Realizmi magjik ne poezinë shqipe.
KRYQËZIMI I KRISHTIT SIPAS NIKO KACALIDHËS
Nga Timo Mërkuri
Te poetët modernë shqiptarë, realizmi magjik shfaqet si ndërhyrje e përkohshme drite, si një fashë drite që ndriçon relievin poetik. Me një dritësim të theksuar në qendër dhe më të holluar në anë. Ose mund të shfaqet si një rreze lazeri që përshkon relievin poetik dhe ndalet diku: si një figurë mbi një varg, mbi një çast të veçantë në terrenin e poezisë. Mund të shfaqet edhe si një këmbanë qiellore që mbulon për pak hapësirën poetike dhe më pas tërhiqet. Në të gjitha këto raste kjo dritë është e dallueshme, e veçuar, dhe pikërisht për këtë arsye bie menjëherë në sy.
Te Niko Kacalidha ndodh diçka krejt tjetër. Realizmi magjik nuk vjen si rreze, por si hapësirë e tërë. Ai nuk ndriçon një pikë të caktuar, por mbulon gjithçka. Poezia e tij të jep ndjesinë e një anijeje që lundron në det, pranë brigjeve, në një mbrëmje pranvere. Dritat e qytetit, e yjeve dhe e hënës bien në ujë, dhe valëzojnë mbi valë. Humbet kufiri mes dritës dhe ujit. Nuk e di më ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra. Madje dhe vetë anija duket si një dritë që lundron mbi drita.
Kjo anije nuk është fantazmë e vetmuar. Ajo është e bardhë, shumëkatëshe, e ndriçuar si në festë. Brenda saj ka zëra, ka kujtime, ka ritme jete. Ka familje, histori, besim dhe dhimbje që nuk fshihen, por ndriçojnë. Sikur të mos mjaftonte kjo nga kuverta e saj hidhen fishekzjarre si për festë: imazhe të forta, shenja besimi, shpërthime dhimbjeje që ndriçojnë qiellin pa e thyer qetësinë e lundrimit. Asgjë nuk mbetet jashtë kësaj drite: as e shenjta, as e përditshmja, as historia, as trungu familjar.
Kështu, te Kacalidha, realizmi magjik nuk është zbukurim, as teknikë e veçuar moderne poetike. Ai është vetë mënyra se si poezia merr frymë. Në këtë kuptim, poetika e tij shënon një risi të dukshme në poezinë shqipe, ku realizmi magjik zakonisht është shfaqur si episod, si ndriçim i përkohshëm ose si efekt figurativ i izoluar. Te Kacalidha, ai shndërrohet në gjendje të qëndrueshme të vargut, në hapësirë të plotë përjetimi, ku realja dhe e mbinatyrshmja nuk alternohen, por bashkëjetojnë pa kufij. Çdo varg lundron mbi dritë. Çdo figurë ndriçon nga brenda. Lexuesi nuk përballet me një çast magjik të izoluar, por hyn në një botë ku magjia është bërë gjendje e natyrshme e jetës, e kujtesës dhe e besimit njerëzor. Pikërisht në këtë dritë të pandërprerë duhet lexuar edhe poezia “Krishti u kryqëzua në Leshnicë”, ku e shenjta dhe e përditshmja nuk ndahen, por bashkëjetojnë si uji dhe drita në një lundrim të qetë.
I-Titulli “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” dhe shënimi “Sipas Ungjillit të gjyshes sime” janë porta hyrëse e gjithë poezisë. Para se të lexojmë vargjet, këtu përballemi me një zhvendosjeje të madhe simbolike: nga Golgota biblike në një hapësirë konkrete shqiptare, nga Ungjilli kanonik në një ungjill familjar, të thënë me zë gruaje në fëmijërinw e poetit. Pikërisht në këtë zhvendosje takohen realizmi magjik, modernizmi dhe një ndjeshmëri postmoderne që nuk e mohon traditën, por e rishkruan nga brenda jetës.
A.“Krishti u kryqëzua në Leshnicë”: biblikja, realja dhe realizmi magjik në një fjali të vetme
Vargu “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” është një fjali e thjeshtë në formë, por me një dendësi kuptimore të jashtëzakonshme. Në të, poeti bashkon tre plane që zakonisht qëndrojnë të ndara: planin biblik, planin e reales historike dhe planin e realizmit magjik. Kjo ndërthurje nuk bëhet me zhurmë, por me një qetësi që e bën pohimin të duket i natyrshëm.
1.Në planin biblik, kryqëzimi i Krishtit është një ngjarje e pandryshueshme, e vendosur në Golgotë, në një hapësirë të thatë, shkëmbore, të quajtur “Kafka”. Kjo është hapësira e sakrificës së vetme dhe universale. Por poeti nuk e mohon këtë të vërtetë. Ai nuk e zëvendëson Golgotën; ai e zhvendos kuptimin e saj. Golgota, në këtë varg, nuk është më vetëm një vend historik, por një gjendje njerëzore që mund të përsëritet.
2.Në planin realist, Leshnica nuk është mit. Është vend konkret, me ujë e gjelbërim, njerëz, histori. Pikërisht këtu ndodh përplasja kuptimore: një ngjarje biblike e largët vendoset në një hapësirë të njohur, të përditshme. Kjo nuk është rastësi. Poeti sugjeron se vuajtja që përfaqëson kryqëzimi nuk i përket vetëm historisë së shenjtë, por edhe historisë sonë. Në këtë lexim, Krishti bëhet figurë e atyre njerëzve të Leshnicës që u kryqëzuan simbolikisht nga monizmi: burrat e dënuar, të përndjekur, të heshtur, të mbajtur nën peshën e fajit që nuk ishte faj.
Në këtë varg, Krishti nuk është vetëm figura e shenjtë e Ungjillit, por edhe njeriu i zakonshëm që mban kryqin e padrejtësisë historike, një kryq konkret që lidhet me fatin e banorëve të Leshnicës, të cilët, pavarësisht se gjatë Luftës së Dytë Botërore vendi i tyre ishte qendër partizane me spitalin partizan të rajonit jugor dhe me mjekë e intelektualë që dolën nga kjo zonë, u përndoqën dhe u ndëshkuan më pas nga monizmi, duke e kthyer kështu kontributin e tyre në një ironi të dhimbshme historike, ku ata që kishin besuar në një ideal çlirimtar u gjetën nën peshën e fajit që nuk ishte faj.
3.Këtu hyn realizmi magjik. Ai nuk e shpjegon këtë barazim, nuk e vë në thonjëza, nuk e shpall metaforë. Ai e thotë drejtpërdrejt, si fakt: “Krishti u kryqëzua në Leshnicë.” E pamundura historikisht bëhet e mundur poetikisht, sepse përfaqëson një të vërtetë më të thellë se faktet. Biblikja dhe realja bashkëjetojnë pa konflikt, ashtu si në realizmin magjik amerikanolatin, ku e jashtëzakonshmja është pjesë organike e përditshmërisë.
Te Kacalidha, realizmi magjik nuk është vetëm teknikë; ai është etikë poetike. Vuajtja nuk ndodh në një hapësirë abstrakte, por në mes të jetës, mes gjelbërimit dhe ujit që rrjedh. Leshnica, ndryshe nga Golgota, është vend i jetës. Është një vend banimi me shtëpi e oborre, me gjelbërim të dendur, me pemë frutore dhe pyje përreth, me ujë që rrjedh dhe ushqen jetën. Është një hapësirë ku bashkëjetojnë njerëzit me kafshët shtëpiake e të egra, ku besimi është i dukshëm në praninë e shtatëmbëdhjetë kishave dhe dy manastireve, dhe ku jeta kulturore e shoqërore është formuar nga njerëz punëtorë, nga shkolla e mesme, nga intelektualë të arsimuar në universitete. Dhe kjo mbivendosje ndodh pa konflikt, pa shpjegim, pa polemikë. Krishti biblik dhe njeriu real i Leshnicës bashkëjetojnë në të njëjtën figurë poetike, jo si alegori e shpallur, por si përvojë e jetuar. Kjo është shenja më e qartë e realizmit magjik: bashkëjetesa e biblikes dhe reales në një fjali që nuk kërkon të provohet, por të përjetohet.
4.Risia poetike e kësaj pjese qëndron në kthimin e kryqëzimit nga mit i largët fetar në përvojë të jetuar njerëzore, ku lokalja bëhet universale dhe e shenjta bashkëjeton natyrshëm me historinë reale.
Kështu, “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” nuk është vetëm titull poezie. Është një portë ku lexuesi kupton se ajo që do të vijë më pas nuk do të lexohet as si histori e shenjtë, as si kronikë politike, por si një e vërtetë poetike, ku besimi, kujtesa dhe vuajtja njerëzore janë bërë një e vetme.
B. Një ungjill i vogël, njerëzor, që përcakton gjithë strukturën e poezisë: “Sipas Ungjillit të gjyshes sime”
1. Leximi realist:
Nëntitulli “Sipas Ungjillit të gjyshes sime” e zhvendos lexuesin menjëherë nga hapësira e madhe biblike në një hapësirë intime dhe familjare. Ky zhvendosje ul tonin pas pohimit tronditës të titullit dhe kthen rrëfimin në një zë të butë, pothuaj shtëpiak, duke treguar se ajo që do të vijë nuk buron nga libri zyrtar, por nga kujtesa e jetuar. Fjala “Ungjill” mbart autoritetin e saj të shenjtë, por duke u lidhur me “gjyshen time”, e afron këtë autoritet te përvoja njerëzore konkrete dhe te memorja familjare.
2. Leximi modernist:
Modernizmi shfaqet në zhvendosjen e qendrës së kuptimit nga teksti i pandryshueshëm te subjekti që e përjeton dhe e transmeton besimin. Në këtë rast, vëmendja nuk është më tek autoriteti i fiksuar i tekstit, por te eksperienca e gjyshes si bartëse e së shenjtës. Kjo është një qasje thelbësore moderniste: qendra e kuptimit nuk është më në tekstin kanonik, por tek njeriu që e jeton atë.
3. Leximi postmodernist:
Përmes shprehjes “sipas Ungjillit të gjyshes sime”, poeti pranon se e vërteta nuk ka një burim të vetëm, por ekziston si një shumësi rrëfimesh të trashëguara brez pas brezi. Secili zë mban një pjesë të së vërtetës pa pretenduar të zotërojë të gjithën. Ky akt është qartësisht postmodern: e vërteta nuk është një doktrinë e vetme, por fragmentaritet i kuptuar dhe i besuar në mënyrë subjektive.
