Premiera e “Zemërimit të shkronjave” mbush plot Teatrin e Kukullave, argëtim dhe edukim për fëmijë e prindër

20 Shtator 2025, 11:14Kulturë TEMA
Premiera e “Zemërimit të shkronjave” mbush plot Teatrin e

Pas 40 vitesh, në skenën e Teatrit të Kukullave u rikthye pasditen e sotme shfaqja “Zemërimi i shkronjave”, komedi muzikore e Minerva Kumit, e përshtatur nga regjisori Endri Çela.

Premiera mbushi plot sallën e Teatrit të Kukullave me fëmijë dhe prindër. Fëmijët të emocionuar nga një shfaqje e re me muzikë dhe kukulla, ndërsa një pjesë e të rriturve riktheheshin për të shijuar versionin e ri të një shfaqjeje nga fëmijëria e tyre.

Komedia muzikore jo vetëm përcjell mesazhe për mësimin e gjuhës shqipe, por ka shumë elementë të rinj skenikë që mbërthyen kureshtjen dhe vëmendjen e të vegjëlve.

Duartrokitjet mes pjesëve të shfaqjes, buzëqeshjet që lexoheshin qartë në portretet e vogëlushëve treguan qartë që premiera ia kishte arritur qëllimit.

“Zemërimi i shkronjave” erdhi si  mesazh i bukur se sa e rëndësishme është që gjuha shqipe të flitet dhe të shkruhet saktë ndërsa fëmijët sapo kanë nisur vitin e ri shkollor, ku shqipja është ndër lëndët që me siguri tashmë do të ketë më shumë domethënie.

Melsi Qirici, drejtoresha e Teatrit të Kukullave dhe Qendrës Kombëtare e Kulturës për Fëmijë shprehu emocione ndërsa falënderoi fëmijët, prindërit, gjyshërit dhe të ftuarit e tjerë që kishin mbushur plot sallën pasi biletat ishin shitur të gjitha, shkruan atsh.

Qirici falënderoi aktorët, por edhe bashkëpunëtorët që bënë të mundur finalizimin e këtij projekti të mezipritur nga vogëlushët.

Në premierën “Zemërimi i shkronjave”, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e EUD/UNOPS, pasi shfaqja vjen si një nismë e përbashkët e dy projekteve të mbështetura nga EU4Culture, “Marionetat e Trashëgimisë” dhe “ANNEX Labs”.

Spektatorët më të vegjël u bënë pjesëmarrës në shfaqje me duartrokitje dhe duke kërcyer sipas mënyrës së tyre gjatë momenteve muzikore.

Në qendër të rrëfenjës “Zemërimi i shkronjave” janë Olsi dhe Ini, dy djem që flasin me shkurtime dhe pa kujdes. Ata krenohen se kanë shpikur një shqipe “moderne”, por kjo i zemëron shkronjat, të cilat vendosin të ikin një e nga një prej fjalorit, gjë që i bën djemtë të hasin vështirësi e më pas të kthehen në rrugë të mbarë.

Në këtë shfaqje, interpretuan aktorët Florian Kokona, Ilia Kaçi, Esmeralda Kame, Ermonela Alikaj, Erdit Asllanaj, Jorida Meta dhe Madi Selimi.

“Zemërimi i shkronjave” do të ngjitet sërish në vijim në skenën e Teatrit të Kukullave për të kënaqur vogëlushë të tjerë. 

Lini një Përgjigje