Punëtorë dhe lojtarë

22 Maj 2026, 20:08Kulturë Ardian Vehbiu

Tensioni konceptual mes shahut dhe bixhozit, si metafora sociologjike, vjen ngaqë shahu është meritokratik nga natyra, dhe i lë pak hapësirë vetive levantine të karakterit të tilla si dinakëria, mashtrimi, dredhia, miklimi; kërkon më shumë mençuri sesa zgjuarsi; dhe në nivele të larta askush nuk mund të mbijetojë pa punë titanike. Përkundrazi, bixhozi është terreni i preferuar i të gjithë atyre që shpresojnë se Zoti (ose Djalli) ua mban mend emrat, njëlloj si Skënderbeu ushtarëve të gardës së vet pretoriane. Ndoshta për këtë arsye shahu ndonjëherë i çon viktimat e veta drejt katastrofës mendore, psikozës, shpërbërjes intelektuale ose djegies së membranave të trurit; ndërsa bixhozi shkakton drama të një lloji tjetër, me borxhe të papagueshme, burgje, rrahje dhe ekzekutime mafioze, arratisje nga vetvetja, braktisje të botës, vetëvrasje.

Më pat bërë përshtypje dikur një artikull në revistën Harper’s ku autori i ndante njerëzit në përgjithësi në dy grupe: në punëtorë dhe në lojtarë (Garret Keizer, “Crap Shoot: Everyone Loses When Politics Is a Game,” Harper’s Magazine February 2006; me autorin që precizonte se ndarja në punëtorë dhe në lojtarë i ishte sugjeruar nga John Ruskin). Ideja aty në vija të trasha ishte se punëtorët krijojnë pasurinë nëpërmjet punës së mirëfilltë ose transformimit të materies dhe të informacionit, ndërsa lojtarët pasurohen duke “luajtur” me pasurinë e krijuar prej punëtorëve. Dallimi mes të parëve dhe të dytëve, shpjegonte Keizer, është se lojtarët përnjimend kujtojnë se “jeta është lojë” (gjithë duke besuar, do të shtoja unë, se “loja është punë”). Keizer gjithashtu mendonte se dekadenca e sotme e Amerikës kishte të bënte, në thelb, me pakësimin e pandalshëm të punëtorëve, përkundrejt shtimit eksponencial të lojtarëve – jo vetëm njerëz, por edhe kompani e institucione. Në nivelin e thjeshtë, plebeas e proletar, lojtarët janë ata që shpresojnë në biletat e llotarisë; në nivelin e lartë, lojtarët i sheh të grumbulluar në Wall Street, si milingonat rreth një njolle sherbeti.

Për fat të keq, fundi i regjimit totalitar në Shqipëri përkoi – dhe jo rastësisht – me një periudhë të historisë botërore të karakterizuar nga triumfi i lojtarëve, i spekulatorëve, i tregtarëve të tymit dhe të shashkave. Flluskat e njëpasnjëshme të tregjeve financiare, që nga ajo e dot.com-eve në fund të viteve 1990, tek ajo e hipotekave të shtëpive në 2008-ën dhe tani e AI-ve, kanë çuar në rishpërndarje drastike të pasurive anembanë globit. Një gjë duket tashmë qartë – që shtresa e mesme kudo në Perëndim vjen duke u dobësuar ekonomikisht dhe kulturorisht, teksa një grusht oligarkësh dhe korporatash i kanë të gjitha mundësitë për të kontrolluar proceset politike kudo ku u intereson, duke filluar nga Shtëpia e Bardhë (jo më kot kemi një tycoon President të SHBA); dhe pastaj e nëpërmjet qendrave të pushtetit, edhe publikun anembanë.

Modelet e kapitalizmit janë të ndryshme, por modeli i adoptuar në Shqipëri duket nga më të shëmtuarit; nga ana tjetër, edhe tregjet kanë nevojë për një farë etike që të funksionojnë, ndërsa ndër shqiptarët ka triumfuar modeli i kapitalistit mafioz, mishërim i antivirtytit, që e ndërton prestigjin mbi pamundësinë e të tjerëve për të qenë po aq të paskrupullt, të pamëshirshëm, të dëshpëruar në përpjekjet e tyre për të dalë në majë.

Me fjalë të tjera, kapitalizmi sot në Shqipëri mund të përkufizohej – në mënyrë cinike – edhe si ‘arti për të shitur motrën.’ Natyrisht, edhe ky është njëfarë kapitalizmi, por jo i vetmi, as më i sigurti për të pasur sukses, as më i favorshmi për shoqërinë shqiptare dhe shtetin shqiptar. Shqipëria sot ka përfunduar në duar të lojtarëve, ose të bixhozçinjve politikë, të cilët nuk pasurohen në mënyrë tregtare ose nëpërmjet shitblerjeve dhe mbivlerës, por duke vjedhur njëri-tjetrin, botën dhe pasurinë publike që ka mbetur pa u shkatërruar prej së kaluarës, tokat dhe pasuritë natyrore të vendit, grykësinë e kolegëve të tyre bixhozçinj nga vende të tjera, çmimet monopole, ose thjesht nëpërmjet shantazheve të ndryshme. Mediat shqiptare i bëjnë propagandë të hapur e të shfrenuar këtij modeli të shqiptarit lojtar, ose të bixhozçiut që rrezikon gjithçka në tryezë të kumarit për të fituar milionat brenda një nate të vetme, duke e braktisur krejt modelin e njeriut punëtor, që krijon vlera jo nëpërmjet shkëmbimit, por duke materializuar shtysat dhe energjitë e veta shpirtërore. Ndryshe nga vende të tjera, ku ky triumf i vonë i modeleve piramidale të kapitalizmit spekulues ende kundërpeshohet nga institucione dhe struktura të shoqërisë civile, në Shqipëri shëmtia nuk ka gjetur dot konkurrencë, por është harlisur duke u imponuar si e vetmja alternativë ndaj diktaturës, komunizmit dhe pronës kolektive – aq sa prej disave edhe kjo kritikë do të lexohet si “komuniste”. Pak vite më parë, histeria masive e bixhozit si alternativë “kapitaliste” ndaj punës desh e rrokullisi vendin në humnerë (ose ndoshta e rrokullisi vërtet).

Shahu, si lojë, nuk është aq i rëndësishëm në vetvete, sesa si metaforë për një model të caktuar të progresit njerëzor, ku djallëzia, dinakëria, hileja dhe parazitizmi nuk është se ndalohen me ligj ose me anë normash etike, por thjesht nuk shërbejnë shumë; sepse në atë lojë e vërteta ka gjithnjë përparësi ndaj perdeve të tymit, dhe askush nuk mund të shpresojë ta fitojë lojën duke vjedhur një torre nga skakiera gjatë kohës që kundërshtari nuk e ka mendjen, ose është duke u falur; dhe as duke i dhënë rryshfet gjyqtarit a duke fituar një tender për të pasur përballë kundërshtar të dobët. Tkurja e traditave morale të kësaj loje është simptomë sado simbolike e perëndimit të një mendësie ose botëkuptimi për të cilin Shqipëria, në të vërtetë, duhej të ndiente nevojë të ngutshme; sa kohë që bixhozi mund të pasurojë një grusht individësh, por jo të zhvillojë e të konsolidojë shtetin që këtyre individëve u ofrojnë të gjitha privilegjet e ligjshmërisë publike. Ashtu ka marrë tatëpjetën edhe kujdesi për artin, letërsinë, jetën artistike, botimet, artistët, filmat, kinematë, teatrot, parqet publike, sportin, shkencën, librin, punën krijuese, dhe gjithçka tjetër që normalisht e bën njeriun të jetë krenar me punën (djersën) e vet, ose edhe thjesht të shijojë e të admirojë punën e dikujt tjetër (jo më kot sot njerëzit ndihen “krenarë” për simbole pak a shumë abstrakte, si shqiponja). Kush do ta kish marrë vallë me mend se vetëm njëzet vjet pas vigjiljes së madhe në fund të viteve 1980, elitat e shqiptarëve si kryepriftërinj të post-kapitalizmit do të kujdeseshin vetëm për perfeksionimin e instinkteve të tyre për bixhoz?

Ideja e artikullit të Harper’s ishte se punëtorët krijojnë pasurinë nëpërmjet punës së mirëfilltë ose transformimit të materies dhe të informacionit, ndërsa lojtarët pasuroheshin duke luajtur me pasurinë e krijuar prej punëtorëve. Një herë e një kohë, i njëjti koncept ekzistonte në trajtën e porosisë popullore: “duhet ta dredhësh”, në versione të ndryshme; edhe sot, njëlloj si atëherë, aftësia për të qenë dinak, i djallëzuar, dyfytyrësh, sipërfaqësor, gënjeshtar, servil me eprorët dhe bully me vartësit, bullshitter dhe miklues vjen e riderdhur në trajtat gënjyese të një virtyti social; pa çka se Shqipëria – sikurse e dimë – ka mbetur në bisht edhe falë këtyre zotësive të papara të klasave të saj drejtuese, që nga Pavarësia e deri më sot.

Kjo ndarje mes punëtorëve dhe lojtarëve të sjell ndërmend edhe një dallim të mirënjohur, mes pëllumbave dhe fajkonjve (doves and hawks), që e ndesh në sociologji dhe në teorinë e lojërave; ka ngjashmëri mes tyre, por edhe diferenca – dhe mes këtyre të fundit, ndoshta ngaqë ndryshe prej fajkonjve, të cilët e dinë që janë fajkonj dhe janë të vetëdijshëm për rolin e tyre në ekonominë e marrëdhënieve brenda komunitetit, lojtarët duan që natyrën e tyre intime ta shesin si epërsi morale ose virtyt; çfarë do të ishte e ngjashme me, të themi, një hijenë që të mburret se ushqehet me kërma.

Por këta lojtarë, me të cilët janë mbushur institucionet, OJQ-të dhe mediat në Tiranë, ndoshta meritojnë të quhen kështu vetëm ngaqë dinë “ta luajnë bishtin”; por jo ngaqë sjellja e tyre dhe qasja e tyre ndaj kompleksitetit social ka ndonjë gjë të përbashkët me lojën. Në fakt, edhe pse lojën nuk është e lehtë ta përkufizosh, disa nga lojërat më përfaqësuese, përfshi këtu jo vetëm shahun por edhe pokerin, janë të tilla, lojëra, dhe mund të luhen ngaqë bazohen në rregulla; në një kohë që lojtarët në Tiranë veç për rregulla nuk pyesin, me përjashtim të kodeve që rregullojnë marrëdhëniet intime brenda grupeve ku militojnë.

Prostitutë, do të ishte kushedi termi i përshtatshëm; por nuk po dua të fyej prostitutat e mirëfillta, të cilat – në raport me ndarjen e mësipërme në punëtorë dhe lojtarë – i përkasin pa dyshim grupit të parë.

(c) 2008-2015-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje