Qeni që leh

2 Prill 2025, 19:44Kulturë Ardian Vehbiu

Te “Il Cimitero di Praga” i Umberto Eco-s, protagonisti dinak dhe intrigant Simonini hyn në bisedë me një agjent të policisë sekrete cariste, Rachkovskij-n (“più simile a un ghepardo, che a un leone”), dhe ky i jep disa sqarime, pse duhet kultivuar ideja e “armikut” në një shoqëri të shëndetshme.

Popullit rus i duhet një armik, i thotë, në mënyrë që të mos i kthehet kundër carit, dhe armikun është e kotë që të shkosh e ta kërkosh mes mongolëve a mes tartarëve, siç bënin autokratët dikur… Armikun, për ta njohur e për ta pasur frikë, duhet ta kesh në shtëpi, ose te pragu i shtëpisë. […] Na duhet armiku, për t’i dhënë popullit shpresë. Dikush pat thënë, vazhdon Rachkovskij, se patriotizmi është streha e fundit e maskarait: kush nuk ka parime morale mbështillet zakonisht me një flamur, dhe bastardët gjithnjë i referohen pastërtisë së racës së tyre. Identiteti kombëtar është burimi i fundit i rrënjëdalëve.

Tani, ndjesia e identitetit themelohet mbi urrejtjen, urrejtjen për kë nuk është identik, shpjegon Rachkovskij. Prandaj urrejtja duhet kultivuar si pasion civil. Armiku është miku i popujve. Gjithnjë duhet urryer dikush, që të ndihemi të përligjur në mjerimin tonë. Urrejtja është pasioni i vërtetë primordial. Përkundrazi, dashuria është diçka anormale. Prandaj e vranë edhe Krishtin, fliste kundër natyrës. Nuk mund të duash dikë gjithë jetën, nga kjo shpresë e parealizueshme lindin adulteri, nënëvrasja, tradhtimi i mikut… Por është e mundur që të urresh dikë gjithë jetën. Mjaft që të jetë gjithnjë atje, që të na e mbajë ndezur urrejtjen. Urrejtja të ngroh zemrën. Kështu përfundon Rachkovskij.

Te ky pasazh Eco-ja përpunon dinamikën e antisemitizmit modern, por logjika e tij shkon më tutje se antisemitizmi. Armiku, duket sikur na thotë, “na” duhet për të mbajtur gjallë urrejtjen, që e garanton kohezionin social më mirë se një pasion pozitiv si dashuria. Disa njerëz ndihen mirë në luftë, sepse në luftë armiku është haptazi i pranishëm, në anën tjetër të vijës së frontit. Më e vështirë është ta sjellësh atje ku nuk pikaset dot vetvetiu, për shembull në politikë, ku ka interes që kundërshtari të shndërrohet në armik, për t’u kundërshtuar më lehtë.

Në totalitarizëm armiku është prani e kudoshme, por e padukshme: armiku punon kundër nesh, komploton, përgjon; ka armik të kombit, armik të popullit, armik të klasës – ka edhe nga ata që, pa e kuptuar, bëjnë punën e armikut. Ndodh edhe që t’i kthehen dikujt dhe t’i thonë: ti je armik; ose edhe më keq, ti je armiku. Kur ndodhte që ndonjë i madh të binte nga fiku, bashkëpunëtorëve dhe vartësve të tij u duhej të trajnonin gjuhën, për të kaluar nga shoku tek armiku: nga shoku Mehmet, tek armiku Mehmet Shehu. Ndodhte që ndonjëri edhe gabonte, dhe përdorte ndajshtimin e vjetër – por Partia ia falte.

Njëlloj si Rachkovskij i Eco-s, edhe në Shqipërinë e Hoxhës na mësonin se armiku më i rrezikshëm ishte ai që kishim mes nesh: armiku në kokë të shtetit, në gjirin e partisë, në radhët tona. Ai armik që ishte njëherazi edhe tradhtar – që kish qenë me ne, por pastaj kish ndërruar kauzën: të tillë ishin jo vetëm anëtarët e grupeve armiqësore që zbulonte Enveri, por edhe revizionistët modernë, nga Titoja te Hrushovi dhe, në fund, Maoja. Te një totalitarizëm tjetër, ai i Duce-s në Itali, ishte popullarizuar parulla: “Taci, il nemico ti ascolta.” Për të dëgjuar, ky armik duhej të mbetej i padukshëm. Përndryshe, armiku më i rrezikshëm ishte ai që harrohej.

Shteti kish strukturat e veta për t’u marrë me armikun – nga policia te shërbimet e fshehta, zbulimi dhe kundërzbulimi, dhe më në fund tek ushtria. Por arma kryesore për të luftuar armikun ishte vigjilenca: gatishmëria e gjithkujt për ta pikasur armikun. Vigjilenca e kthente çdo qytetar në agjent të papaguar të shërbimeve informative, me kusht që ky të ish trajnuar me instrumentet standard të propagandës. Me zellin e vet, qytetari “vigjilent” nuk i shërbente aq luftës kundër armikut – praktikisht gjithnjë abstrakt dhe inekzistent – sa riprodhimit të ndarjes mes nesh dhe atyre, mes këtej dhe andej; me fjalë të tjera, kufirit që regjimi kërkonte të mbante në këmbë dhe aktiv, në të gjitha mendjet.

