“Albania International Guitar Festival” mbërrin në edicionin e tij të 10-të, si një nga ngjarjet më prestigjioze artistike në vend.
Edicioni i këtij viti do të çelet nga kitaristi i famshëm gjerman, Goran Krivokapic me një performancë të jashtëzakonshme, në sallën “Tonin Harapi” (22 maj). Goran Krivokapić është fitues i disa prej konkurseve më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë “Michele Pittaluga” në Alessandria, Itali, “Andrés Segovia” në La Herradura, Spanjë, Koblenz International Guitar Competition, si dhe Guitar Foundation of America – GFA.
Si interpretues, ai është i ftuar rregullisht në festivale të rëndësishme ndërkombëtare si Festspiele Mecklenburg-Vorpommern, Festival Internacional de Música y Danza de Granada, Kotor Art, Koblenz International Guitar Festival, Forum Gitarre Wien, Iserlohn International Guitar Festival, GFA International Guitar Convention, Guitar Art Festival, Shenyang Guitar Festival dhe shumë të tjera.
Pas një karriere të pasur pedagogjike në institucione të rëndësishme evropiane, ai aktualisht jep mësim në Detmold University of Music dhe është profesor i kitarës në The Cologne University of Music and Dance në Gjermani.
Ky koncert hap zyrtarisht edicionin jubilar të 10-të të festivalit dhe realizohet në partneritet me Ambasadën e Gjermanisë në Shqipëri, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Tiranë etj. A.K./TemA
Lini një Përgjigje