
28 nëntori, përveçse një datë bazike e themelimit të shtetit shqiptar dhe që në troje konsiderohet si “Festa e Flamurit”, ka simbolika të tjera paralele, po aq të rëndësishme edhe në Kosovë. Më 28 nëntor ka lindur heroi e martiri legjendar i Kosovës, Adem Jashari, ndërkaq, po në këtë datë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë edhe shpalljen e saj publike në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Në librin “Republika e Parë” të Mero Bazes, kjo çështje përshkruhet me gjerësi, që nga dalja e parë publike e UÇK-së e deri më pas ngjarjet që çuan në çlirimin e Kosovës. Faktori UÇK në “Republika e Parë” nuk jepet thjesht si një kronikë e zhvillimeve në terren, por implikimin që ajo solli në politikën e Kosovës, në Tiranë, e të gjitha zhvillimet ndërkombëtare.
Nga Mero Baze
Nëntori i vitit 1997, ishte muaji kur UÇK u shfaq në publik. Ndërsa në Prishtinë vazhdonte procesi ndaj njëzet e një luftëtarëve të saj, të tjerë, të gjykuar në mungesë, po vriteshin në fushat e betejës. Gjatë një sulmi të kryer në mes të muajit tetor mbi një postë policie në Klinë, u vra i riu Adrian Krasniqi, i cili ndërkohë po gjykohej në mungesë në Prishtinë. Ky ishte sulmi I tretë që kishte pasur objektiv këtë postë policie.
Pas sulmit që ndodhi rreth orës 01.00, me orën lokale, policia serbe rrethoi disa fshatra të rajonit dhe thirri shumë persona. Të nesërmen, luftëtarë të UÇK sulmuan një tjetër postë policie serbe, në Qellopek, afro 10 km nga Klina, pa shkaktuar viktima. Postat e policisë ishin objekte të sulmeve të UÇK që nga shtatori për të demoralizuar represionin e tyre mbi shqiptarët.
Varrimi i Adrian Krasniqit u kthye në manifestim paqësor. Rreth 10.000 vetë morën pjesë në funeralin e 25-vjeçarit, pjesëtar i UÇK. Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin në krye të homazheve, duke vlerësuar veprën e tij.
“ Adriani nuk është i braktisur. Ai nuk është jetim. Të gjithë shqiptarët e Kosovës janë me të! - tha Basri Musmurati, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Ibrahim Rugovës. - T’i lutemi Zotit që Adriani të jetë viktima e fundit në rrugën për pavarësinë e Kosovës! - shtoi ai duke kërkuar pjesëmarrje për të vazhduar veprën e Adrian Krasniqit.”
Kjo ishte dëshmi se pavarësisht çfarë ndodhte në Prishtinë, në fshatrat e Kosovës shqiptarët po bëheshin gati për luftë. Ndërkohë, Ushtria Çlirimtare mori përsipër aksionin e armatosur më 6 nëntor në Podujevë dhe paralajmëroi për një shkallëzim të mëtejshëm të luftës për çlirimin e Kosovës.
Në komunikatën Nr. 38, për mjetet e informimit, dërguar me faks edhe ATSH, thuhet shprehimisht: “Me vendim të posaçëm të Shtabit Qendror të UÇK, në zonën operative Nr. 1, përkatësisht në zonën e Llapit, më 5 nëntor u ndërmor sulm i armatosur kundër strukturave politike pushtuese serbe. Objekt i sulmit ishte ndërtesa e Kuvendit Komunal të Podujevës, ku pati humbje dhe dëme të konsiderueshme materiale. Pushtuesve serbë u bëjmë të qartë se çështja e Kosovës dhe e trojeve të tjera shqiptare nuk zgjidhet me dhunë dhe terror ndaj popullit, as me gjyqe. Ajo ka vetëm një zgjidhje, tërheqjen e forcave pushtuese nga trojet tona dhe respektimin e vullnetit të popullit, në bazë të parimit tashmë të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht mbi të drejtën për vetëvendosje. Në të kundërtën, lufta jonë do të jetë edhe më e fuqishme, do të marrë përmasa të reja dhe UÇK do të bëhet tmerr për të gjithë pushtuesit e trojeve tona.”
UÇK shpallet publikisht
UÇK u shfaq për herë të parë në publik në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë, në rajonin e Drenicës. Tre vetë me uniforma të UÇK “sikur mbinë nga dheu” në fund të ceremonisë, pasi kishin përshëndetur gjithë liderët lokalë të partive, përfshi LDK. Tre të rinj, të veshur me uniformë të UÇK, të armatosur, nga të cilët dy e kishin fytyrën e zbuluar, ndërsa i treti me maskë të zezë e me shirita të kuq, lexoi dhe përshëndetjen para 20 000 mijë vetëve që ishin në varrim. Ndërsa shumica e turmës mbajti frymën nga ç’po shikonte me sy, i riu nxori një letër dhe nisi të lexonte:
“Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë të vëllait tonë, Halit Geci! Në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ju shpreh ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftoj se ndajmë dhimbjen me ju! Populli shqiptar, në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supe shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesi serb. Na u vranë, na u burgosën, na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit më të pambrojtur. Një nga shprehjet e dhunës së terrorit serb, është dhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Geci nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani.
Vrasje, dhunë, diskriminime dhe terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Vrau fëmijë në prehër të nënës, mësues në shkolla, bujq në ara... Vrau, ç’nuk vrau! Por një ditë, nga gjiri i këtij populli, lindi Ushtria për Çlirimin e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mira të popullit. Ata që ia kushtuan jetën lirisë.
UÇK ka katër vite që në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës, ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve. Nëpër pikat më të ndjeshme të pushtuesit dhe kundër bashkëpunëtorëve shqipfolës, kolaboracionistëve, grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi këta që marrin guximin të shkelin idealet e shenjta të popullit tonë. Luftën do ta mbajmë të shenjtë deri në çlirimin tonë, deri në bashkimin kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut, ishte edhe beteja në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha material dhe në njerëz dhe u detyrua të tërhiqet kokulur. Në pamundësi t’iu kundërvihet forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.
Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti e shoqata që flasin në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrim pacifist. Atyre u themi mjaft! Mjaft, se një ditë do t’u mallkojë historia! Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftë për çlirimin e Kosovës, se vetëm kështu trojet tona do të shohin dritën e lirisë. Lavdi të rënëve për liri!”
Nëse e lexon me vëmendje tekstin, duket se ai është shpallje lufte jo vetëm për Serbinë, por dhe për politikën zyrtare të Kosovës. Është një thirrje për të nxjerrë nga skena politike politikën pacifiste të Ibrahim Rugovës. Po aq e qartë është dhe fryma ideologjike e kësaj lëvizjeje, lidhur me kundërshtarët politikë dhe kundërshtarëve etnikë. Në të vërtetë, kjo deklaratë është gjithë profili politik i UÇK, gjithë frymëzimi i tyre patriotik, mbështetur nga ideja e një kombi të pastër ideologjikisht dhe etnikisht.
Alarmi që krijoi në politikën ndërkombëtare shfaqja publike e UÇK, ishte i madh. Ibrahim Rugova u përpoq ta përdorte këtë alarm duke përsëritur thirrjen e tij për një protektorat ndërkombëtar për Kosovën. Po përtej Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideroi shfaqjen publike të UÇK si një nga ngjarjet më spektakolare të kohëve të fundit. Fehmi Agani, për shtypin në Prishtinë tha: “Ky nuk është vetëm një akt guximi dhe sfide që i bëhet policisë serbe, por edhe sfidë e hapur në skenën politike të Kosovës e një force të re, me qëndrime të ndryshme nga forcat e tjera politike këtu, për mënyrën e realizimit të qëllimit të përbashkët politik, çlirimit të Kosovës.”
Aq alarm krijoi UÇK, sa në një letër drejtuar asaj nga Partia Parlamentare e Kosovës, nënshkruar nga Demaçi, i kërkohet armëpushim për t’i dhënë kohë komunitetit ndërkombëtar dhe partive politike në Kosovë të bëjnë disa hapa drejt dialogut. Dukej qartë se Adem Demaçi e kishte marrë UÇK më seriozisht se edhe ata vetë.
Ibrahim Rugova ngriti alarmin për mundësinë e daljes së gjendjes jashtë kontrollit. Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në mënyrë të veçantë ngjarjet në fshatrat e Drenicës dhe në Irzniq të Deçanit, presidenti Rugova i quajti shumë të rrezikshme, i krahasoi ato me ekspeditat e ndërmarra në këto anë në vitet ‘20 dhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Rugova ritheksoi qëndrimin e tij të njohur, se nuk ka informacione për ekzistencën e UÇK dhe e quajti atë një rrezik të madh për Kosovën. “Ne kemi theksuar vazhdimisht se në Kosovë mund të ketë njerëz të frustruar dhe nuk dëshirojmë të hyjnë në spiralen e dhunës. Populli i Kosovës po ballafaqohet prej shtatëvjetësh me një situatë të rëndë.”
Nga ana e tij, Bujar Bukoshi ishte më i qartë pro UÇK. Në profilin e tij ndërkombëtar, ai vizatohej si një udhëheqës radikal që mbështeste luftën. Dhe pas shfaqjes së UÇK në Drenicë, një gazetë belge e akuzoi se ishte komandant i UÇK. Në një intervistë për BBC në shqipe, më 4 dhjetor, Bukoshi tha: “UÇK do të ketë përkrahje patjetër, nëse ajo masivizohet dhe nëse vazhdon terrori serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. T’ua përkujtoj se në varrimin e parafundit, ku u paraqitën për herë të parë publikisht pjesëtarët e UÇK, atyre iu shpreh simpatia me duartrokitje të një mase shumë të madhe, të mijëra njerëzve që morën pjesë në atë varrim. Andaj, për ata që i kanë sytë në ballë dhe mendje në kokë, është një mesazh i fortë dhe i qartë.” Shfaqja publike e UÇK, ishte një lakmus që ndau shumë çështje të mbetura pezull. Ajo pozicionoi Qeverinë e Kosovës në anën e tyre, riformatoi skenën politike, duke bërë që jo vetëm kundërshtarët e pacifizmit të Rugovës, por dhe kritikët e tij që ishin për një politikë më integruese me ish- Jugosllavinë, të bëhen me UÇK.
Nga ana tjetër, qeveria e Tiranës që po e shikonte problematic bashkëpunimin me Rugovën, nisën të mendojnë për një spektër politik të ri në Kosovë, më afër tyre, por jo në krahun e UÇK. Ky pozicionim rezultoi me krijimin e një partie të re, me ish-drejtues të LDK nën udhëheqjen e kritikut të fortë të Rugovës, Rexhep Qosja. Në mes të dhjetorit, qeveria shqiptare kundërshtoi kërkesën e Jugosllavisë për normalizim të marrëdhënieve me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Paskal Milo i tha agjencisë së lajmeve “Beta” në Beograd, se situata është shumë e rrezikshme dhe se Tirana zyrtare do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e shqiptarëve të Kosovës.
Lini një Përgjigje