Shqipëria: Mesapotamia e Ballkanit

27 Shtator 2025, 17:30Kulturë TEMA
Shqipëria: Mesapotamia e Ballkanit

Fjala naftë vjen nga persishtja (nefata), si dhe nga greqishtja e vjetër (nafdha), që do të thotë filtrues, kështu e nis librin e tij inxhinier Zenel Hamiti me titull “HISTORIKU I VAJGURIT NË SHQIPËRI”, botim i vitit 1966, nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri” e më tej vazhdon… Vajguri ose (nafta) dhe gazi kanë qenë të njohura qysh në kohë të lashta, por përdorimi i tyre ishte shumë i kufizuar. Historiani i kohës së vjetër, Plutarku, përmend daljen e vajgurit dhe të gazit, që janë shfaqur në sipërfaqe në disa vende të lindjes së Mesme. Në Mesapotami, shumë vjet para erës sonë, bëhej përpunimi i asfaltit për qëllime ndërtimi. Vajguri (nafta) i vendit tonë, ose siç e quanin të parët tanë, “gjaku i dragoit”, ka shpërthyer qysh në kohë shumë të vjetra nga thellësitë e nëntokës, duke dalë në sipërfaqe. Shqipëria me një pozicion në Mesdhe ka shërbyer si një pikë e rëndësishme tranziti. Detarët e motshëm gjenin te ky vend strehë të sigurta në gjiret dhe në të futurat e të dalat e bregdetit tonë.

Kështu lindën qendra të fuqishme tregtare dhe kulturale, për të cilat kemi të dhëna historike nga dijetarë të ndryshëm të cilët kanë dhënë njoftime mbi vajgurin këtu e 20 shekuj më parë. Sipas të dhënave historike në Selenicë, çfaqjet klasike të serës dhe ujrave sulfuroze, që lidhen me familjen e vajgurit, “zjarret e përhershme” ose “çezmat që digjen”, që autorë të ndryshëm i kanë paraqitur si të mrekullueshme dhe objekte adhurimi e besimi, kanë qenë të njohura qysh në kohën e Aristotelit, Strabonit, Elianit; ose “vullkanet e baltës”. Shekuj me rradhë Shqipëria ka qenë nën valën e pushtuesve të ndryshëm si dhe e kthimit në fushë beteja të luftrave kundër pushtuesve dhe shumë informacione për vajgurin dhe serën tonë humbasin, sidomos qysh nga rënia e Perandorisë Romake e këtej. Historiani turk H. Jinalçik duke folur për serën dhe vendburimin e Selenicës, shkruan se si shfrytëzohej ajo në shekullin XVI.

Vetëm në fillim të shekullit XIX, kur Perandoria Turke po lëkundesh nga themelet, u lejuan të hynin në Shqipëri, të studionin burimet tona minerale dhe shfaqnin mendime mbi rëndësinë e tyre industriale. Njoftimet e para më të hollësishme nga ana minerare e që flasin për kushtet e lehta të shfrytëzimit, si dhe për rëndësinë që paraqiste miniera e Selenicës, jepen nga Pukvillë, i cili duke qenë konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës nga viti 1806-1817, ishte njëkohësisht një studiues i gjithanshëm. Më pas vjen gjeologu francez Ami Bue i cili kryen studime në gadishullin Ballkanik i shoqëruar nga gjeologu A. Vikësnel. Në përfudnim të studimeve të tij, A. Bue botoi veprën “La Turquie d’Europe”. Pas këtyre, paleontologu francez H. Kokand bën më 1868, një përshkrim të hollësishëm gjeologjik të vendburimit të serës në Selenicë. Në vitin 1884, francezi Vivien Dë St. Martin, në botimin e fjalorit të tij mbi gjeografinë e përgjithshme, në pjesën “Shqipëria” përmend edhe minierën e Selenicës.