4. Leximi i realizmit magjik:
Realizmi magjik në këtë varg shfaqet si një burim i brendshëm ndriçimi, jo si efekt spektakolar i jashtëm. Ungjilli i gjyshes nuk është thjesht tekst i shkruar apo i kanonizuar; ai bëhet një autoritet rrëfimor i përjetuar, një dritë e brendshme që ndriçon hapësirën rrëfimore dhe i jep jetë përvojës së personazheve. Kjo dritë poetike nuk imponon realitetin, por e bën të dukshëm në një mënyrë të veçantë të zakonshmen dhe përjetimin njerëzor, duke integruar elementët e reales dhe të përjetuarës. Në këtë kuptim, realizmi magjik nuk është një fashe drite e jashtme që vizualizon mrekullinë, por një ndriçim organik i brendshëm, që hap dritën e kuptimit për lexuesin dhe e lidh jetën e zakonshme me përjetimin poetik dhe sakralin e përditshëm.
5. Risitë poetike:
Risia e parë që shfaqet në këtë pjesë është zhvendosja e sakrales nga autoriteti formal i tekstit biblik te përvoja e jetuar njerëzore. Fjala “Ungjill” e gjyshes nuk imponon solemnitet liturgjik, por lind natyrshëm brenda marrëdhënies së ngrohtë dhe intime të familjes, duke e bërë të shenjtën të afërt dhe të përditshme.
Risi tjetër është qendërzimi i kuptimit te subjekti që përjeton dhe transmeton besimin. Përmes gjyshes, poezia tregon se e shenjta nuk është më simbol i largët, por pjesë e jetës reale, ku përvoja individuale lidhet me përjetimin kolektiv dhe lexuesi e percepton atë si të jetuar dhe të ndjerë.
Shfaqet si risi edhe mënyra se si bashkëjetojnë e shenjta dhe e zakonshmja pa konflikt. Figurës së zakonshme femërore i jepet autoritet poetik, duke e kthyer fjalën e thënë në burim të vërtetë dhe autoriteti nuk kërkon provim, por pranimin si besim i jetuar. Kjo qasje krijon një dimension të ri njerëzor dhe universale në poezinë shqipe, ku sakralja dhe përditshmëria ndihen të pandara dhe të ndjeshme nga lexuesi.
C.Realizmi magjik dhe ndërveprimi me bibliken, modernizmin, postmodernizmin dhe realen
Titulli “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” dhe nëntitulli “Sipas Ungjillit të gjyshes sime” hapin poezinë me një ndriçim të veçantë. Në titull, realizmi magjik shfaqet si një rreze që ndriçon menjëherë përplasjen mes planeve të ndryshme: biblikja nuk ekziston si tekst i fiksuar, por si përvojë e jetuar; realja e Leshnicës vjen e gjallë, me njerëzit, ujërat dhe pemët që mbushin hapësirën e përditshme; ndërsa modernizmi shfaqet në zhvendosjen e qendrës së kuptimit tek përvoja dhe përjetimi individual. Postmodernizmi është i dukshëm në pranimin e shumëfishtë të së vërtetës, ku çdo rrëfim ka peshën e vet dhe nuk pret të jetë i vetmi i saktë.
Nëntitulli “Sipas Ungjillit të gjyshes sime” zgjeron këtë ndriçim, duke e kthyer atë në një dritë të brendshme që përshkon të gjithë hapësirën rrëfimore. Realizmi magjik nuk shfaqet si një efekt i veçantë apo episodik; ai është pjesë e pandarë e përvojës poetike, duke lidhur jetën e zakonshme me të shenjtën dhe duke i dhënë frymë dhe kuptim vargjeve. Çdo figurë, çdo imazh dhe çdo detaj i përditshëm duket i ndriçuar nga brenda, si të ishte pjesë e një bote ku drita nuk ka kufij të dukshëm dhe çdo gjë lidhet në mënyrë organike me përjetimin.
Biblikja, modernizmi dhe postmodernizmi ndërthuren natyrshëm me realen: biblikja zbret në jetën konkrete, modernizmi vendos në qendër përvojën individuale, ndërsa postmodernizmi pranon shumëllojshmërinë e të vërtetave, duke krijuar një hapësirë ku secili element ka peshën dhe kuptimin e vet. Realizmi magjik, në këtë kuptim, nuk është një dritë që vizualizon një mrekulli të jashtme, por një ndriçim i brendshëm që bashkon përjetimin, kujtesën dhe jetën e përditshme me shenjtërinë e përjetuar.
Lexuesi hyn në këtë hapësirë si në një lundrim të qetë: çdo figurë dhe çdo varg ndriçon nga brenda, duke bërë që përvoja poetike të ndihet reale, njerëzore dhe e ngrohtë. Nuk ka imponim apo dramatizim, por një rrjedhshmëri natyrore ku biblikja, realja, modernizmi dhe postmodernizmi bashkëjetojnë, ndërsa realizmi magjik i lidh ato duke krijuar një botë ku çdo detaj dhe çdo ndjesi merr jetë dhe kuptim, në mënyrë të qetë, harmonike dhe poetike.
II - Analizë e vargjeve të para: Vargjet:
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve
të nxirrte në Golgotën time,
me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit."
hapin poezinë me një ndriçim të veçantë, që menjëherë të jep ndjesinë se po hyn në një hapësirë ku biblikja dhe realja jetojnë së bashku. Që nga vargu i parë shfaqet realizmi magjik: Golgota biblike zhvendoset në Leshnicë, një hapësirë të njohur dhe të jetuar, ku sakrifica universale bashkëjeton me përvojën personale të poetit. Kjo Golgotë nuk është më vetëm vend historik, por hapësirë intime - një “Golgota ime”, ku dhimbja dhe sakrifica përjetohet përmes kujtesës dhe emocioneve, duke krijuar një dritë të brendshme që ndriçon hapësirën poetike. Kur poeti thotë:"të nxirrte në Golgotën time" kjo nuk është vetëm një figurë për një përvojë personale të sakrificës. Në mënyrë indirekte, poeti i lidh vuajtjet e përjetuara nga Krishti në Golgotë me ato të banorëve në Leshnicë: Pra,Leshnica nuk është vetëm vend konkret, por një hapësirë ku historia dhe përvoja e njerëzve bartin dhimbjen e sakrificës.“Golgota ime” nënkupton se poeti i përket kësaj Golgote; vuajtja universale e Krishtit shfaqet në përjetimin personal dhe kolektiv të banorëve të Leshnicës. Pra, poeti e shndron Leshnicën në hapësirë të vuajtjes së përditshme, duke ndërthurur historinë biblike me realitetin njerëzor.
Leximi biblik është i dukshëm: ngjarja e kryqëzimit mbart peshën e saj të shenjtë, por nuk ekziston si tekst i fiksuar; ajo bëhet pjesë e jetës reale, lidhet ngushtë me hapësirën dhe njerëzit e Leshnicës.
Leximi modernist shfaqet tek përqendrimi te subjekti: poeti e ndjen dhe e përjeton këtë sakrificë, duke e bërë të prekshme dhe intime.
Ndërsa leximi postmodernist shfaqet në pranimin e shumëkuptimësisë: Golgota biblike dhe ajo personale jetojnë së bashku, secila me peshën dhe kuptimin e vet, pa imponuar një interpretim të vetëm.
Realizmi magjik duket qartë tek vargu: "dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve / të nxirrte në Golgotën time / me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit". Këtu drita e realizmit magjik nuk është një fashe drite që ndriçon vetëm një pikë të caktuar, por një ndriçim i brendshëm, që përshkon të gjithë hapësirën poetike: Golgota nuk mbetet vetëm vend historik, por bëhet hapësira personale e poetit.Po ashtu çdo element - lulekëmbanat, epitafi, përjetimi i dhimbjes - është i ndriçuar nga brenda dhe lexuesi e ndjen këtë dritë si një gjendje të përjetuar e të vazhdueshme, jo si një efekt spektakolar apo episodik. Kjo dritë brenda hapësirës poetike e bën të qartë ndërthurjen mes realeve, biblikes dhe përvojës subjektive, duke i dhënë vargjeve një frymë të gjallë dhe njerëzore. Falë kësaj drite Golgota shndërrohet në një hapësirë të ndriçuar nga brenda. Lulekëmbanat nuk janë thjesht metaforë; ato bien si një zë i heshtur, si kujë që përçon dhimbjen pa britmë. Ato bashkohen me epitafin - strukturën kishtare që simbolizon varrin e Krishtit - dhe zgjerojnë përjetimin: aty nuk është vetëm sakrifica biblike, por edhe dhimbja e komunitetit, e jetuar dhe e ndjerë në përditshmëri. Realizmi magjik ndërthur gjithçka: objektin e ritin fetar me realen; biblikën me përvojën subjektive; modernizmin me pranimin postmodern të shumëkuptimësisë. Ai ndriçon hapësirën poetike, i jep frymë vargjeve dhe e bën të prekshme përjetimin e sakrificës dhe dhimbjes.
Në këtë mënyrë, poezia tregon një botë ku çdo element -lulja, riti, dhimbja biblike - bëhet pjesë e përvojës njerëzore dhe duke e bërë lexuesin pjesëmarrës në këtë ndriçim të brendshëm.
II - Analizë e vargjeve të para: Krishti u kryqëzua në Leshnicë
Vargjet:
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve
të nxirrte në Golgotën time,
me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit."
e hapin me një ndriçim të veçantë, që menjëherë të jep ndjesinë se po hyn në ambient ku biblikja dhe realja jetojnë së bashku. Që nga vargu i parë shfaqet realizmi magjik: Golgota biblike zhvendoset në Leshnicë, një tokë të njohur dhe të përjetuar, ku sakrifica universale bashkëjeton me përvojën personale të poetit. Kjo Golgotë nuk është më vetëm vend historik, por një “Golgota ime”, një botë intime ku dhimbja dhe sakrifica përjetohet përmes kujtesës dhe emocioneve, duke krijuar një dritë të brendshme që ndriçon të gjithë këtë realitet poetik.
Kur poeti thotë: "të nxirrte në Golgotën time" kjo nuk është vetëm figurë për një përvojë personale të sakrificës. Në mënyrë indirekte, ai lidh vuajtjet e Krishtit me ato të banorëve të Leshnicës. Pra, Leshnica nuk është vetëm një vend konkret, por një territor i vuajtjes së përditshme, ku historia dhe përvoja e njerëzve bartin dhimbjen e sakrificës. "Golgota ime" tregon se poeti ndjehet pjesë e kësaj vuajtjeje; dhimbja universale e Krishtit bëhet përjetim personal dhe kolektiv.
Leximi biblik është i dukshëm: ngjarja e kryqëzimit mbart peshën e saj të shenjtë, por nuk ekziston si tekst i fiksuar; ajo bëhet pjesë e jetës reale dhe lidhet ngushtë me njerëzit e Leshnicës.
Ndërkohë leximi modernist shfaqet tek përqendrimi i subjektit: poeti e ndjen dhe e përjeton këtë sacrifice dhe e bën të prekshme e intime. Ndërsa leximi postmodernist shfaqet në pranimin e shumëkuptimësisë: Golgota biblike dhe ajo personale jetojnë së bashku, secila me peshën dhe kuptimin e vet, pa imponuar një interpretim të vetëm.
Realizmi magjik duket qartë tek vargu: "dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve / të nxirrte në Golgotën time / me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit"
Këtu, drita e realizmit magjik nuk është një fashe që ndriçon vetëm një pikë, por një ndriçim i brendshëm që përshkon të gjithë ambientin poetik. Golgota nuk mbetet vetëm vend historik, por bëhet hapësirë e brendshme e poetit. Po ashtu, të gjithë elementët -lulekëmbanat, epitafi, përjetimi i dhimbjes – janë të ndriçuar nga brenda, dhe lexuesi e ndjen këtë dritë si një gjendje të vazhdueshme, jo si efekt episodik.
Lulekëmbanat nuk janë thjesht metaforë; ato bien si një zë i heshtur, si kujë që përçon dhimbjen pa britmë. Ato bashkohen me epitafin - strukturën kishtare që simbolizon varrin e Krishtit -dhe zgjerojnë përjetimin: aty nuk është vetëm sakrifica biblike, por edhe dhimbja e komunitetit, e jetuar dhe e ndjerë në përditshmëri.
Realizmi magjik ndërthur gjithçka: objektin dhe ritin fetar me realen; biblikën me përvojën subjektive; modernizmin me pranimin postmodern të shumëkuptimësisë. Ai ndriçon ambientin poetik, i jep frymë vargjeve dhe e bën të prekshme përjetimin e sakrificës dhe dhimbjes. Në këtë mënyrë, poezia shfaq një botë ku çdo element - lulja, riti, dhimbja biblike - bëhet pjesë e përvojës njerëzore dhe e bën lexuesin pjesëmarrës në këtë ndriçim të brendshëm, që është i vazhdueshëm, intim dhe thellësisht njerëzor.
III – Kryqi dhe realizmi magjik
Vargjet:
"Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante
mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit
dhe u zbardh brenda një nate".
hapin poezinë me një ndriçim të veçantë, ku e shenjta dhe jeta e përditshme takohen pa zhurmë dhe pa kontrast të dhunshëm. Që nga vargu i parë shfaqet realizmi magjik: kryqi biblik nuk qëndron më larg, në Golgotën historike, por zbret mbi shpinën e stërgjyshit të poetit, duke u bërë pjesë e jetës familjare dhe e historisë së jetuar. Këtu nuk kemi një efekt të jashtëm apo spektakolar; drita e realizmit magjik lind nga brenda vetë përjetimit dhe e bën dhimbjen të prekshme.
Leximi biblik është i pranishëm qartë. Kryqi mbart peshën e sakrificës universale dhe të vuajtjes së Krishtit, por nuk paraqitet si tekst i fiksuar apo si simbol i largët. Biblikja zbret në trupin e njeriut të zakonshëm dhe bëhet përvojë e jetuar. Në këtë mënyrë, sakrifica nuk lexohet, por përjetohet.
Leximi modernist shfaqet në përqendrimin te subjekti dhe te përvoja individuale. Kryqi nuk është ide abstrakte, por ndjesi fizike dhe emocionale: “mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit”. Poeti e sjell dhimbjen në nivel trupor, duke e bërë lexuesin ta ndjejë peshën, lodhjen dhe heshtjen e vuajtjes, sikur ta mbante vetë këtë barrë.
Leximi postmodernist hyn natyrshëm në pranimin e shumëkuptimësisë. Kryqi biblik dhe kryqi i stërgjyshit bashkëjetojnë pa u përjashtuar. Nuk kemi një të vërtetë të vetme, por disa rrëfime që ekzistojnë njëkohësisht: historia biblike, kujtesa familjare dhe përvoja personale. Poezia nuk kërkon të provojë historinë, por ta bëjë të besueshme në nivel njerëzor dhe shpirtëror.
Realizmi magjik ndriçon gjithë këtë hapësirë si një dritë e brendshme, jo si fashë drite që bie mbi një detaj të vetëm. Kjo dritë përshkon çdo element të vargut: kryqin, trupin e stërgjyshit, peshën e fatit dhe kohën e përqendruar në një natë të vetme. Vargu “dhe u zbardh brenda një nate” e përforcon këtë ndriçim të brendshëm. Zbardhja nuk është shenjë e plakjes fizike, por shenjë e një përvoje shpirtwrore, ku dhimbja e brendshme lë gjurmë të dukshme në trup dhe shpirt. Këtu magjikja nuk e mohon realen; përkundrazi, e bën atë më të dukshme dhe më të thellë.
Në këtë mënyrë, realizmi magjik bashkëpunon me të gjitha dimensionet e poezisë:a-me bibliken, duke e bërë sakrificën universale të prekshme në jetën e përditshme; b- me modernizmin, duke ndriçuar përvojën subjektive dhe ndjesinë trupore të dhimbjes; c- me postmodernizmin, duke lejuar bashkëjetesën e rrëfimeve pa imponuar një të vërtetë të vetme.
Risitë poetike
Risitë poetike në këto vargje janë të dukshme dhe marrin një veçori të re për shkak të objektit të ri tw përqendrimit - kryqit mbi shpinën e stërgjyshit.
Së pari, sakralja zhvendoset jo thjesht në përvojë intime, por në trup konkret. Kryqi nuk përjetohet më vetëm si simbol shpirtëror, por si peshë fizike, e ndjerë mbi shpinë, duke e bërë sakrificën të përditshme dhe njerëzore.
