Një udhëtim të jashtëzakonshëm përmes skenës, solli performanca teatrale e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kuadër të Javës Kulturore të Arabisë Saudite.
Artistët sauditë sollën një pasqyrë të trashëgimisë së pasur kulturore, e cila përcillet brez pas brezi përmes artit, muzikës dhe traditave popullore. Publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër energjinë dhe emocionet e shfaqjeve tradicionale Daq al-Hab, Al-Heidah, Al-Hand, Al-Fareesa dhe Al-Tanboorah, duke zbuluar një pjesë të rëndësishme të historisë dhe shpirtit kulturor të Arabisë Saudite.
Java Kulturore e Arabisë Saudite vazhdon deri në datën 20 shtator, tek Pallati i Kongreseve, ndërkohë që do të pasohet nga Java Kulturore e Kinës, shkruan atsh.
Java Kulturore Kineze në Tiranë do të zhvillohet në datat 22-26 shtator. Tirana do të mbushet me ngjyra, tinguj, ritme dhe shije nga Kina, duke sjellë një përvojë të veçantë për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës. Për pesë ditë me radhë, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të udhëtojë mes pikturave që pasqyrojnë shpirtin e Kinës, melodive që ndjekin gjurmët e “Rrugës së mëndafshit”, ritmeve plot hijeshi të operës dhe vallëzimit tradicional, si edhe shijeve autentike të kuzhinës kineze, që tregojnë historinë e një kulture mijëravjeçare.
Të gjitha aktivitetet e kësaj jave do të jenë të hapura për publikun.
Lini një Përgjigje