Poezia e Ilirjan Zhupës, provë rezistence përballë rrjedhës së kohës

26 Nëntor 2022, 11:29Kulturë Fatbardh Rustemi

 

Poezia e Ilirjan Zhupës, provë rezistence përballë
Në kohën e bunkerëve, “kulla e fildisht”, shihej si vend heretikësh, vetëm se kurajozët eksperimentonin në laboratorin e tyre krijues, ndërkohë që nxitej novatorizmi dhe predikoheshin “shtigjet e reja”. Të eksperimentoje në art ishte njësoj si të merreshe me magjira, edhe pse lejoheshin kopshtet eksperimentale në bujqësi apo në të ashtuquajturin “revolucion teknik”. Sa absurde ta mendoje: atdheu yt i izoluar, me kufij të mbyllur hermetikisht dhe ti: akuzoheshe për mbyllje në kullën e firaunit. Në fakt, “kulla e fildisht”, ishte një alibi për demonizimin e shkrimtarëve dhe artistëve, si me qenë një ndërtim pa leje apo “strofka e armikut”. “Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola hipin ata që varen.”-shkruan poeti Ilirian Zhupa në librin “Të gjallët dhe të vdekurit”, ardhur nga një kohë, kur flitej për të pavdekshmit. Në raport me stolin ndaheshin: problematikët dhe konformistët, shpirtërorët dhe të angazhuarit, novatorët dhe anakronikët. Ilirian Zhupa është një poet mbushur me dilema, ku një kohë nuk i mjafton të çlirohet prej tyre, por dhe në një regjim të dytë shpirti i mbetet i trazuar. “Libri ka moshën e tij, por kjo s`është shumë e rëndësishme.”-thotë poeti, nëse brezat ikin dhe ti mbetesh, si përfaqësues i tyre. Të ndjekim dëshminë e tij shprehur në parathënien e librit “Mos më pyesni ku kam qenë”: “Unë hyj në atë grup poetësh që mbetet i etiketuar si “brezi i viteve ’80”, ose siç kanë qejf disa matrikullues të mëvonshëm ta etiketojnë: Brezi i fundit i socrealizmit. Pavarësisht se në atë sistem, unë kam kaluar vetëm 33 vjet, aq sa është koha e kryqëzimit të Krishtit. Ndryshe nga shumë bashkudhëtarë të letrave, unë besoj se jam përpjekur të mbrohem me sa kam mundur nga morsa e metodës socrealiste, ndërkohë që nuk kam dhënë asnjë kontribut në konsolidimin e metodës së re të realizmit demokratik. Në gjyqin e gjatë që i kam bërë në heshtje shoqërisë letrare dhe vetes, mendoj se kur flasim për poezinë, metodat letrare janë ose si bizhutë rrezëllitëse që na rrisin artificialisht shkëlqimin, ose si këpucët e drunjta që na vrasin këmbët e na bëjnë të ecim duke shqepuar.” Nuk ankohet, por as dhe trimërohet me të shkuarën e tij. “Kur vendosa ta ribotoj këtë libër “të socrealizmit” (2016)... një botim totalisht të paprekur, riprodhim të botimit të parë në mënyrë integrale, me pikë e me presje, sikurse është botuar në vitin ’88.” Për librin janë thënë shumë konsiderata, por Zhupa nuk e shoqëron me citime, sepse në çdo rast përballet me lexuesin e sotëm, duke mos ia ndjer nevojën askujt. Vetëm se është kurjoz të dijë: se sa i ri duket një libër “i vjetër”? Kjo është sfida, që i bëhet shekullit të ri, me dëshmitë e së shkuarës, duke mos ia njohur vetes fatin e viktimës. Ilirian Zhupa është nga të paktët poet, në mos i vetmi, që, nuk e ofron prezencën e tij me sasinë e të shkruarit, por me lëmimin e poezive, që me zor të madh i lëshon nga vetja. (Nuk vuan nga mania për t`u dukur, por nga dëshira për të lënë gjurmë.) “U deshën shumë vjet që ta kuptoja atdheun,/Gjerësinë e tij, njerëzit, gjuhën, këngët,/Udhën ku ecet, qëndresën, armiqtë,/Të gjallët dhe të rënët. E megjithëse mësova kaq gjëra, prapë në mendje më mbeti,/ “Atdheu i parë”, zëri i nënës, lojnat, përrallat e gjyshes.” (“Atdheu”) Siç shihet, atdheu është i zhveshur nga dekori socialist dhe, vjen tek e sotmja me vazhdimsinë, që quhet trashëgimi dhe jo me profetë të rremë apo profile fallco. “Gjatë këtij çerek shekulli, libri ka ndenjur në sepete, duke bërë provën e rezistencës përballë rrjedhës së kohës... Ky libër duhet të ishte botuar në vitin 1992, ose mbase në vitin 1993... Në libër janë futur fare pak poezi të reja.” (Është fjala për librin “Të gjallë dhe të vdekur”.) Vetëdija krijuese monitorohet nga një karakter i fortë, ku dobësitë e veta nuk ia faturon kohës, sikurse dhe arritjet nuk ia njeh asaj për nder. “Ditës i rrimë përballë,/Më pak të vdekur, më