“Më kishin veshun këmishën e bardhë, me të cilën vareshin të dënuemit me vdekje. Të nesërmen herët erdhi roja me më marrë. Kisha duert të lidhun përpara. Kur dola jashtë gjeta dy xhandarë me pushkë në krah. Për habinë time, në vênd qi me më drejtue në vêndin e ekzekutimit xhandarët u kthyen ke ish pallati i Princ Wedit ku qëndronte Esat Pasha.”
Ky episod tregon për një ndër periudhat më dramatike të jetës së Mustafa Merlika- Krujës. I kërcënuar nga Esat Pashë Toptani me burgosjen e meshkujve të familjes, më 21 korrik të 1915-ës, Kruja shkoi me këmbët e tij në burgun e Durrësit, i bindur se e priste më e keqja. Ndëshkuesi u kthye në “bamirës” dhe ia fali jetën, por e dërgoi në mërgim. Vite më vonë, në një ditë dimri të 1943-shit, gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij në Tiranë, Mustafa Kruja e rrëfeu ngjarjen për fëmijët e tij. Më i madhi prej tyre i hodhi këto kujtime në një fletore shënimesh, që për herë të parë vijnë të botuara për lexuesin në librin e ri të Eugjen Merlikës.
Titulluar “Histori e dokumentuar e një jete në shërbim të kombit", ky është vëllimi i parë biografik dedikuar veprimtarisë politike dhe atdhetare të Mustafa Merlika- Krujës, duke zbuluar përmes dokumenteve, letërkëmbimeve, dëshmive dhe botimeve të mëhershme, shumë të thëna e të pathëna për intelektualin e rrallë që e vuri jetën në shërbim të atdheut dhe kombit.
Libri nis me vitet e hershme të jetës, ku autori mbështetet te jetëshkrimi i klerikut katolik shkodran At Donat Kurti, dorëzuar në Institutin e Studimeve Shqiptare. E më tej, Eugjen Merlika ndjek përmes dëshmive rrugëtimin politik të gjyshit të tij, pjesëmarrjen në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, marrëdhëniet me personalitete të kohës si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e Esat Pashë Toptani, kohët e zymta të Revolucionit të Qershorit e deri në mërgimin e opozitës dhe marrjen e pushtetit nga Ahmet Zogu. Mes këtyre ngjarjeve intensive politike, e tillë ishte edhe jeta e Mustafa Krujës, firmëtarit të Pavarësisë që rrezikoi vdekjen, provoi disa mërgime, mbajti poste drejtuese administrative dhe politike, ku më i larti ishte ai i kryeministrit.
“Eugjen Merlika ia doli në një kohë rekord të mbledhë dokumente arkivore të rëndësishme që flasin dhe hedhin dritë, jo vetëm për një figurë si Muatafa Merlika Kruja, por për një periudhë të gjerë kohore. Flasin për një brez të tërë intelektualësh dhe atdhetarësh që historiografia komuniste i ka lënë në dritë-hije”, u shpreh Suadela Balliu, drejtuese e shtëpisë botuese UETPRESS, gjatë promovimit të librit në ambientet e Universiteti Europian të Tiranës ku ishin të pranishëm historianë, studiues, miq dhe familjarë të autorit.
Historiania dhe ish-drejtuesja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, u shpreh e nderuar që konsiderohet mikeshë e familjes pas njohjes në vitet ’90-të me nënën dhe gruan e Eugjen Merlikës, të cilat u paraqitën në institucionin ku ajo punonte pas kthimit nga internimi. Nika vlerësoi kontributin e Mustafa Asim Krujës, siç ai i referohej vetes në disa letërkëmbime, duke theksuar se jeta e këtij patrioti të përbaltur mbeti nga fillimi deri në fund familja dhe atdheu.
“Gjithçka pati, të gjitha energjitë e tij sa jetoi, ishin në dobi të atdheut. U sakrifikua pa asnjë mëdyshje për arritjen e bashkimit kombëtar dhe të shtimit të atdheut tonë krahas familjes së cilës i përkisnim, Evropës, dhe jo Lindjes sllavo-komuniste, për përparimin e kombit duke ndërmarrë dhe një nga nismat më domethënëse, atë të ngritjes së institucionit të parë shkencor në territorin tonë, Institutin e Studimeve Shqiptare.”
“Një historian i mirëfilltë që ka bërë një portret të mrekullueshëm”, u shpreh studiuesi Marçel Hila për punën kërkimore e skrupuloze të autorit, e më tej qëmtimit të dokumenteve të mbledhura nga arkivat. “Eugjeni ka një detyrim familjar ndaj gjyshit të vet, por ia kaluar sepse është në nivelin e historianit të mirëfilltë dhe ka bërë një portret si ato që bëheshin për figurat e antikitetit greko-romak dhe Jul Qezarin."
Hila theksoi se gjatë leximit të librit ka zbuluar tre personazhe: Eugjen Merlikën, Mustafa Merlika-Krujën dhe At Donat Kurtin, klerikun, mësuesin dhe studiuesin e folklorit shqiptar. Referuar figurës së Mustafa Krujës, ai vleresoi sinqeritetin e shprehur në letërkëmbimet e ndryshme, siç është ai dërguar At Paulin Margjokajt më 25 maj 1950, me të cilën autori mbyll vëllimin e ku tregohet dështimi dhe mërgimi i opozitës antizogiste.
Ndër të tjera, ai shkruan: "Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup-se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e Opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924)."
I ardhur nga Italia për promovimin e librit, autori rrëfeu se qëllimi i tij në këtë botim ka qenë pasqyrimi i materialeve të botuara dhe pabotuara që pasqyrojnë jetën politike të Mustafa Krujës, pa bërë ndërhyrje të zgjeruara në interpretimin e tyre dhe duke ia lënë “vërejtjet” përfundimtare lexuesit. Ndryshe nga 19 botimet e tjera të 25 viteve të fundit, që tregojnë veprimtarinë e Mustafa Krujës në fushën gjuhësore, historike, kërkimore, ky vëllim i kushtohet vetëm veprimtarisë politike.
“Kjo ndodh sepse në këtë fushë figura e tij është paraqitur me ngjyrat më të errëta nga historiografia e komunizmit, e zotëruar jo nga objektivizmi, por nga paragjykimet enveriste. Shpresoj që ky libër, pasi të jetë plotësuar edhe me pjesën e dytë nëse Zoti do të më japë jetë dhe mundësi, do të frymëzojë të tjerë studiues për të dhënë fjalën e tyre mbi figurën atdhetare të Mustafa Krujës.”
Në vëllimin e dytë, Eugjen Merlika synon të trajtojë veprimtarinë qeveritare të Mustafa Krujës gjatë vitit kur ai drejtoi vendin si “Kryeministër i Shqipërisë etnike”, periudhë që përbën edhe boshtin kryesor të jetës së tij politike.
TË FALA DHE FALËNDERIMET E MIA PËR KËTË PUNË PATRIOTIKE DHE HUMANISTE, SE CAKAJT EDHE SOT MPREHIN DHËMBËT KUNDËR PERSONIT KOMBËTAR, MUSTAFA MERLIKA KRUJA. SA E DESHTI SHQIPËRINË DHE DESHTI FATI TË BËHETKRYEMINISTRI I SAJ. E CMOJ, E DUA, E ADHUROJ TË MADHËRISHMIN, MUSTAFË KRUJA. SOT, NËN HIJEN E TIJ PUNON NJË DJALOSH ATDHETAR I MIRËFILLTË. QUHET ALBIN KURTI, PANDANI MORAL, POLITIK E KOMBËTAR I TË MADHËRISHMIT - MUSTAFA KRUJA. I PËRJETSHËM NDERI DHE KUJTIMI - PËR TY, O MUSTAFA KRUJA. sHËNDET PAC, VËLLAU EUGJEN!
Vetem ne Albanistan festohet per kuislinget dhe larot e Duces