

Përveçse ka qenë intelektuale, shkrimtare e parë shqiptare, studiuese, etnografe, kritike e njohur, mëtuese e flaktë e lirisë, e demokracisë, luftëtare për të drejtat e grave, për emancipimin e tyre. Ka qenë edhe politikane, themeloi partinë social-demokrate, si një rrugë që e largonte Shqipërinë nga zjarri i luftës civile, por për këtë gjë, ajo u ndëshkua dhe u dënua me 20 vite burg”, thotë autori Butka.

Pjesë e veprës janë kujtimet e shkruara nga vetë Musine Kokalari, që për Butkën ishte shëmbëlltyra e bukurisë, e lirisë dhe e përjetësisë, por dhe e qendrës dhe zgjuarsisë.

“Janë rreth 3000 faqe që kam gjetur dhe janë pjesa më e bukur e saj, që në 20 vite burg dhe 18 vite internim, në kushte shumë të vështira, ajo shkroi kujtimet e saj. Aty nuk ka asnjë grimë urrejtjeje ose hakmarrjeje, aty fryn vetëm era e dashurisë dhe e lirisë, ajo rrezaton vetëm dritë”, shprehet Butka.

E pranishme në promovimin e librit, stërmbesa e Musine Kokalarit, eurodeputetja e Suedisë në Parlamentin Europian, rrëfeu si paraardhësja e saj që sakrifikoi jetën duke luftuar për vlerat demokratike u bë një frymëzim në rrugëtimin drejt politikës.

“Musine Kokalari ka qenë frymëzim shumë i madh në jetën time, edhe për faktin që jam bërë politikane në Suedi, vlerat e saj janë vlera që edhe unë i mbaj lart, tani që jam politikane në një shtet demokratik, e kam unë përgjegjësinë të luftoj për të gjithë njerëzit që nuk kanë liri dhe të luftoj për vlerat demokratike”, thotë Arba Kokalari.

Eurodeputetja theksoi rëndësinë që e shkuara t’u rrëfehet brezave të rinj. Kujteësa është vaksinë për një shoqëri të shëndetshme, sipas saj: “Sfidat që bëri Musine Kokalari për demokracinë dhe të drejtat e njeriut janë shumë të rëndësishme që të tregohen edhe te gjeneratat e reja, sepse kur e tregojmë historinë, ajo është një vaksinim për shoqërinë që të mos futet më në autoritarizëm dhe diktaturë. Është shumë e rëndësishme sepse njerëzit harrojnë, brezat e rinj nuk e dinë se çfarë sakrificash kanë bërë shqiptarët në të kaluarën. Duhet të dinë që ka pasur njerëz të guximshëm që shkonin kundër Enver Hoxhës si Musine Kokalari. Duhet të tregojmë më shumë për njerëzit dhe gratë si Musine Kokalari që kishin guxim që të luftonin për lirinë, për vlerat e demokracisë, këto vlera që Shqipëria që e ndihmojnë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”.

Pas këtij libri, Instituti “Lumo Skëndo” do të vijojë punën për vëllime të tjera bazuar mbi dokumente arkivore dhe mbi kujtesën familjare për të zbërthyer të gjithë jetën e intelektuales që guxoi të mendonte ndryshe dhe nuk iu përul për asnjë çast diktaturës deri në frymën e saj të fundit duke u kthyer kështu në një ikonë.

A.K./TemA

2 Komente

  1. W
    Www

    Këto mbesat e stërmbesat, ku ishin, kur ajo e gjora vuante e vetme?

    Përgjigjjuni
    1. H
      Herodoti

      Nuk di pse eshte internuar e ndjera Musine ne Rreshen ku atje ka punuar ne ndertim. Nje specjalist ndertimi nga Rresheni ma ka pohuar kete. Nuk di se çfar ka bere gjat socializmit qe e kane internuar. Ajo qe duhet te them eshte se historia nuk shkruhet me mllefe, nuk shkruhet nga amatore. Qe te shkruash historine, sidomos ate te shkuar duhet asnjanesi, gjakftohtesi, nuk duhen paranoja se ne nje kohe te caktuar çdo gje ishte sterre dhe qe duhej te vinte kjo kohe qe ne te shikojme vite e vite te shkuara te mbushura me negativitete dhe asgje pozitive. Ky Uran Butka, ky historian oborri, ky mesues i brezit te ri ne kohe te socializmit me kujton nje ndodhi diku andej ne nje fshat inetrnimi ne Lushnje ne vitet 70-80 te shekullit te shkuar. Propaganda e kohes kerkonte qe te shkruheshin parrulla te ndryshme ku levdohej roli i P.P.SH ne perparimin e vendit, vihej ne dukje forca e Ushtrise Popullore, parrulla te ndryshme me karakter ekonomik et etj. Keto parulla shkruheshin ne fasadat e rrenuara deri ne mizerabilitet te ndertesave te fshatit. Ai qe i shkruante keto parulla ishte nje djale i talentuar nga nje familje e internuar. Ai ishte "dizenjatori", keshtu quhej puna e tij. E verteta eshte se, pavarsisht se çfare mesazhi percillnin parrullat, ato te kenaqnin syrin me bukurine, me simetrine, stilin e te shkruarit te germave. Nuk zgjati shume dhe "dizenjatorit" i dhane nje shat te madhe dhe i thane qe vendi jot eshte atje ne fushe jo te na shkruash parulla se ato "ndoten nga dora armiqsore" qe i shkruan. Ne vend te tij caktuan nje djale me te ri i sapoardhur nga ushtria dhe thuhej se ish "dizenjator" i lindur plus qe ishte nga nje familje patriote nga zonat e thella te Librazhdit ku ne "operacionin e dimrit" ishte strehuar udheheqesi. Kur "dizenjatori" i ri filloi punen, ne fshat u çfaqen parrulla me nje shkrim te shemtuar, me gabime ortografike, me mungesa germash, dhe per hire te se vertetes, keto parulla me kete menyre shkrimi te ketij djali e jepnin me te vertet kuptimin idjot te parullave te kohes. Edhe "historiani" Uran eshte imitimi kokeposhte i "dizenjatorit" te KLLASES.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje