
“Ekspresion” quhet ekspozita që rikthen në vëmendje një nga artistët më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, Sali Shijaku. Në Galerinë Shijaku, publiku është njohur me vepra të paekspozuara të artistit, pjesë e fondit të familjes. Kuruar nga Orges Shijaku dhe familjarët kjo ekspozitë shënon një ngjarje për kulturën shqiptare. Kritikë arti, analistë, njerëz të kulturës, të huaj, ishin të pranishëm në hapjen e ekspozitës, si një moment kujtese në 3 vjetorin e ndarjes nga jeta.
E veçanta e artit të Sali Shijakut, është se çdo figurë e personazh të vjen në trajta të ndryshme, me gjendje emocionale të ndryshme, duke sjellë një evoluim të personazhit. Mes tablove më të rëndësishme ishin “Natyra të qeta”, “Peisazhe” e Legjendat shqiptare, si dhe tablotë me figura madhore si Mic Sokoli, Cercis Topulli, Nora e Kelmendit, duke treguar se arti i Shijakut vazhdon të komunikojë me kohën sot, si një modernist i fuqishëm i dritës dhe ngjyrës.
Kush ishte Sali Shijaku:
Sali Shijaku lindi në Tiranë, më 12 mars 1933 në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë “Tretjakov” në Moskë.
Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.
E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” (1953, GKA), “Kostum tiranseje” (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj.
Vepra e “Piktorit të Popullit”, Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura.
Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë të flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, “Nora e Kelmendit” 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983).

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare.
Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”.
Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Lini një Përgjigje