“Pallati 176” shfaqet në praninë e aktorëve protagonistë! Aktorët: Tejkaloi parashikimet e të gjithëve!

30 Korrik 2025, 10:08Kulturë TEMA
“Pallati 176” shfaqet në praninë e aktorëve

Ishte viti 1986 kur komedia “Pallati 176” shkruar nga Adelina Balashi u ngjit për herë të parë në skenë dhe do të mbetej komedia kult në ekranet e shqiptarëve. Publiku e deshi që në momentin e parë dhe, edhe sot, rreth 40 vite më pas, kjo shfaqje vijon të jetë ndër më të dashurat. Së fundi, “Pallati 176” ka pasur një shfaqje të veçantë në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ku protagonist kanë qenë disa nga aktorët kryesore të komedisë, shkruan shqiptarja.

“Sot këtu jemi unë, mamaja, djali (Gëzim Rudi) dhe nusja (Eva Alikaj). Është një pjesë e thjeshtë punuar me dashuri të jashtëzakonshme. Na bëhet qejfi që vitet kanë kaluar dhe është në vëmendjen tuaj si në ditët e para. Respekt i jashtëzakonshëm për kolegët tanë që me dashuri dhe përkushtim të madh e vunë në skenë atë pjesë të thjeshtë, si nga regjisorët dhe kolegët e mi”, - u shpreh aktorja Elida Janushi.

“Jam e lumtur që kam qenë pjesë e kësaj shfaqjeje. Më kujtohet që thoshte Ilir Bezhani: Ju nuk e keni idenë. Do të jetë një shfaqje kjo që do të mbushë dyert e teatrit. Unë i thosha: Boll tani. Por jo vetëm kishte të drejtë, por i kaloi parashikimet e të gjithëve.”, - tha Eva Alikaj.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në oborrin e ridimensionuar të institucionit, ishin të pranishëm Nëndrejtoresha e Përgjithshme e DPA-së, Marinela Ndria, aktorët protagonistë të kastit Eva Alikaj, Gëzim Rudi, Elida Janushi, si edhe Edon Qesari,  i biri i regjisorit të ndjerë Andon Qesari, dhjetëra qytetarë dhe dashamirës të filmit.

“Një vepër e mbajtur mend përmendësh, prapë vazhdon të tërheqë vëmendjen. E ka bërë këtë për dekada me radhë. Krijuesit janë të pandërgjegjshëm se ç'janë duke bërë. Vetëm spektatorët arrijnë t'i ndërgjegjësojnë ata. Besoj se ky është rasti klasik se një vepër artistike jep përjetësinë”, vlerësoi Qesari.

Pas një sezoni, që në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit shfaqi filmat mbi tematikën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), Kinemaja Verore e DPA-së u rikthye këtë qershor me një repertor kushtuar komedisë shqiptare. Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), krahas shfaqjes teatrale "Pallati 176", këtë verë janë shfaqur për publikun kryeqytetas 8 filma komedi, si: "Zonja nga qyteti", "Zëvendësi i grave" dhe "Përrallë nga e kaluara". Sipari i këtij sezoni të Kinemasë Verore do të ulet me një tjetër shfaqje mjaft të dashur për publikun, "Shi në plazh".

2 Komente

  1. A
    Alushi

    Qesharake njekohesisht hipokrite kur nuk permenden emrat e artisteve te ndjere qe nu fund te fundit ishin edhe kryesoret ne ate komedi

    Përgjigjjuni
    1. R
      Realisti

      Po ndonjë përfaqësues nga familja e e të madhit Roland Trebicka a kishte aty? Pastaj si ka mundësi mjeshtri Trebicka nuk përmendet fare aty? ? Ai ishte në rolin kryesor.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje