“Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë”/ Promovohet në Rektoratin e Tiranës monografia studimore për tekstet shkollore të periudhës së komunizimit

30 Tetor 2025, 17:40Kulturë TEMA
“Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të

Në Rektoratin e Universitetit të Tiranës u promovua studimi monografik “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë (1978-1985)” ku merrnin pjesë studiues, drejtues institucionesh, gazetarë, pedagogë e studentë. Një monografi e këtij lloji është e nevojshme që brezat që do të vinë në bangat e universiteteve të dinë më shumë për makineritë diabolike që regjimi i kaluar përdorte si mjete propagande.

Duket se kjo monografi me autorë, Elsa Skënderi Rakipllari, Anila Çepani, Rozana Rushiti, Belfjore Qose është produkt i projektit me të njëjtin emër, financuar nga Universiteti i Tiranës, përmes programit UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion.

Njëra prej autoreve, Elsa Skënderi u shpreh se synimi i këtij libri studimor është hedhja dritë në praninë e ideologjisë politike në librat e gjuhës dhe leximit letrar në klasat VI-VII-VIII.

“Tekstet mësimore janë përdorur gjatë periudhës së komunizmit si mjet për ta përhapur dhe për ta ngulitur ideologjinë politike”, tha Elsa Skënderi.

Gjatë diktaturës, tekstet e gjuhës dhe letërsisë nuk kishin vetëm funksion arsimor, por edhe propagandistik. Arsimi, por edhe shkencat humane asokohe konsiderohej një nga mjetet kryesore të edukimit politik dhe të formimit të “njeriut të ri socialist”. Një njeri socialist që do të ishte tërësisht i përkushtuar ndaj ideologjisë në fjalë dhe shtetit të fortë komunist.

Në promovim Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku theksoi se kjo temë është thelbësore për të kuptuar se si ideologjia e një shoqërie ndikon në formimin kulturor të individëve. Ai theksoi se tema është thelbësore edhe për t’u përballur me pasojat e së shkuarës, me atë që quhet inkontaminimi ideologjik i një shoqërie që lidhet drejtpërdrejt me procesin e dekomunistizimit që Shqipëria nuk e ka çuar akoma deri në fund.

Në një tjetër vërejtje përgjegjësi i Departamentit të Letërsisë, në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Osman Gashi theksoi se ky botim nxjerr në pah se si tekstet u përdorën për të formuar bindje të caktuara në përputhje me interesat e shtetit.

Studimi shkencor gjithashtu përfshin një krahasim midis teksteve të përdorura në Shqipëri dhe në Kosovë, për të zbuluar dallimet në trajtimin e autorëve dhe veprave letrare si dhe në qasjen ndaj mësimdhënies së gjuhës shqipe në të gjitha trevat

Gjuhëtarja dhe kërkuesja Teuta Toska, theksoi se ky studim kontribuon në mbushjen e një boshllëku të rëndësishëm në studimet arsimore dhe kulturore. A.K./TemA

 

 

1 Komente

  1. S
    STUDENTI

    Te vjen per te vjedhur kur sheh qe njerez me shkolle te larte dhe me tituj 9 fiktive ) shkencore botojne libra mbi " ideologjizimin e teksteve te gjuhes e te letersise " gjate viteve te regjimit pseudokomunist. Po, ku ka ne bote tekste dhe formim te njeriut pa ide, ideologjira dhe ideologjizim. Po tekstet e sotme shkollore te mbushura me qindra genjeshtra, mashtrime, shtremberime dhe ideologjizime cfare jane ? pse, te hyjnizosh " komunizmin " qenka ideologjizim, ndersa te hymnizosh kapitalizmin, te fshehur dinakerisht pas eufemizmit ' demokraci " nuk na qenka ideologjizim ?! Per njerezit me mend dhe me vlera morale, ceshtja nuk shtrohet a jane tekstet shkollore te ideologjizuara apo nuk jane te tilla, por cfare vlerash apo antivlerash ( si p.sh. " gjinia gjitheperfshirese " sot ) iu mesohen femijeve dhe te rinjve. Merreni me mend, dekani i fakultetit te Histori-Filologjise, me titujt Prof.Doc, me emrin Mark marku na flet sot ne vitin 2025 per " dekomunistizim ". Cfare do te thote dekomunistizim ? Te erresosh, shtremberosh dhe mohosh gjithcka eshte thene e bere dikur ne Shqiperi ? vetem e vetem pse disa marka e paskan pesuar ( me ose pa te drejte ) ? Po pse, sa eshte numri ( qindra miliona ) i njerezve qe e kane pesuar dhe po e pesojne ende edhe sot ne kete sistemin e markajve ?!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje