Rizgjimi i feniksit të këngës

27 Gusht 2024, 18:36Kulturë TEMA

Rizgjimi i feniksit të këngës

Nga Namik Selmani

Duke lëçitur librin e poetit, studiuesit e folkloristit Lefter Çipa “Njerëz me dritë”

Tavolinat e shkronjëtarëve shqiptarë e botërorë janë nga më të bukurat e të çuditshme. Sa herë që i sheh në takim, përherë do i shohësh me një copë shpirtit të derdhur në shkronja, në tinguj. Në vend të shportave me lule apo me mollë e qershi, janë librat që u kanë marrë vite jetë. Mbase dhe një gotë rakie, vere, uiski, një filxhan çaji që preket ndryshe nga duart njerëzore.\ Lum ai që ka duar shkronjëtari të artit!

Dhe duart bëjnë ritin e lashtë sa bota që japin e marrin librat e tyre mes buzëqeshjesh të ngrohta, të rrëzëllimta. Janë një lloj miellëzimi që kanë duart e grave që ndërrojnë bakllavatë, jo thjesht për ta garuar me numrin e petëve më ëmbëlsinë e bakllavasë, me mënyrën, se si priten thelat në formë gjeometrike. Pa e ditur të papriturën që më priste në takimin me gazetarin, poetin studiuesin Aleksandër Çipa, u nisa që t’i jepja librin tim të fundit antologjik “Çamëria, bisk i ëndrrës”. Aleksandër Çipa po më vinte në duar një libër gati të porsadalë në qarkullim që mbante firmën e babait të tij Lefter Çipa të ndarë para pak kohe nga vdekja. Po, po para kohe na u nda, edhe pse sëmundja po e shqetësonte pak Unë dhe ai atë ditë po kujtonim Atë-Krijuesin e Aleksandër Çipës, por dhe Atë-Krijuesin e këngës labe të lashtë sa vetë bota kur nuk kishte vegla muzikore, po vetë zërat e njerëzve në sfonde malesh ktheheshin në simfoni të vërteta kur asnjë partiturë në botë nuk ishte krijuar.

Ishte libri i fisit i Lefter Çipës “Njerëz me dritë” Një histori librore sërish e veçantë. Në atë përcjellje fizike nga jeta ia vunë në jastëk librin që ai ia kushtonte vëllait e vetë Aleksandri thotë se ia kushtuan babait. Të gjithë nikoqirët që do libri shkrimi, radhitja botimi bëheshin nga familje. E pra, ky libër merr bekimin e na lartëson edhe atë vëllain e Leftër Çipës që u largua në një stinë pranvere dhe që Bardi lirik lab do ta portretizonte: “Më la si një gur dëshpërimi të pleqërisë sime. Në parajsë me lule e paç shpirtin, vëllai im!”

Tani që nuk e kemi dhe Lefter Çipën mes nesh, na duhet neve që ta bëjnë një lloj epitafi Të ligjërojmë me dhëmbël edhe për vëllain e tij, por dhe për të.

Po jo në pllakën e varrit. Jooo. Ta bëjmë atje ku populli ka gdhendur Monumentin e Këngës, të Kujtesës. Që të gjallje të tij ai i mori kurorat e nderit duke shkuar deri në nderimin meritor “Nder i Kombit”. Janë të përkëdhelur dhe të lumtur kombet që kanë në jetëdritën e tyre njerëz si Lefter Çipa.

E shfletova disa herë librin “Njerëz me dritë” Nuk pata droje që të shkruaja në blllok edhe mjaft fjalë të reja, krahinizma, metafora nga ato që i kishte si masat kënge në secilën bisedë që bëje me të. Kisha kohë që nuk e kisha bërë një gjë të tillë. E si ma tha dhe vetë Aleksandri, ata duhet që të shkriheshin e të bënin një kapitull të veçantë Nëse në kopertinën e librit “Njerëz me dritë” të Leftër Çipës, zyrtarisht kemi nëntitujt “Refleksione, Poema, Letra, Sentenca, Epistolare Vlerësime”. i parë në tërësi do ta quaja një libër enciklopedi e shpirtit të Lefter Çipës, të këtij guri fort të rëndë të kulturës sonë kombëtare, të këngës së Pilurit, të miqve të tij Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Anastas Kondi Petro, Markos, Xhevehir Spahiu, Justina Aliaj, Aleksandër Lalo, Nexhmije Pagarusha, Bik Ndoja, Adem Demaçi, Albert Verria Haxhi Dalipi Shkrimet e tij janë këndvështrime krej vetjake. Kanë shumë emocion kanë mjaft detaje E ai e njihte detajin deri në shenjtërim. A nuk është detaji sekreti dhe testi i krijuesve të mëdhenj në botë?
E tek kujton rrugën e viteve të tij që ai i quan mrekullisht “Njerëz me dritë”. Kujtojmë se edhe si ishte një njeri me dritë shekujsh me jetën e veprën që na la si testament të pashkruar. Vështirë që të thuash saktësisht se cila dritë e rrethonte jetën e tyre e në mënyrë të veçantë të Lefter Çipës. Shikoni se si e jep përgjigjen në intervistën që ia kanë bërë në kohën e pandemisë kur i kërkojnë këshillë për sfidat e pandemisë: “Do t’u siguroj takimin me shpresën. Shpresa është destinacion dhe përkatësi vetëm për njerëzit”.


Vetë ai me këngët e tij ishte shembull i optimist njerëzor dhe artistik. Na la një libër të ri si masat shpirti në kohëra Lefter Çipa. Po ai kishte të veçantën e madhe me jetën që bëri. Nuk ishte bohemi shqiptar, po ai që e stisi çdo ditë me dashuri Në rrëfimin e tij “Një urdhër shpirti dhe gjaku” ai shkruan: “Kam dashur dhe dua, madje do ua lë amanet që në oxhakun e konakut tim në Himarë mos të mungojnë kurrë tri gjëra: Flamuri kuq e zi, Kënga Fosforinë shqiptare dhe shërbimi ndaj identitetit kombëtar”.

E fjalë të tilla para se të ishin këshillë për të tjerët ishin pjesë e “Shkollës së vetë Lefter Çipës. Ishin urdhër duhet ta zbatonte çdo shtëpi himariote, piluriote, kuçiote, tërbaçiote, vranishtiote, tragjasiote e të mbarë shqiptarëve të vërtetë në Breg e në kurbet.

Dhe vjen kapitulli i fundit kur miqtë e poetit nga ata që ai i quan njerëz me dritë vijnë vlerësimet për të. Më vjen mirë që është zgjedhur edhe një shkrim vlerësuar për të që unë e kisha shkruar para një viti në shenjë nderimi për të.

E do të veçoja në këto shkrime një thënie të Akademik Vaso Toles “Faleminderit Lefter për artin tënd që ashtu e njëlloj si kënga e arti i popullit do të rrojë për jetë e mot. Se si ke thënë zotërote kur një gjëje nuk i dihet dita e lindjes nuk i dihet as dita e vdekjes” Poemat e tij janë një e papritur e bukur në botimet e autorit që na japin një tjetër pjesë të begatisë letrare Lefter Çipës Të gjithë librat kanë një ditëfeste me daljen e tyre. Libri më i ri që mban në ballinë emrin e Lefter Çipës tani kur ka vetëm pak kohë që ai është ndarë nga jeta, është rizgjimi i një feniksi kënge që janë të rrallët në trojet tona E kur rilind kënga me një tjetër ngrohtësi e zjarr tingujsh, atëherë edhe jetëgjatësia e saj bëhet më e besueshme. Mbase këtë rilindja e ka thënë vetë ai në kapitullin “Sentenca’ “Mos t’i doni kurrë burrat që kanë frikë nga vdekja! Unë për vete dua këngën, se me atë linda, me të u rrita, me të shtova veten, u bëra emër. Këngën kam frymë e gjak. Dhe me atë do përcillem. Pastaj historia e kombit tim më ka mësuar se burrat me këngë janë të shenjtëruar e nuk u bëhet vend të vdekja.”
Bukur e ke stisur Murin e Mençurisë së Fjalës Lefter Çipa! Prill, 2021

Vazhdim i një shkrimi

Me Aleksandrin.- Nuk dua që të bëj sot vlerësimet për atë burrë trupshkurtër. Ia ka bërë koha dhe veprat e tij Jo, jo, djalin, deli djalë Aleksandër Çipën. (Bëmë baba, të të ngjaj!) do të thërrisja po të kisha në tryezë babain e tij Lefter Çipa dhe mikun tim mësuesin tim të mjaltit të folklorit. Të dorëzuar një çast para ligjit të jetës ne e sfiduam atë Më fliste për Muzeun e Isopolofonisë që Aleksandri që po e bënte ditë pas dite si një kala të kulturës atje larg në Pilur. 5 vite punë duhen më tha ai! Sa shumë! Sa pak për madhështinë që do sjellë! E ku? Në Pilurin e bukur si ballkon Joni. Flisnim për antologjinë time për Çamërinë. Për Amerikën që na ushqen me motivin e jetës dhe frymëzimit. Për djalin e tij të mbarë njyorkez. Për Bilal Xhaferin që po rizgjohej në librin tim. Dhe ku ai do vinte mençurinë e tij bash si një gur të rëndë kalaje. Dhe folëm për Gjirokastrën dhe gjirokastritët që e duan më shumë se djalin e tyre djalin emër-mbret Aleksandër Çipën. Takova Aleksandrin dhe pa droje e doja një foto me të. Edhe fotoja është kujtesë, është emocion. Është respekt. Lum ai që takon Aleksandrin, thashë me vete pa e ngacmuar në modestinë e tij. se ka takuar dhe frymën shenjtërore të mbretit të këngës labe Lefter Çipa!

Lini një Përgjigje