Pa kaluar një vit, F. Biankoni boton më 1885, në Paris, një hartë tregëtare, fizike, politike, rrugore, etnografike, minerare dhe bujqësore të Shqipërisë, në të cilën vihet re vendburimi i Selenicës. Një ferman i perandorisë osmane, më datën 24. VIII.1885 e drejta e shfrytëzimit të minierës së Selenicës iu dha një shoqërie franceze me qendër në Paris për një kohë prej 99 vjetësh. Kjo shoqëri, pas luftës së parë botërore, e shiti konçesionin e saj, që zinte një sipërfaqe mbi 800 ha, shoqërisë italiane “Societa Italiane Miniere di Seleniza” (SIMSA), e cila përfaqësohej nga ing Xhovani Nobili. Më pas kemi paleontologun italin V. Simoneli i cili përshkshkruan më 1893 rërat bituminoze të Selenicës, më vonë një tjetër inxhinier francez përshkruan më 1903 minierën e Selenicës në shfrytëzim. Ndërmjet gjeologëve të ndryshëm që studiuan Shqipërinë, ishte edhe gjeologu Italian A. Mateli dhe së bashku me B. Nelin e M. Doxanon më 1910, na japin përshkrime të hollësishme mbi formacionet bitumbajtëse të Selenicës në Shqipëri. Më 1915, gjeologu F. Plate shkruan për herë të parë për daljet e shtresave të vajgurit në luginën e Shushicës, afër Drashovicës në Vlorë. Lufta e parë botërore është quajtur me të drejtë “Lufta për naftën”. Një fuqi që do të zotëronte naftën do të dominonte botën. Kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës zotëronin 70% të naftës në botë dhe lufta mes njeriut dhe makinës ishte shprehja më e qartë e gjeopolitikës, dhe shekulli i XX i përkiste luftës për gjetjen e burimeve energjitike dhe minerare. Gjermania humb në Mesapotami të Irakut zonën naftëmbajtëse dhe shfaqen fuqitë e reja, Britania dhe Franca në marrëveshjen e re me qeverinë osmane.

Lindin kompanitë “British Petroil”. Shqipëria si një shtet asnjëanës u bë fushëbetejë në luftën e parë botërore dhe palët e Antantës kishin bërë planet për copëtimin e saj dhe të krijonin një teritor me 12 mijë km katror nën udhëheqjen e Esad Pashë Toptanit si një njeri i rreshtuar në krahë të vendeve të Antantës. Në një kompromis që u arrit mes Francës dhe Anglisë për të patur një shtet shqiptar të stabilizuar në kufijtë e 1913 ishte e domosdoshme qoftë me aprovimin në heshtje të Francës, por edhe me dijenin e Anglisë që një njeri destabilizues si Esad Pasha duhet të dilte nga skena politike. Atentati ndaj tij nga Avni Rustemi ishte pjesë e këtij kompromisi. Ishte Presidenti i Amerikës Ëillson që nuk e firmosi këtë projekt të ndarjes së Shqipërisë, duke iu drejtuar dy nota Konferencës së Paqes. Vullneti i popullit shqiptar për të mbajtur një Kongres në Lushnje për t’i rikthyer statusin e pavarësisë të shpallur nga diplomati Ismail Qemali më 28 nëntor të vitit 1912 ishte një akt heroik, ndonëse liheshin 60% e tokave shqiptare jashtë teritorit të saj. Interesi i jashtëzakonshëm që paraqiste vendburimi i naftës në Drashovicë, i cili për nga pritshmëria ai konsiderohej si “Mesapotamia e Ballkanit”. Ky lajm i bujshëm u shkruajt në revistën franceze “Revue Petrolifere”, nga ana e Profesor.

Leo Madalena Kështu duke përfituar nga gjendja e paqëndryeshme në vend dhe nga situata e krijuar në botë, në Shqipëri vërshojnë grupe specialistësh dhe misione të ndryshme. Të parët janë italianët të cilët ngritën një mision ekonomiko-shkencor, të kryesuar nga majori Silvio Exhidi dhe gjeologët Xhiorxhio Dal Plat dhe Antonio De Toni. Misioni gjatë punës së tij studjuese u fut deri në Mirditë dhe u strehua tek kulla e bajraktarit Gjon Mark Gjoni. Ky mision Italian bëri një studim strategjik-tektonik të gjirit të vjetër shqiptar që gjendet midis Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Në Veri, të Shqipërisë ishin dislokuar forcat e ushtrisë austro-hungareze, në shtabin e tyre ekonomik bënin pjesë disa nga gjeologët më të dëgjuar të Austro-Hungarisë, si Ernest Novak, S. Veigner, Roth. V. Telegt, O. Aufener, Ë. Hammer të cilët vazhdonin punën e parardhësve të tyre baronët F. Nopça dhe H. Vetters. Ernst Novak dhe, duke përmbledhur dhe studimet e të tjerëve, sidomos të J. Burkart, botuan në vitin 1929 për herë të parë hartën gjeologjike të Shqipërisë me shkallën 1: 200.000. Ernest Novak, më 1943, erdhi për të fundit herë në Shqipëri me ushtrinë hitleriane dhe mbante gradën e kolonelit. Studimet e tij gjeologjike në Shqipëri, Nopça i filloi rreth viteve 1903-1904 dhe deri më 1915. Në juglindje të vendit në tokat e pushtuara nga ushtria franceze, punonin gjeologë francezë nën drejtimin e akademikut Zhak Burkart, ai sinjalizoi në botimet e tij çfaqjet e rërave bituminoze të Bërzheshtës (Qukës) dhe gazin metan të zonës së Korçës. Më 1922, shoqëria franceze ja shiti konçesionin e saj shoqërisë italiane të minierave të Selenicës (SIMSA) e cila e mbajti dhe e shfrytëzoi atë deri më 1944.

Britania e Madhe kërkonte dominancën e saj në Mesdhe dhe interesohej së tepërmi për gjetjen dhe shfrytëzimin e vajgurit në Shqipëri. Ajo gjeti momentin e përshtatshëm më 1920, kur shtetet fqinje kërkonin copëtimin e Shqipërisë, dhe qeveria e Iljaz bej Vrionit kërkonte të forconte pozitat e shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Anglia lunate një rol vendimtarë në marrjen e vendimeve të kësaj organizate. Për të siguruar përkrahjen dhe ndërhyrjen e Anglisë për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qeveria e Vrionit pranoi pa kushte që t’i jepte shoqërisë angleze Anglo-Iraniane (APOC) të drejtën eskluzive për të kërkuar vajguri në Shqipëri në një sipërfaqe prej 200 mijë ha. Si rezultat e bisedimeve me ndërhyrjen e lordit Robert Sesil, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë. Më 17 dhjetor 1920 si anëtare të Lidhjes.Sipas projekt-konçesionit, shoqërisë Anglo Persiane Oil Company (APOC) i njihej e drejta e kërkimit dhe shfrytëzimit për vajguri në të gjithë teritorin e Shqipërisë. Projekt-akt konçesioni përcaktonte se 20% të aksioneve do t’i merrte grupi themelonjës (Promotor) si shpërblim, 60% i jepeshin shoqërisë inisiatore APOC dhe vetëm 20% caktoheshin për shtetin shqiptar. Rivaliteti amerikan për burimet e vajgurit si në gjithë botën edhe në Shqipëri ka qenë shumë i madh. Shoqëria amerikane “Standart Oil Company” e krijuar më 1870 nga Rokfeleri i cili quhej mbreti i naftës, organizoi një betejë ligjore duke përdorur avokatët e saj. Përfaqësuesi i shoqërisë E.S. Sheffield ishte autorizuar për të biseduar e përfunduar kontratat me qeverinë shqiptare mbi tokat me perspektivë për vajguri, si në zonat e Durrësit, Kavajës, Lushnjës, dhe Beratit. Për grindjet në fushën e vajgurit shqiptar ndërmjet Italisë dhe Anglisë ja si shprehet A. Baldaçi në veprën e tij “Studi special Albanesi”. “Pengesat e konkurentëve tanë u bënë të padurueshme…ishim të detyruar t’i lypnim Londrës naftën e Shqipërisë, një vend që e kishim aq fqinjë, të cilën duhet ta mbanim nën influencën politike”.

Në librin me kujtime të Sejfi Vllamasit shkruhet ndër të tjera për bisedën e Ambasadorit anglez Eden me një të arratisur politik shqiptar në Paris ku ndër të tjera i thotë: “Vajguri hoqi Turqinë nga Mosuli, po ashtu vajguri ju përzuri edhe ju dhe sollëm Zogun”. Por në të njëjtën kohë rritet rivaliteti mes Briatnisë së Madhe dhe SH.B. Amerikës për të pasur zonat e tyre të vend burimeve të naftës, sepse siç dihet në luftën e parë botërore u shfaqën për herë të parë aeroplanët të cilët furnizoheshin me naftë e më së shumti nga kompanitë amerikane. Amerikanët ishin përjashtuar nga marrëveshja e San Remos më 1920, si pjestarë në ndarjen e aktiviteteve të vajgurit që kishte patur Gjermania e mundur në kontinentin euro-aziatik (sidomos në Irak), prandaj nuk lëshonin pe për shtetet e tjera konkuruese. Francezët nga ana e tyre shpejtuan të krijonin shoqërinë “Sindikata franko-shqiptare e studimeve” me qendër në Paris, si dhe grupin londinez “H.H. Rushton” me qendër në Londër. Kjo konkurencë e shoqërive të ndryshme e vinte shpesh qeverinë e Zogut në pozita të lëkundura dhe me ndërrime të shpeshta të kabineteve ministrore. Opozita me Partinë Popullore në gjirin e së cilës ishin patriotë të ndershëm si Luigj Gurakuqi demaskonte politikën antishqiptare me konçesionet politike që binin erë dallavere e pazarllëqe politike. Luigj Gurakuqi, në gazetën “Ora e maleve” Nr. 24, datë 23 shtator 1923, ndër të tjera thoshte: “Ndonse e dij shumë mirë se me artikujt e mij mbi çështjen e e vajgurit kam fitue e do të fitoj mëninë e shumëkujt… lajthimi i bamun në dhanien e një koçesioni…mund të ketë rrjedhje aq të liga, sa të kompromentojë në mënyrë të pandreqëshme zhvillimin ekonomik financiar të vendit tonë e të sjellë mbi krye tonë mallkimet jo vetëm të bijve, por dhe të nipave e stërnipave tonë”. Qeveria e Zogut u rikthye në fuqi me mjetet financiare të shteteve që përfaqësoheshin nga këto shoqëri aksionere dhe armët e mercenarëve të Vrangelit, që i kish dhënë qeveria jugosllave e Kral Aleksandrit, u dha shoqërive të huaja një sipërfaqe të përgjithshme prej 690.253 mijë   hektarësh për të zhvilluar studime, kërkime e shfrytëzim për vajguri, që përbënte mbi 25% të sipërfaqes së vendit. Qeveria shqiptare e asaj kohe mori për këtë qëllim një shumë të hollash prej 568.336 fr.ari, ose 0,82 fr.ari për hektar.

Përfaqësuesit e Romës në Shqipëri dhe sidomos ministri fuqiplotë Italian Ugo Sola si dhe kryetari i misionit ushtarak gjeneral Alberto Pariani, shtuan së tepërmi presionet pranë qeverisë shqiptare për të mos i bërë asnjë pengesë vërshimit të shoqërive konçesionare italiane. Me vendim të qeverisë së Zogut Nr.507 datë 19 qershor 1929, Ministria e Financave autorizohej të lidhte një kontratë me shoqërinë italiane AGIP sipas së cilës kjo shoqëri kishte monopolin e karburanteve në vend dhe ishte i vetmi furnitor. Kjo shoqëri kishte të drejtën të sillte karburantin me çmimet e Nju Jorkut dhe mbi çmimin e bursës së Nju Jorkut vendoste edhe çmimin e transportit në Shqipëri dhe brenda vendit, si edhe atë të ambalazhit. Ambalazhi dhe çmimi i transportit i kalonin disa fish çmimet e bursës së Nju Jorkut e cila vazhdimisht pësonte ulje. Kjo situatë plotë vjedhje e mashtrime u bë pjesë e protestave ndaj qeverisë së kryeministrit Koço Kota i cili ia kishte dhënë këto konçesione AGIP-it. Shoqëria Anglo Persiane zhvilloi studimet gjeologjike për sqarimin e perspektivës dhe plotësimin e studimeve të saj, ndërsa nga ana tjetër ngadalësoi shpimin e puseve, për arsye të ndërhyrjes brutale të qeverisë italiane në Shqipëri. Shoqëria Anglo-Persiane me studimet e saj që bëri dhe me shpimet e puseve që kreu, zbuloi se në vendburimin e Patosit kishte vajguri në shkallë industriale. Më 1934, qendra e administratës së shoqërisë AIPA u transferua në Kuçovë, ku, nga kërkimet e shumta të shpimit ishte zbuluar vendburimi i naftës. Inxhinjer Çesteleti u zëvendësua më vonë prej inxhinjer Andrea Taraskoni i cili u mbajt deri në vitin 1947 dhe u dënua me fakte si sabotator. Sipas Inxhinjer Zenel Hamitit në librin e tij me titull “Historiku i Vajgurit në Shqipëri”, botim i vitit 1966, në faqen 70 citojmë: ” Jo më pak i rëndësishëm ka qenë aktiviteti i drejtëpërdrejtë që ka zhvilluar Stanislav Zuberi në fushën e orientimit të kërkimit dhe zbulimit të vendburimeve të vajgurit nga AIPA”. Gjeologu Stanislav Zuber kishte kryer studime në konçsionet italiane të Egjyptit dhe Irakut. (ky vdiq nga torturat në burgjet komuniste).

Më 1933 sillen për herë të parë në Shqipëri sondat e thella rrotulluese të tipi Ëirth dhe Haniel nga Gjermania dhe të tipit Trausl nga Austria, të cilat u vunë në punë në vendburimin e vajgurit në  Kuçovë. Në një shtojcë marrëveshje të nënshkruar nga pala shqiptare nga Dhimitër Berati dhe nga ajo italiane ministri Indeli më 19 mars të vitit 1936, qeveria shqiptare kishte të drejtën të merrte një taksë prej 13.5% mbi prodhimin në natyrë, ndërsa shoqëria AIPA detyrohej, nga ana tjetër, të ngrinte një rafineri (disteleri) të vogël për nevojat e vendit me kapacitet 30 mijë tonë vajguri bruto. Megjithë që ishte e detyruar, shoqëria AIPA asnjëherë nuk iu përmbajt detyrimeve të saj, nuk e ngriti rafinerinë dhe nuk e hoqi monopolin e karburanteve ndaj vendit. Më 25 dhjetor1935 u ngarkua vapori i parë çisternë “MAYAR” me vajgurin shqiptar për t’u transportuar drejt uzinave të përpunimit “Fiume” (ROMSA). Më vonë vajguri bruto i Kuçovës u përpunua në uzinën ANIC të Barit e të Livornos. Një tjetër tabllo na jepet në librin e Pietro Kuaroni me titull “Valixhja Diplomatike” në faqen 159-160, ku citojmë: “Nevoja e papritur për t’i siguruar A.G.I.P-it monopolin e shitjes së naftës e të benzninës në Shqipëri, solli me vete një nga bisedimet më të komplikuara. Nuk e kam kuptuar kurrë siç duhet, përse ne kërkonim kaq shumë për ta patur këtë monopol: është e vërtet që tregtia e naftës në veçanti merrte një rëndësi të madhe në këtë vend, por nuk është aq më pak e vërtetë se importuesit më të mëdhenj të naftës në Shqipëri tanimë ishin italianë. Të thoshte mendja që në një çast të dhënë e tërë politika jonë ushtarake do të shembej nga themelet, në qoftëse do të shtyhej ndërtimi i disa rezervuarëve në Durrës e gjetkë. Ishte një gjë që ata nuk arrinin ta kuptonin dhe nga ana tjetër, aryetimi i tyre ishte fare i thjeshtë: Italia nuk ka fare naftë, si mund të na furnizojë ne me naftë me të njëjtin çmim si kokurentët e saj? Pra duhet të ketë këtu një batakçillëk, por ku? Sipas këndvështrimit të Pietro Kuaronit bazuar nga ajo çfarë i kish treguar Zogu në një bisedë për psikologjinë e bashkëatdhetarëve të vet duke përdorur ato metaforat e tij të zakonshme, sipas së cilës: “Nëse unë zotëroj një truall që vlen, sipas vlerësimit tim, dhjetë napolona. Nëse ju më afroni njëmbëdhjetë, unë do të provoj padyshim që të marr një më tepër dhe përfudojmë duke rënë dakort. Përkundrazi nëse ju më afroni njëqind, unë mendoj se ka diçka këtu, diçka që unë nuk e di, ose nuk e kuptoj dhe, për më shumë siguri, ju kërkoj të paktën pesëqind dhe nuk lëshoj më”. Në vjeshtën e vitit 1938, kur vendburimi i Kuçovës kish kohë që ishte vënë në shfrytëzim dhe ishin bërë instalime industriale për nxjerrjen dhe transportin e vajgurit bruto, vijnë në Shqipëri pjesmarrësit e Seksionit të 51-të të shoqërisë gjeologjike të Italisë, ndër të cilët bënin pjesë të gjithë profesorët e gjeologjisë të fakulteteve të Italisë. Ndërmjet tyre ishin ftuar edhe gjeologët më të dëgjuar të huaj, zviceranë, amerikanë, austriakë, etj. Qëllimi i ardhjes së tyre ishte për t’u njohur me gjeologjinë e vendit, kryesisht me atë të vajgurit, dhe për të marrë eksperiencë nga studimet e bëra për gjetjen dhe shfrytëzimin e vajgurit. Në të gjithë këtë situatë konkurence mes shumë shoqërive kishte dhe luftë të fshehtë. Në librin me titull “Retë e zeza” me autor Reshat Nepravishta ja si përshkruhet një detaj në faqen 74-75: “Në Uashington, operacioni që drejtonte Fultsi e patën pagëzuar me një emër tjetër. Unë po e quaj “OPERACIONI FULTS”.

