Pëllumb Xhufi: Akademiku Rexhep Qosja ndikoi nga protestat e ’81 në Kosovë deri te vendimet në Rambuje

26 Prill 2026, 09:00Kulturë TEMA
Pëllumb Xhufi: Akademiku Rexhep Qosja ndikoi nga protestat e ’81

Rexhep Qosja ishte një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare, thekson historiani Pëllumb Xhufi, që kujton si akademiku u angazhua për çlirimin e Kosovës që në kohën kur drejtonte Institutin e Albanologjisë në vitet 1972–1981, të cilin e shndërroi në vatër të lëvizjes.

“Ka qenë vatra ku u mbrujt ndërgjegjja kombëtare në nivelin më të lartë dhe ku nisën lëvizjet më të mëdha. Aty nisën edhe lëvizjet e studentëve. Dhe ai tregon se si ditën që mësoi se nisën lëvizjet e studentëve në Prishtinë, donte të shkonte, por tha se pati frikë. Nuk i fshihte as dobësitë e tij”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.

Qosja i dha zë protestave studentore të vitit 1981, që u bënë demonstrata gjithëpopullore, ndërsa më vonë luajti rol të rëndësishëm në formësimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhufi kujton incidentin në zyrën e tij në vitin 1999.

“Ka qenë ndër të parët që e përqafoi me entuziazëm dhe shpresë të madhe UÇK-në. Ka pasur lidhje me luftëtarët e UÇK-së. Iu rrezikua jeta. Në zyrën e tij në Institutin Albanologjik është portreti i Naim Frashërit i shpuar në një bajonetë, kur në 1999 hynë në zyrën e tij serbët”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.

Ndërsa kontributin e Qoses në Konferencën e Rambujesë, që u mbajt në Paris me synim dhënien fund të luftës në Kosovë dhe arritjen e një paqeje afatgjatë, historiani e konsideron vendimtar.

“Ishte një pikë referencë për të gjithë delegacionin, për çdo vendim të matur. Ishte busulla e delegacionit që i thoshte gjërat troç”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.

Pas çlirimit të Kosovës, Qosja u angazhua politikisht me themelimin e një partie politike, por më pas u tërhoq për të vijuar krijimtarinë letrare.

“Bashkë me kolegë të tjerë, krijuan një grupim ‘Partia Parlamentare’, me të cilën kërkonte të përfshinte intelektualët në ngjarjet e mëdha që do vinin. Nuk pati ecuri, ai e mori me sportivitet dhe vijoi publicistikën me qëllimin e mirë për t’i shërbyer proceseve”, tha akademiku Pëllumb Xhufi.

Rrënjët i kishte të ngulura fort në vendlindjen e tij, në Vuthaj të Gucisë, ku kalonte pothuajse çdo verë, sipas Xhufit.

“Shkonte aty për një pastrim të shpirtit. Por shkonte edhe për të qenë prezent në atë vend të mrekullueshëm, i cili po zbrazet nga njerëzit”, tha akademiku Pëllumb Xhufi. A.K./TemA

2 Komente

  1. b
    birazeri nga arnautistani

    allah ekber!

    Përgjigjjuni
    1. F
      Falmur Struga

      Ishte Qielli i kalter shqiptar.Ndoqi me besnikeri te madhe dashurine per Atdheun,gjuhen,traditat ,perparimin e dijes ,rritjen e ndergjegjes se vetem te bashkuar me nje gjuhe me nje qellim ,fitohet liria e mohuar nga armiku shekullor.Ishte nje busulle orientuese qe kurr nuk dinte te gaboj.Edhe pse i lindur i rritur ne roberi,aftesia ,mencuria qe e katakterizonte,e shpetoi nga vdekja e plumbave,torturave rusoserbe....Na la nje mal me keshilla : Atdheu mbi te gjitha,Liria ,Pamvaresia ,ndjekja e porosive te Rilindesve,vellzerve Frasheri,Naum Veqilarxhi,Konstatin Kristoforidhi,Papa Kristo Negovani,te duam Atdheun Flamurin si Ismail Qemali,Isa Boletini,Fazli Grajcevci...te jemi luftetar si trimat e UCK-ese te lavdishme,Komandantin Adem Ashari...ishte frymezues qe inspiroheshte nje komb i tere..Ai iku ne amshim,e la te shprazet karriken e akademise se shkencave,na shksktoj dhimbje te gjitheve ,gati e pa besuar si ndodhi si iku ne amshim njeriu Legjende ,shkencetari ,mendje ndrituri dhe sy pa tremburi.Ai do mbesi i gjalle per krah Gergj Kastriotit ,Mihal Grameno...Isa Buletini,Hasan Prishtina.Komandantit Adem Jashari..Ne keto momente plote dhimbje nje komb i tere solidarizohet ,nje komb i tere vajton...I perjeteshem qofte kujtimi vepra e keti Kolosi Gjigandi te popullit tone.Ditelindjen e keti Profeti do te kemi te shkruar ne shekuj..vetem ditelindje do festojme ,Pishtari i arsimit ,popullit tone.I lehte i qofte dheu i Kosoves martire,ngushellime te gjithe popullit ,familjes ..

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje