Risitë rrëfimtare të Alfred Dukës në vëllimin “Bijën e Pangjesë”! Përmbledhja me tregime, novela dhe ese, një pasqyrë e thyer në 25 copa

28 Korrik 2025, 09:34Kulturë TEMA
Risitë rrëfimtare të Alfred Dukës në vëllimin

NGA TIMO MËRKURI

Në një kohë kur fjala shpesh rrëshqet në sipërfaqe dhe letrat kanë humbur thellësinë e shpirtit, Alfred Duka vjen me “Bijën e Pangjesë” si një rrëfimtar që nuk thërret me zë të lartë, por me frymë të thellë. Kjo përmbledhje me tregime, novela dhe ese, nuk është një libër për t’u lexuar shpejt e për t’u lënë mënjanë, por një pasqyrë e thyer në njëzet e pesë copa, ku secila mbart një dritë, një plagë, një përfytyrim dhe një kujtesë që nuk pranon të shuhet. Stili i Dukës është përshpirtës dhe i ngadaltë, ku gjuha është mjet për të përjetuar më shumë sesa për të treguar. Një rrëfim i heshtur, por i ndriçuar nga ndjenja e thellë për njeriun dhe kujtesën. Një stil që i qëndron larg bujës, por i afër ngrohtësisë së dhimbjes së ndershme. Në këtë mënyrë, Duka përfaqëson një formë të vetëdijshme dhe të pasur të stilit modern shqiptar, që ushqehet nga rrënjët kombëtare, por komunikon me dimensionin e letërsisë universale.

Duka ndërton një prozë që është njëherazi gjuhë dhe dëshmi, poetikë dhe revoltë, kujtim dhe qëndresë, duke i dhënë lexuesit jo thjesht ngjarje, por një strukturë ndjesore të të vërtetave njerëzore, ku personazhet nuk janë karaktere letrare, por hijet dhe fytyrat që kemi takuar në rrugët e jetës sonë. Në këto faqe, kulla dhe qyteti, trupi dhe ndërgjegjja, faji dhe kujtesa, dashuria dhe përmbajtja shfaqen jo si tema të ndara, por si damarë të të njëjtit trup, që kërkon të kuptojë: çfarë ndodh me njeriun kur heshtja e të tjerëve bëhet pjesë e jetës së tij?

Për t’u afruar me thelbin e kësaj vepre, nuk mjafton të rrëfejmë çfarë ndodh në faqet e saj, por duhet të ndiejmë si është thurur ajo: me ç’fije gjuhe, me ç’strukturë ndjesie, me çfarë fryme qëndrese artistike. Risitë letrare të këtij libri nuk janë zbukurime teknike, por janë mënyra me të cilat e vërteta njerëzore arrin të thuhet, shpesh për herë të parë.

I – Ku letërsia përjetohet si thirrje nga thellësitë e kujtesës; një përplasje e së shkuarës me të tashmen dhe një kërkim i pamëshirshëm për të vërtetën njerëzore.

1. Risi artistike të këtij libri shfaqen në formë dhe ndërtim: fjala si gdhendje, rrëfimi si memorie. Nëse do të kërkonim një emërues të përbashkët për të gjithë strukturën e veprës, ai do të ishte gjuha e kthjellët, por e ngarkuar me peshën e përjetimeve, ku rrëfimi s’është thjesht pasqyrim i jetës, por akt ripërjetimi, një formë qëndrese ndaj harresës. Alfred Duka nuk na jep thjesht tregime; ai shpalos copëra kujtese, që marrin formë rrëfimi vetëm pasi janë pjekur gjatë në heshtje dhe dhimbsuri.

Një nga risitë më të ndjeshme në strukturën rrëfimtare është përdorimi i një ligjërimi të përzier: personal; rrëfimtar i brendshëm që përpin ngjarjen dhe filozofik, që gërmon nën sipërfaqe për të nxjerrë jo vetëm ngjarjen, por edhe domethënien e saj të thellë. Në tregimin “Një copë udhë kaherë”, narratori udhëton drejt maleve jo për të parë, por për të takuar vetveten, atë që ka humbur. Fjalitë janë të ngadalta, të matura si hapat mbi borën e kaluar: “Kur arrita përballë shtëpisë, më pllakosi një heshtje që nuk kishte zë, por kish kujtesë. U ndjeva i vdekur në një kohë që më takonte të isha gjallë. Dhe vetë shtëpia, me çatinë e saj të pjerrët, më dukej si një qenie e gjallë që më shikonte e më gjykonte. “Ky pasazh tregon një tipar të qartë të stilit të Dukës: objektet kanë frymë, hapësirat kanë ndërgjegje, dhe koha është një personazh më vete.

Ky transformim i gjuhës në një mjet ndijor, që gdhend jo vetëm ngjarjen por edhe pasojën psikologjike të saj është ndër risitë më të prekshme stilistike të autorit. Në çdo fjalë të pjekur, ka një rrënjë dhimbjeje që kërkon të mos harrohet, e çdo tregim ngrihet si një gur në murin e kujtesës sonë të përbashkët.

2. Një risi filozofike: të jetosh e të vdesësh me kujtesë. Në shumë tregime e novela të librit, shfaqet një risi filozofike që mund të përmblidhet në pyetjen: Si mbijeton njeriu kur i është mohuar historia dhe e drejta për të kujtuar? Alfred Duka nuk rrëfen për të treguar vetëm padrejtësitë e sistemit, por për të zbuluar mekanizmat e vijimësisë së shpirtit njerëzor përmes kujtimit. Në tregimin “Kur përmbyset bota”, rrëfimtarin, një mjek ligjor, e çojnë të marrë pjesë në procesin e vrasjes së një të burgosuri që kishte guxuar të revoltohej. Në atë skenë makabre, personazhi nuk rrëzon vetëm viktimën, por dhe veten: “S’e di si mbërrita në shtëpi atë natë. Kur u zgjova, pata ndjesinë se kisha dalë nga vetja e kish mbetur brenda një bishë që s’e njihja. Unë, që duhej të jepja jetë, kisha vulosur vdekjen.”

Këtu risia qëndron në shndërrimin e njeriut në dëshmitar të heshtur, që nuk është më protagonist, por një qenie e brishtë përballë absurditetit dhe terrorit. Ky rrëfim është një akt psikanalize i heshtjes kolektive, i atij turpi që për dekada u fsheh pas lavdisë së rreme.Atje ku historia ndalohet të thuhet me zë, kujtesa bëhet një kryq i brendshëm që mban peshën e të gjithë atyre që nuk patën fjalë.

3. Në novelat si “Bija e Pangjesë” dhe “Kandidati” ndërtohet një strukturë polifonike, ku fjalët e personazheve përzihen me rrëfimin e autorit në një kor të përbashkët. Këtu, dialogu nuk është për të zhvilluar ngjarjen, por për të zbuluar idetë që përçojnë një realitet më të thellë. Në novelën “Bija e Pangjesë”, figura e vajzës, bijë e një gruaje legjendare, të përdhunuar nga pushteti, bëhet simboli i ndërtimit të identitetit mbi gërmadha, një lloj Antigoneje shqiptare që s’pranon të heshtë.

“Ajo s’kishte më zë, por çdo herë që i afroheshin, syri i saj ndizte një dritë që i prushte burrat më shumë se flaka.Fliste me heshtje, e shante me sy, e mallkonte me trup. Dhe ky trup ishte hakmarrja e vetme që i kish mbetur.”

Figura mitike, si ajo e qenit që ruan urën në “Xhandari i urës” apo e fshatarit të urtë që sfidon partinë në “Ndërsysh”, futin elemente të parabolës dhe të alegorisë, Në heshtjen e tyre, personazhet mitikë të Dukës s’janë as simbolë as hije, por gurë zjarri mbi të cilët ndezim të kuptuarit e së vërtetës, duke i dhënë tregimeve një thellësi filozofike që kalon përtej realitetit të momentit.

II – Zërat e së kaluarës bëhen shpatë që ndan hijen nga drita, ndërsa tregimi shndërrohet në një akt memorieje që kërkon shpëtim e drejtësi, më shumë sesa vetëm shpjegim.

4. Në libër, koha vjen si dhimbje që nuk tretet dhe shfaq risitë filozofike mbi kujtesën. Një nga risitë më të thella filozofike të tregimeve të Dukës është ndërtimi i kohës jo si vijë që ecën, por si plagë që pulson. Koha e tregimeve është koha e vonuar, e një kombi që ka ardhur në vete shumë pas lëndimit, e një individi që e njeh të vërtetën vetëm pasi ajo është djegur në trup. Në tregimin “Krimi i pafajësisë”, përshkruhet dëshmia e një pjesëtari të sistemit që ndihmoi, ndoshta pa qëllim, në dënimin e dikujt të pafajshëm. Nuk kemi pendesë melodramatike këtu.Kemi heshtjen e fajit që s’ka më fuqi të klithë, vetëm të djegë. “Ai kishte qenë aty, në atë sallë me tavolina dhe flamuj. Dhe s’e ndaloi procesin. E shikoi fytyrën e atij njeriu si të një të dehur, dhe nuk tha gjë. Pastaj për vite me radhë e pa veten në të njëjtën sallë, por me nënën e tij në vendin e të dënuarit.” Disa plagë nuk mbyllen as me kohë, as me harresë; ato marrin frymë përmes nesh, përmes heshtjes që e mban brenda klithmën.

Filozofia që lind këtu është e qartë: heshtja është bashkëpunim, dhe koha s’është çlirim, por dëshmi e një dhimbjeje që nuk do të tretet, derisa të thuhet me zë. Ky është ligji etik i prozës së Dukës, çdo gjë duhet të thotë emrin e vet.

5. Grotesku dhe ironia e Dukës, element pasqyrimi i botës së përmbysur. Tregime si “Dekorata”, “Bixhozi”, “Kolonel Cirasola”, apo novela “Diagnozat” ndërtojnë një univers grotesk, ku njerëzit kanë humbur jo vetëm masën, por edhe kufirin mes absurdit dhe realitetit. Duka i jep groteskut jo vetëm trajtë artistike, por fuqi morale, duke e përdorur si mjet për të zbërthyer qesharakërinë e pushtetit dhe trishtimin e shoqërisë që e ka pranuar atë si normë. Në tregimin “Dekorata”, një bari, pasi dekorohet në kongres, kthehet në fshat si një “zot”, duke harruar se çfarë ishte. Ai nuk e heq më dekoratën, as kur fle, dhe i shikon të gjithë si të padenjë: “Dekoratën prej kauçuku nuk e hiqte as në gjumë. Të tjerët pa dekorata i dukeshin rang më i ulët, pa përjashtuar edhe ata që e kishin shpënë atje.”

Ironia e Dukës nuk është sarkazëm për të qeshur, por përqeshje për të kujtuar sa poshtë mund të shkojë njeriu kur ushqehet me lavdi boshe. Ky lloj grotesku është një shndërrim i absurdit në realitet të dhimbshëm, dhe kjo është një risi që rrallë haset me kaq mjeshtëri në letërsinë shqiptare.Në teatrin grotesk të pushtetit, njeriu shpesh qesh për të mos qarë dhe qesharakja nuk është më për të qeshur, por për të vdekur nga turpi.

6. Përballja njeri–sistem: struktura si e tragjedisë modern.Në tregime si “Kandidati” dhe “Diagnozat”, struktura klasike e tragjedisë merr formë moderne. Personazhet nuk bien më prej faji apo ndëshkimi hyjnor, por prej një sistemi që i shtyp pa mëshirë, shpesh për qejf, për paranojë ose për ruajtje pushteti. Te “Kandidati”, individi përballet me rrjetin e “gorillave” të partisë, që bëjnë gjithçka për të kënaqur shefin. Figura e Arifit, një pedagog i drejtë është ajo e njeriut tragjik, që e paguan idealizmin me vetëqëndresën.

Në novelën “Diagnozat”, drejtori Leka është viktimë e një sistemi që e akuzon si të sëmurë vetëm që ta nxjerrë nga loja. Një lloj Stalinizmi i vonuar, që vret më shumë për paranojë se për pushtet real. “Kur e mori zarfin me diagnozën, nuk dinte a të qeshte apo të qante. S’kishte asgjë, por tani duhej të besonte se kishte gjithçka: një sëmundje që ia thante trupin, jo përmes qelizave, por përmes fjalëve që e quanin të tillë.”

Këto skema tragjike janë të reja për letërsinë shqipe, pasi nuk ndjekin më modelin epik të luftës dhe fitimit, por modelin e njeriut që shembet për të treguar ç’do të thotë të jesh i drejtë në një botë të padrejtë.Në këtë botë të përmbysur, të jesh i drejtë është një akt i pamëshirshëm heroizmi, që shpesh paguhet me vetminë më të thellë.

7. Erotizmi i heshtur dhe ndjenjat e përmbysura në jetë shfaqen me realizëm në libër. Në tregimin “Calvados”, Duka sjell një risi tjetër: erotizmi i përmbajtur, si metaforë e jetës së shtypur, ku ndjenja nuk shprehet, por valëzon nën sipërfaqe me një tension të heshtur. Ky tregim është një simfoni e brendshme, ku një vajtje për të blerë mjete bujqësore kthehet në një takim shpirtëror me bukurinë dhe mallkimin e një gruaje që s’duhej parë kaq gjatë. Autori gdhend me finesë çdo përjetim të personazhit të tij, që s’ka asnjë shpresë të prekë, por preket thellë. “Më vetëtiu në kokë se diku e kisha parë, por kujtesa nuk po më thoshte asgjë. Ajo kokë e harruar, që kisha vizatuar dikur si adoleshent, po më buzëqeshte. Ishte e njëjta fytyrë. Dhe nuk ishte më as thjesht e bukur. Ishte një dritë.”

Në këtë tregim, Duka shpërfaq një sensualitet artistik që nuk bie në vulgaritet, por që është shenjë e një drite që nuk lejohet të ndizet plotësisht. Ka ndjenja që nuk fliten kurrë, por rrinë si një dritë nën lëkurë, të heshtura, të pamundura dhe për këtë arsye të pavdekshme. Është një përmbysje e ndjenjës klasike: jo nga epshi në dashuri, por nga ëndrra në ndalim.

8. Lirizmi dhe përshpirtja shfaqen si tis që mbulon tragjedinë. Tregimet më të ndjeshme të Dukës janë të veshura me një tis lirizmi që i afron me poezinë, si “Rana e Hedhun”, ku një histori familjare trajtohet me përshpirtje, ose “Sagradadat e Katalonjës”, që është më shumë një reflektim artistik se një tregim i zakonshëm. Në këto proza, gjuha merr ngjyrën e përhumbjes: “Rëra nuk kish më as emër, as kujtim. E flinte si një grua e lodhur nën hënën e Shëngjinit, dhe as valët s’i zgjidhnin dot flokët.” Kjo liri stilistike, që lejon metafora të gjalla dhe përfytyrime të ngrohta, është një risi që ndërthur klasikën me modernen, duke e bërë Alfred Dukën një nga rrëfimtarët më të veçantë të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Letërsia e vërtetë nuk e ngre zërin, por frymon thellë – si lutja që mbetet pezull mes njeriut dhe qiellit.

III-Poezia e rrëfimit dhe shpirti i një letërsie që nuk dorëzohet.

9. Një nga risitë më të spikatura filozofike dhe artistike të librit “Bija e Pangjesë” është pozicioni i rrëfimtarit: ai nuk është një zë që flet nga jashtë, as thjesht një personazh që tregon një ngjarje, por një vetëdije e thellë që shkruan jo vetëm për të treguar, por për të dëshmuar.Ky rrëfimtar shpesh është vetë autori, i kamufluar jo për t’u fshehur, por për të mos u dukur më i rëndësishëm se dhimbja që rrëfen. Ai nuk shkruan për të bërë letërsi, por sepse është i detyruar nga brenda të shkruajë, si një rrëfimtar i odës që nuk mund të flejë pa e thënë çfarë ka ndodhur. Në tregimin “Një copë udhë kaherë”, rrëfimi merr tonin e një lutjeje të brendshme: “Kam frikë se po më ikën e kaluara nga duart, jo si diçka që harrohet, por si një foshnje që del nga kraharori dhe nuk kthehet më.” Në këtë pohim përmblidhet rreziku që ndien rrëfimtari: nëse nuk e thotë të kaluarën, ajo do të ikë nga memoria, por edhe nga realiteti. Dhe me të do të ikë edhe e ardhmja. Ka rrëfime që nuk lindin nga shkrimi, por nga plagët që kërkojnë të thuhen, se përndryshe do të na humbin si fëmijë të harruar në mjegull.

Duka sjell këtu një nga tiparet më të veçanta të prozës së tij: ai e trajton kujtesën si substancën e vetme nga ku ndërtohet morali, identiteti dhe drejtësia. Rrëfimi është kështu mision, jo vetëm mjet.

10. Tregimet ku miti shfaqet si strukturë e thellë, diku mes hyjnores dhe reales.Në shumë tregime, Duka përdor figura mitike ose ndërton rrëfime që imitojnë strukturën e mitit për të dhënë kuptim më të thellë realitetit. Në tregimin “Xhandari i urës”, Hasani që ruan urën edhe pasi Mbretëria ka rënë, është një Don Kishot shqiptar, por edhe një personifikim i njeriut besnik deri në marrëzi ndaj një ideali që ka vdekur, por që për atë vijon të jetë e gjallë. “Ai, ura dhe Mbreti, ishin shkrirë në një qenie që as vetë nuk po dinte si me ia vu emrin.” Ky pasazh është një nga më të fuqishmit në gjithë librin. Aty nuk kemi më vetëm humor dhe absurditet, por shpërfaqje të njeriut që nuk heq dorë nga besimi, edhe pse bota ka ndryshuar tërësisht. Hasani është besimi që refuzon të përçohet nga rryma e historisë.

Një tjetër figurë mitike përdoret në novelën “Diagnozat”, ku “zëri i natës” që flet me personazhin e sëmurë është nënvetëdija, por edhe një lloj orakulli modern që zbulon të vërtetën e sistemit përmes fjalëve të heshtura.Në të dy rastet, miti nuk është dekor, por ndihmë për të thënë të pathënën, për të ndriçuar tragjizmin e realitetit nga një dritë më e epërme, më e thellë, më njerëzore.Kur kujtesa ngrihet si zë, ajo nuk kërkon hakmarrje, por një dritare ku e vërteta të mund të marrë frymë përsëri.

11. Libri “Bija e Pangjesë” është një dëshmi morale, jo vetëm estetike. Ai është i vetëdijshëm se harresa është armiku më i rrezikshëm i një shoqërie që ka kaluar përmes dhunës, shtypjes dhe mashtrimit kolektiv. Në tregimin “Kur përmbyset bota”, një mjek përjeton nga afër vrasjen e djemve të Spaçit. Ai nuk bën asgjë për ta ndalur. Por Duka nuk e dënon. Ai e shpalos siç është: të shkatërruar nga brenda, i pashpëtueshëm. “Këmbët më shkonin vetë, por sytë nuk ishin më të mitë. Po shikoja pa parë. Dhe ajo që nuk e shihja atë ditë, më doli përpara për vite më pas, si një fotografi që digjet nga brenda dhe nuk shuhesh.” Ky pasazh është thelbi i asaj që Duka synon të na japë: kujtesa nuk është mallkim, por shpëtim. Të harrosh do të thotë të pranosh vdekjen morale.

Në këtë aspekt, risia e Dukës është që ai nuk e kërkon shpagimin përmes dhunës, por përmes rrëfimit. Fjalët janë hakmarrja e tij më e thellë, më njerëzore. Nuk është fjala që e shpëton njeriun, por zëri i saj kur lind nga dritarja e shpirtit që refuzon të nënshtrohet.

12. Një tipar unik i Dukës është bashkimi i frymës epike të kullës me realitetin urban të metropolit. Ai sjell gjuhën, krenarinë dhe ndjeshmërinë e burrave të maleve në një botë që i ka harruar ose i ka tallur. Në tregime si “Sfidanti” dhe “Ndre Gega i Perlatit”, personazhet janë malësorë që nuk përkulin kokën, as përballë partisë, as përballë frikës. Ata janë trashëgimtarë të një kodi të heshtur burrnie, që s’mund të zëvendësohet nga asnjë ideologji. Në një përballje me komisarët e partisë, njëri prej tyre thotë: “Mos na fol me këto llafe. Nuk jemi fëmijë. Nuk ta hamë sapunin për djathë. Dritën na e bëtë verbëri, e errësirën na e quani ndriçim.” Gjuha e Dukës është këtu atërore, autentike, e përplasur dhe e kthjellët, një përzierje e rrallë e logjikës së urtë me refuzimin instinktiv ndaj mashtrimit. Ai nuk e përdor dialektin për folklor, por për identitet të rrëfimit.

IV-Në fund të këtij udhëtimi përmes “Bijës së Pangjesë”, lexuesi nuk ndjehet se ka përfunduar një libër, por sikur ka dalë nga një “dhomë” kujtese, ku të gjitha ndjesitë janë trazuar, dhe çdo tregim e novelë ka qenë një shkallë më shumë drejt asaj pyetjeje të pathënë që vlon brenda nesh: Kush jemi ne pa kujtesën tonë?

Krijimtaria e Alfred Dukës nuk është dekor e as stoli letrare, ajo është ndërgjegje në rrëfim, është zë që ka heshtur gjatë dhe tani vjen jo për të bërë zhurmë, por për të vënë dritë mbi ato pjesë të jetës sonë kolektive që janë fshehur, deformuar, ose harruar me qëllim. Ai nuk shpik ngjarje për të magjepsur, por rrëfen të vërteta për të zgjuar.

Me një stil të gdhendur, një ndjeshmëri që mbart dhimbje të pashkruara dhe një ironi që lind si protestë e heshtur ndaj të shtrembëruarës, Alfred Duka ka ngjizur një vepër që mund të lexohet edhe si roman i ndërprerë i një kombi të gjymtuar, ku çdo tregim është një e vërtetë e mbetur pa varr.

Ky libër nuk na mëson vetëm si të shkruajmë ndryshe. Na mëson si të mbijetojmë me dinjitet, duke e thënë atë që duhet thënë, edhe kur askush nuk dëgjon më. Në një letërsi që shpesh mbetet në sipërfaqe ose ngatërrohet me retorikën e zbrazët, Alfred Duka vjen si një zë i rrallë që i flet shpirtit me një fjalë që e ka kaluar zjarret e kujtesës dhe s’e ha më as harresa, as këmisha e pushtetit. Tregimet e tij janë rrëfime që përkulen me ndjeshmëri, por ngrihen me dinjitet, një përpjekje e rrallë për të gdhendur me fjalë atë që historia do të donte ta fshinte.

Në të vërtetë, ky libër është shumë më tepër sesa një përmbledhje tregimesh. Është një tempull i vogël kujtese, ku njeriu mund të futet zbathur, të qëndrojë pak me veten, dhe të dalë prej andej me një fjalë më shumë për t’u treguar të tjerëve.

Lini një Përgjigje