Së dyti, dhimbja universale e kryqëzimit shndërrohet në vuajtje të trashëguar, që kalon përmes brezave. Stërgjyshi nuk është figurë alegorike, por bartës real i një fati të rëndë, ku historia biblike përthithet nga historia familjare.
Së treti, ndërthurja e biblikës me modernizmin dhe postmodernizmin realizohet përmes një rrëfimi të mishëruar. Sakrifica biblike nuk humbet autoritetin e saj, por fiton një dimension të ri: ajo jeton në trup, në kujtesë dhe në heshtjen e vuajtjes njerëzore.
Në këtë kapitull, kryqi nuk është vetëm shenjë e sakrificës së Krishtit, por metaforë e barrës së jetës, e peshës që njeriu mban mbi shpinë në heshtje. Realizmi magjik e bën këtë barrë të ndriçuar nga brenda, të ndjerë dhe të besueshme, duke e kthyer poezinë në një përvojë të thellë njerëzore dhe shpirtërore.
IV – Gjyshja dhe drita e realizmit magjik .
Vargjet:
"Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut
dhe e dhembjes së përgjakur,
që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit
dhe u bë ikonë e shtëpive tona,
dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte erini
e saj e kujës"
shfaqin realizmin magjik në veprim. Figura e gjyshes nuk është thjesht një kujtim familjar; ajo bëhet bartëse e së shenjtës, një dritë e brendshme që ndriçon hapësirën e zakonshme të jetës.
Përshkrimi si “Shën Mëria e borzilokut dhe e dhembjes së përgjakur” ndërthur reale dhe metafizikën, duke e bërë të jashtëzakonshmen pjesë të jetës së përditshme. Kështu, realizmi magjik nuk është efekt spektakolar, por mënyra si poezia integron përjetimin emocional dhe shpirtëror. Vargu: “u bë ikonë e shtëpive tona” është një shembull i qartë i realizmit magjik, sepse shndërron një figurë të zakonshme familjare - gjyshen - në një simbol të shenjtë, pa e larguar nga përditshmëria. Realja dhe metafizika bashkëveprojnë natyrshëm: gjyshja nuk është më thjesht një nënë apo gjyshe që kujdeset për shtëpinë, por një “ikonë” që ndrin dhe mbart një dimension shpirtëror për të gjithë banorët e shtëpisë. Pra, ky varg shfaq realizmin magjik në mënyrë elegante dhe të ndjeshme, duke e bërë figurën e gjyshes një urë mes sakralitetit biblik dhe jetës së përditshme, duke depërtuar tek ndjesitë, kujtesa dhe emocionet e lexuesit. Te vargu: ” ishte erini e saj e kujes” rikujtojmw se “Erini” janw, krijesa mitologjike të hakmarrjes, dhe në poezi nuk paraqitet vetëm si element fantastik; ai (erini) shndërrohet në simbol të dhimbjes dhe mllefit pwr hakmarrje, duke përçuar përjetimin shpirtëror dhe ndjessor. Erini bashkëjeton me përditshmërinë, duke e lidhur sakrificën universale dhe dhimbjen biblike me përjetimin personal dhe kolektiv. Erini transformon erën natyrore në një frymë që depërton shpirtin, duke e bërë të prekshme prezencën e së shenjtës dhe dhimbjen e gjyshes në çdo gjest të zakonshëm.
Leximi biblik shfaqet qartë tek identifikimi i gjyshes me Shën Mërinë: dhimbja dhe sakrifica nuk mbeten abstrakte, por bëhen universale dhe të ndjera në përditshmërinë e shtëpisë dhe komunitetit. Realizmi magjik ndriçon këtë përjetim duke e bërë figurën e gjyshes të prekshme; sakrifica biblike përjetohet në hapësirën e njohur të jetës së fëmijërisë, tek shpellat e shpirtit dhe ikonat e shtëpive.
Leximi modernist shfaqet në përqendrimin tek përvoja personale dhe emocionale e fëmijërisë: lexuesi ndjen dhimbjen, kujësinë dhe ngrohtësinë e gjyshes si pjesë të përvojës së vet. Realizmi magjik bashkëpunon këtu, duke ndriçuar ndjeshmërinë dhe perceptimin subjektiv, ku çdo imazh - erini i kujës, shpellat e shpirtit - bëhet pjesë e jetuar dhe e ndjerë.
Leximi postmodernist vjen nga pranimi i shumëkuptimësisë: figura e Shën Mërisë bashkëjeton me kujtimet familjare dhe narrativat e jetës së përditshme, duke krijuar një realitet plural. Këtu, realizmi magjik vepron si unifikues: ai nuk imponon një interpretim të vetëm, por ndriçon dhe lidh bashkë dimensionet biblike, subjektive dhe pluraliste, duke e bërë lexuesin të ndiejë dhe të përjetojë të gjitha këto plane njëkohësisht.
Risitë poetike të veçanta për këtë pjesë:
Zhvendosja e sakrales tek përvoja intime: Figura e gjyshes ngjitet në nivel sakral, duke u bërë simbol i Shën Mërisë pa humbur natyrshmërinë dhe ngrohtësinë njerëzore.
Transformimi i përditshmërisë në sakralitet: Shpellat e shpirtit, ikona e shtëpive dhe erini e kujës bëhen pjesë organike e jetës së përditshme, duke përçuar dhimbjen dhe sakrificën në përvojën personale të lexuesit.
Bashkëndërtimi i biblikës, modernizmit dhe postmodernizmit: Sakrifica biblike jeton në kujtesën personale dhe narrativat e përditshme, ndërthur ndjeshmërinë subjektive dhe pranimin e shumëkuptimësisë, duke krijuar një rrëfim të gjallë dhe të prekshëm në trup dhe shpirt.
Në këtë mënyrë, drita e realizmit magjik shndërrohet në element narrativ që integron biblikën, modernizmin dhe postmodernizmin, duke krijuar një botë poetike të ngrohtë dhe të prekshme, ku figura e gjyshes bëhet ikonë e përjetshme e kujtesës dhe dhimbjes.
Lexuesi ndjen emocionet si një flutur që kalon lehtas mbi oborrin e jetës së përditshme, duke përjetuar sakrificën dhe përqafimin e së shenjtës në çdo gjest të zakonshëm.
V – Kryqëzimi i përjetuar dhe drita e realizmit magjik
Vargjet:
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës
së Kumtrit që na rri mbi krye
dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra.
Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga
yjet e Asterisit.
Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë".
zgjerojnë horizontin e kryqëzimit, duke lidhur ngjarjen biblike me përjetimin konkret të jetës së përditshme në Leshnicë. Realizmi magjik shfaqet qartë: gjërat që duken të zakonshme -gozhdët, qirinjtë, ciklaminet -marrin një fuqi të jashtëzakonshme. Gozhdët dhe qirinjtë që “i kërkojnë hua nga yjet” personifikohen, duke krijuar një urë mes tokës dhe qiellit, mes historisë dhe perceptimit poetik. Kjo e bën kryqëzimin një përvojë universale dhe të përjetshme.
Drita e realizmit magjik është energjia e brendshme që ndriçon çdo element. Gozhdët dhe qirinjtë nuk janë thjesht objekte; ata bashkëjetojnë me ciklaminet, që shndërrohen në kurorë, simbol i përkushtimit dhe respektit. Këtu, kurora (me gjemba qw i vunw nw kokë Krishtit duke u ngjitur në Goldota) nuk është thjesht një dekor, por një metaforë poetike që shpreh nderimin dhe lavdinë e sakrificës. Ciklaminet, lule të vogla dhe të delikata që lulëzojnë në stinë të ashpra (për të zvendësuar gjembat në kurorën e Jezusit) bashkë me agullimin – dritën e parë , shpresën, agimin, ndryshe përkushtimin e përditshëm të njerëzve që kujtojnë dhe nderojnë sakrificën - bëhen pjesë aktive e narrativës. Ky agullim, duke bashkuar përpjekjen dhe kujtesën e përditshme, kthehet në një kurorë simbolike që shpërfaq bukurinë dhe përjetësinë e sakrificës.
Shegët e egra, mbi të cilat pikoi gjaku, pasqyrojnë natyrën e egër të vuajtjes, por edhe bukurinë që lind nga sakrifica. Qirinjtë që marrin dritë nga yjet lidhen me shpresën dhe ringjalljen, duke treguar se, përtej dhimbjes dhe errësirës, ekziston mundësia e një fillimi të ri. Ciklaminet e kurorëzuara nga agullimi përforcojnë idenë e bukurisë dhe përjetësisë, duke e bërë sakrificën të prekshme dhe estetikisht të ndjeshme.
Leximi biblik shfaqet në simbolikën e kryqëzimit dhe sakrificës së Krishtit, duke i dhënë një dimension universal dhimbjes dhe shpresës. Modernizmi vjen nga zhvendosja tek përvoja subjektive: lexuesi ndihet pjesë e Golgotës së Leshnicës dhe përjeton dhimbjen si eksperiencë personale. Postmodernizmi duket në pranimin e shumëkuptimësisë: narrativat biblike, historike dhe kujtimet familjare bashkëjetojnë, duke krijuar një realitet poetik plural dhe të ndjeshëm.
Forma e realizmit magjik këtu është integruese dhe natyrale. Fjalia rrjedh si frymë, elementët sakralë dhe të zakonshëm bashkëjetojnë si një energji e brendshme që përshkon çdo imazh. Gozhdët që kërkojnë hua, qirinjtë që marrin nga yjet dhe ciklaminet e kurorëzuara nga agullimi janë pjesë e një bote ku e jashtëzakonshmja dhe e përditshmja lidhen natyrshëm. Kjo dritë brenda hapësirës poetike nuk është thjesht një metaforë, por një përvojë e ndjerë dhe e prekshme.
Risitë poetike në vargjet e Kacalidhës këtu janë të dukshme dhe nuk janë përmendur më parë në kapitujt e tjerë:
a.Ngjitja e elementeve konkrete në nivel sakral: Gozhdët, qirinjtë dhe ciklaminet nuk janë thjesht objekte të zakonshme, por marrin jetë dhe kuptim të përtejshëm, duke krijuar një bashkëveprim të çuditshëm mes realeve dhe metafizikës.
b.Drita e realizmit magjik si mjet narrativ: Ajo ndriçon çdo element, duke i dhënë gozhdëve, qirinjve dhe ciklamineve një prezencë të ndjerë dhe të përjetueshme. Lexuesi ndjen fuqinë e sakrificës dhe shpresës si pjesë e përvojës së tij personale.