Më doli këto ditë përpara një vjershë e poetit italian Trilussa, i njohur për satirat që ka shkruar në dialektin e Romës. Po e sjell këtu më poshtë:

Er nemico

Un cane lupo, ch’era stato messo
De guardia a li cancelli d’una villa,
tutta la notte stava a fa bubbù.
Perfino se la strada era tranquilla
E nun passava un’anima: lo stesso!
Nù la finiva più!

Una cagnola d’un villino accosto
Je chiese:- Ma perché sveji la gente
E dai l’allarme quanno nun c’è gnente?-
Dice:- Lo faccio pé nun perde er posto-
Del resto, cara mia,
spesso er nemmico è l’ombra che se crea pè conservà un’idea:
nun c’è mica bisogna che ci sia.

Dhe meqë Trilussa-n e kisha parë të përkthyer në Facebook, herë pas here, nga Adela Kolea, e pyeta se mos – kushedi – ajo e kish sjellë në shqip edhe “Armikun”. Kisha qenë me fat. Adela e përkthen Trilussa-n në dialektin qytetar tirons, një zgjedhje që e gjetur, që përkon edhe me natyrën dialektore të origjinalit.

Nji qen ujk, qi e kishin vu
si roje mrena heknave t'nji vile,
gjth notën e notës lefte hum - hum,
ene kur rrugica ishte n'qetsi
e aty s'kalojte shpirt robi: ai po njisoj.
Tu lef s'kishte t'marum!

Nji kone, e nji vile aty afër, e pyt:
Po pse mër ti e zgjo dynjon
e jep alarm, ene kur asnji qetër s’bzon?
Thotë: po una e boj sa për me rujt venin mi,
masanej, fort e dashtuna teme,
anmiku osht menebare, hija qi ai vet e sajon,
e për me ia rujt nji mejtim sagllom:
S'ka nevoj q’ai, hazër, t’ekzistoj!

Një qen i madh, që leh kot, për të ruajtur pozicionin që ka, si roje; pozicion i privilegjuar, që përligjet vetëm me ekzistencën e kusarit, të ligut, armikut – në vjershën ezopiane të Trilussa-s, ky personazh përfaqëson pushtetin. Pushteti leh, për t’i treguar qytetarit sa i nevojshëm është, që ta mbrojë ndaj armikut. Paçka se ky qytetar sheh qenin dhe ia dëgjon të lehurit, por armikun as e dëgjon as e sheh gjëkundi. Në thelb, ky armik, me të cilin alarmohet qeni, ekziston vetëm brenda të lehurit, në kuptimin që, për të ruajtur vendin e punës si roje, qeni nuk mund veçse ta krijojë armikun orë e çast, duke lehur. Qytetari që e dëgjon këtë, beson se qeni është duke e mbrojtur nga armiku.

Populli thotë: qeni që leh, nuk kafshon. Ose: qentë le të lehin, karvani shkon përpara. Ose: qeni leh aty ku ha. Por qeni lehka edhe për të ruajtur vendin e punës.

Njeriu që fillon të lehë, kalon nga biseda te qortimi, urdhri, poshtërimi, imponimi i nënshtrimit të tjetrit, zakonisht duke e ngritur zërin. Tjetri këtu nuk pritet që të përgjigjet, por thjesht të bindet a të nënshtrohet. Në fakt, të lehurit është gjithnjë armiqësor, aq sa madje mund të thuhet se e krijon “armikun” brenda një situate komunikimi, duke mbajtur në këmbë një marrëdhënie hostile.

Të krahasohet kjo me mjaullimën e maces, të cilën metaforikisht ia bashkëlidhim ankesës; kakarisjen e pulës, e cila përshkruan edhe dërdëllitjen; dhe pëllitjen e lopës, që mund t’i mërzitë të tjerët, por pa krijuar demos tension dhe armiqësi. Si shumë gjuhë të tjera, shqipja thur rreth qenit një fushë semantike të frikësimit e të kërcënimit të tjetrit, brenda një konteksti të zbatimit të rregullit e të rendit, që mund të marrë edhe formën e zbatimit të ligjit dhe ushtrimit të pushtetit. Ka paralele të forta, mes punës që bën qeni i stanit, me bagëtinë, dhe punës së organeve të ruajtjes së rendit, që zbatojnë ligjin ndaj qytetarit; paçka se kjo mjeshtëri përkthehet pa shumë zor në misionin e ruajtjes së pushtetit (që nuk është e njëjta gjë me rendin).

Qeni që leh edhe kafshon; kafshimi është dhuna e qenit, edhe pse arsyeja e qenit, si vegël e ruajtjes së pronës a të personit, nuk është të kafshojë dhe të dhunojë tjetrin, por vetëm ta kërcënojë dhunën, nëpërmjet thjesht pranisë, por edhe hungërrimës dhe, natyrisht, të lehurit. Ndoshta edhe evolucioni natyror na ka kushtëzuar që këtë të lehur ta perceptojmë, vetvetiu, si më kërcënues edhe se vetë kafshimin. Prandaj metafora e qenit që leh si mishërim i pushtetit e ka fituar garën me metaforat e tjera; dhe konkurron fort me metaforën tjetër, paralele, të qenit si mishërim të virtytit të besnikërisë. Qeni është kafshë besnike, pat shkruar Zylo Kamberi: pse zemërohemi kur na quajnë qen? Ndoshta ngaqë besnikërinë e shoqërojmë mendërisht me nënshtrimin – por kjo është temë për një përsiatje tjetër.

© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Flux 1.1. Botohet me leje te TemA.

1 Komente

  1. S
    Shoku Copy

    Kryevepër. Thank you, Ardian!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje