Filmi “Pikë Uji” është rikthyer në Pogradec, këtë herë si pjesë e garës në Festivalin Ballkanik të Filmit, i cili do të zhvillohet për pesë ditë në qytetin liqenor.
Regjisori Robert Budina u shpreh se emocionet e tij janë gjithmonë të veçanta kur vjen në Pogradec, jo vetëm sepse filmi është xhiruar aty, por edhe për faktin që gjithë komuniteti pogradecar ka dhënë kontributin e vet në realizimin e tij.
“Edhe tani që po vija tek Kinemaja, kur ecja në çdo rrugë, shikoja makinat, njerëzit dhe më kujtoheshin ato ditë kur përgatisnin filmin dhe janë ndjesi që nuk shlyen kurrë. Mbase për ju, që jetoni këtu, nuk do të thotë asgjë, por për mua do të thotë shumë sepse ky qytet ndihmoi në mënyrë të padiskutueshme që filmi të jetë ai që është sot”, tha regjisori.
Budina theksoi se “Pikë Uji” ka arritur një sukses të madh, ndërsa paralajmëroi se është duke punuar mbi një projekt të ri kinematografik, i cili i kushtohet figurës së Mehmet Shehut dhe dramës së vetëvrasjes së tij.
“Sigurisht është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, vështirësia është 3-4 fish e çdo gjëje që kam bërë deri më sot, por jemi optimist dhe jemi në një pikë të mirë sepse kemi marrë zhvillim të mira nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe presim përgjigje nga Creative Europe dhe do tentojmë Berlinin, Kanën për projekte në zhvillim”, theksoi Budina.
Publiku pogradecar e ka pritur gjithmonë me dashuri këtë film dhe edhe këtë herë salla u mbush për të ndjekur krijimin artistik që lindi pikërisht në qytetin e tyre. - RTSH-
Lini një Përgjigje