Në këtë mënyrë, Kacalidha ndërthur biblikën, modernizmin, postmodernizmin dhe realizmin magjik, duke krijuar një botë poetike të ngrohtë dhe njerëzore. Figura e kryqit, gozhdët, qirinjtë, shegët dhe ciklaminet bëhen ikona të përjetshme të sakrificës, kujtesës dhe shpresës, ku lexuesi ndjen emocionin dhe energjinë e përjetshme të poezisë, sikur të ishte pjesë e vetë Golgotës së Leshnicës.
VI – Ringjallja dhe realizmi magjik në Leshnicë
Vargjet:
"Krishti u kryqëzua në Leshnicë
Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri,
sipas Ungjillit të gjyshes sime"
përbëjnë një nyje përmbyllëse të fortë të poezisë, ku sakrifica e shpresa bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë njerëzore. Vargu i parë, “Krishti u kryqëzua në Leshnicë”, e kemi parë tashmë se zhvendos ngjarjen biblike nga Golgota historike në një vend të njohur, të jetuar. Leshnica nuk është thjesht emër vendi; ajo bëhet truall përjetimi, hapësirë ku dhimbja universale merr trup dhe emër njerëzor.
Vargu i dytë, “Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri”, sjell një kthesë të qartë poetike dhe shpirtërore. Këtu lind drita e realizmit magjik në formën e saj më të plotë. Ringjallja, një akt i jashtëzakonshëm biblik, nuk ndodh në kohë mitike apo në një vend të largët, por në të njëjtën hapësirë ku ndodhi kryqëzimi. E shenjta nuk largohet nga jeta; ajo qëndron brenda saj. Ky është thelbi i realizmit magjik: e jashtëzakonshmja ndodh pa thyer rendin e përditshmërisë, si diçka e natyrshme dhe e besueshme.
Drita e realizmit magjik edhe këtu është një ndriçim i brendshëm. Ajo e bën ringjalljen të ndjeshme, jo spektakolare. Lexuesi nuk përballet me mrekullinë si shfaqje, por e ndien si shpresë që rritet ngadalë brenda jetës së zakonshme. Leshnica bëhet vend ku vdekja nuk ka fjalën e fundit, sepse aty flet ringjallja.
Vargu i tretë “sipas Ungjillit të gjyshes sime”, e rrënjos këtë ringjallje në kujtesën familjare. Këtu biblikja vjen jo si tekst kanonik, por si besim i transmetuar gojarisht, si ungjill i jetuar. Gjyshja nuk është teologe; ajo është bartëse e një feje të thjeshtë, të përditshme, që jeton në rrëfim, në kujtesë dhe në dashuri. Pikërisht këtu realizmi magjik ndërvepron fuqishëm me bibliken: e shenjta kalon përmes njeriut të zakonshëm dhe bëhet e besueshme sepse është e dashur.
Leximi modernist shfaqet në këtë përqendrim tek përvoja personale. Ringjallja nuk argumentohet, nuk shpallet si dogmë; ajo ndjehet. Poeti e sjell përmes zërit të gjyshes, përmes një besimi intim që nuk kërkon prova. Ndërsa leximi postmodernist qëndron në pranimin e shumëkuptimësisë: kemi Ungjillin biblik, por edhe “Ungjillin e gjyshes”, që nuk e zëvendëson të parin, por bashkëjeton me të, duke krijuar një të vërtetë tjetër, po aq të vlefshme në planin njerëzor.
Në këto tri vargje, realizmi magjik i bashkon të gjitha: biblikën, përvojën familjare, kujtesën dhe shpresën. Ringjallja nuk është vetëm e Krishtit; ajo bëhet ringjallje e jetës, e kujtesës, e vlerave që nuk shuhen. Siç thuhet qartë në varg: “Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri” kjo fjali bart një optimizëm të qetë, pa patetikë, por me besim të thellë.
Në përfundim, poezia “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” ndërton një botë ku drita e realizmit magjik përshkon dhe ndrit gjithçka. Golgota zbret në Leshnicë, kryqi rëndon mbi shpinën e stërgjyshit, gjyshja bëhet Shën Mëri e shtëpisë, gozhdët, qirinjtë dhe ciklaminet marrin jetë, dhe më në fund ringjallja ndodh aty ku ka pasur dhimbje. Siç e thotë vetë poezia, pa zhurmë, por me besim: “Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri.”
Kjo poezi nuk flet vetëm për Krishtin; ajo flet për njeriun. Për dhimbjen që trashëgohet, për besimin që ruhet dhe për shpresën që nuk shuhet. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj: në mënyrën se si e shenjta bëhet pjesë e jetës dhe jeta merr dritën e përjetësisë.
Sarandë, më gusht 2024-dhjetor 2025
KRISHTI U KRYQËZUA NË LESHNICË
Sipas Ungjillit të gjyshes sime
viti 1990 pas Krishtit
Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve
të nxirrte në Golgotën time,
me lulekambana të rëna nga shëtitja e epitafit.
Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim dhe e mbante
mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit
dhe u zbardh brenda një nate.
Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut
dhe e dhembjes së përgjakur,
që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit
dhe u bë ikonë e shtëpive tona,
dhe ajo erë e marrë që fryu mbrëmë ishte erini
e saj e kujës.
Krishti u kryqëzua në Leshnicë
dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës
së Kumtrit që na rri mbi krye
dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra.
Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen, nga
yjet e Asterisit.
Dhe ciklaminet për kurorë nga agullimi ynë.
Krishti u kryqëzua në Leshnicë.
Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri,
sipas Ungjillit të gjyshes.
(Niko Kacalidha, Heraldiket e bores, Onufri 2023. f.18)
Lini një Përgjigje