shumë të gjallë./Natës përgjojmë të heshtur,/Më pak të gjallë, më shumë të vdekur./Vetëm muzgut që tretët dhe agut,/U tregojmë plagët.” Nga sepetja e monizmit për tek vitrinat e pluralizmit, plagët nuk kërkojnë dekorata dhe medalje, por, nëse shërohen lënë shenjë. Po qe se bën një përllogaritje në kohë të poezive të të dy vëllimeve, ato datojnë thuajse në tërësinë e tyrë para vitëve `90-të. Nëse kjo nuk do të shënohej, ti i lexon poezitë si të shkruara sot. Poeti këtë ka synuar: “se sa i ri duket një libër “i vjetër”. Dhe kjo nuk është pak, nëse sjelljet e poetit llogariten si sfidë me kohën. Ai krenohet që është rritur në heshtje. “Dhe unë tashmë kam një strehë tjetër,/Dhe një mijë mënyra për të hyrë në zemër.” Rruga e mëndafshit është më e shkurtër nga rruga për të shkuar në zemrën e tjetrit, akoma dhe më shumë të lexuesit. “Më thërret një pemë! Një zog i ka rënë nga degët,/Duhet të lë çdo punë dhe të shkoj ta ngre.”, duke i marr zogut cicërimën dhe jo fluturimin. (Aristofani poetët deliriozë i përfytyronte mbi re.) “Im atë ka dalë kryejashtë nëpër erë,/Pa kapelën e premtuar që s`ia kam blerë.” Një qortim, ku gjithkush prej nesh gjen veten. Pengjet kur ndodhin, askujt nuk i shkon në mend që kushtojnë kaq shtrenjtë. “Shtegun që ende s`e shkela, e gjej tek balli.”, që i është bërë rrudhë. Vetëm me poetët mund të ndodh, që, tek e tashmja t`i gjejnë vendet e zëna dhe tek e ardhmja i ndesh në rastin më të parë. Ndryshe s`kish si të dilte një varg brilant si ky: “Të humbasësh tek zgavrat dhe të dalësh tek sythet.” I mësuar të jetojë përmes kontrastit; të gjallë e të vdekur, duke mos i dhënë llogari askujt se ku shkon, ai ka intimitetet që e tërheqin në vallen e dritave: “Ti je një zjarr që më ngroh, e më thek e më djeg,/Sa herë që të shoh e sa herë që të prek./Fëshfërimë e hollë ajri që më flet, e më fton e më zbon,/Sa herë fikem shpejt dhe sa herë ndizem vonë.” Pasi jeton gjatë me të kundërtat, do mbes pengu i një dileme: “Të gjallët janë njerëzit e mi, të vdekurit janë njerëzit e mi./Me kë të shkoj? Po rri pak sa të qetësoj të gjallët.”
Nisur nga shumë raste, më është forcuar bindja se perëndia i vë në provë poetët, duke u hedhur së pari dikujt delirin, një tjetri mitomaninë dhe, kush i reziston joshjes së sirenave fiton të drejtën për t`iu drejtuar muzës, sa herë që e ndjen të nevojshme praninë e saj. “Pak e nga pak do shkoj atje i pafaj që gjërat nuk i bëra dot mirë.”-rrëfehet ai, duke iu drejtuar vetes, duke mos e njohur shfajsimin; jo diktatura, jo realizmi socialist, jo s`më lanë apo ma trëmbën frymëzimin?! “Sikur të kisha fjetur në rregull pas perëndimit të diellit,/Sikur të kisha ndenjur në vendlindje më afër qiellit;/Sikur të isha zgjuar nën dritën me vesë të agut,/Sikur të kisha ndjekur thirrjen e vjetër të gjakut;/Sikur mos të mbushja mushkritë me blozë miniere,/Sikur mos të ulja qafën nën telvig karriere;/Sikur mos të kisha bërë miq sekserë e politikanë,/Sikur mos të isha helmuar nga premtimet kallpe që dhanë;/Sikur mos të kisha pirë alkoolin në trishtime dhe dasma,/Sikur mos të isha tunduar nga dashuritë e gjasmëta;/Sikur mos t’i lodhja sytë me libra kaq shumë sa i lodha,/Sikur mos të isha djegur nga dhimbjet për ata që përcolla;/Sikur të nderoja pasurinë siç nderon gjethet pema,/Sikur të mbushja shtëpinë me paret e blerta, të allta, të verdha;/Sikur të çfarosja pyjet për të gëzuar qejfet më mirë,/Sikur të thosha është ditë edhe kur ish errësirë;/Sikur të kisha në shtëpi jo hartë Shqipërie, po vetëm sepete,/Sikur një copë lumi, deti e toke t’i vidhja për vete;/Sikur të mos tymosja duhanin kaq shumë nga trishtimi,/Sikur të isha apostull hileje, kurvërie, harbimi.../Mbase do kisha patur një fat të artë.../Po unë jam dhe do të jem gabimi/Edhe sikur të lindja prapë...” Ilirian Zhupa është një poetë i kohës së diktaturës, ku s`ka përfituar asgjë nga liria e kohës së demokracisë në madhnimin e vetes, ku më së shumti ka heshtur, i bindur se ajo që ka krijuar nuk do e turpërojë në kohën e re. Sfida me kohën do këllqe, karakter, por mbi të gjitha art, që atij nuk i mungon.

Lini një Përgjigje