Hulli më foli gjatë për të. Sipas mendimit të tij puna për realizimin e tij kishte hyrë në fazën e parë. Fultsi kishte mundur të krijonte dy grupe me rëndësi. Në grupin e parë hynin ish studentët e Teknikes së Tiranës. Shumica ishin inxhinjerë. Gjatë kohës së Zogut ata kishin treguar aftësi të mëdha, duke i dhënë zbulimit amerikan informata mbi marrëdhëniet e Zogut me Italinë, mbi pasuritë e nëntokës e mbitokës e të tjera. Ky grup punonte me entuziazëm”. Historia e këtij libri të ndaluar ende nuk dihet. Me interes është edhe libri i njërit prej eksponentëve të “Ballit Kombëtar” Abas Ermenji i cili në librin e tij “ALBANIA” “Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, botuar më 1968, ndër të tjera shkruan në faqen 418: “Kështu Zogu iu suall Italisë, me të cilën kish nisur t’i afrohej porsa u kthye nga Jugosllavia. Në mars të 1925, dërgoi në Romë Mufit Libohovën për të bërë me qarqet financiare italiane marrëveshjen e një huaje dhe atë të shfrytëzimit të pasurive natyrore të Shqipërisë. Mufit Libohova që shkoi si mik ose si agjent i Italisë, u pritë në Romë me nderime të mëdha dhe, natyrisht, u shpërblye mirë…Grupet financiare italiane e dinin se si ecnin punët, prandaj nuk i kursyen bakshishet, duke i dhënë Zogut pjesën që i takon luanit, e pastaj rrethit të tij, si Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Iliaz Vrionit dhe të tjerëve pjesën që i takon ujkut dhe dhelprës. Përfundimi ish se marrëveshjet financiare ekonomike me Italinë, të cilat filluan të nënshkruheshin në maj të 1925, u bënë të gjitha në përfitim të kapitalit Italian dhe ashtu siç desh Italia”. Në librin e Mehdi Frashërit me titull”Problemet shqiptare”, në kapitullin,”Shkaqet ekonomike të prapambetjes së Shqipërisë”, theksohet që: “Shqipëria si një vend i pasur ka nevojë që të ndjek një model anglosaksion në legjislacionin e saj, të zhvilloj industrinë metalurgjike, industrinë përpunuese të naftës dhe një transport hekurudhor” Një tjetër temë sipas gazetës “Besa” organ i qeverisë së Zogut e datës 5 dhjetor 1933, shtrëngohet të pohojë se “Kemi konstatuar, psh, se ndonjë shoqëri sipërmarrëse i ka mashtruar punëtorët, duke i angazhuar me një çmim dhe duke u dhënë shumë më pak, se i kanë lënë mes katër rrugëve, kur kanë pësuar ndonjë mjerim në punë e sipër”. Punëtorët e naftës janë masakruar dhe kanë punuar në kushte shumë të rënda në shoqëritë italiane.

Dhe për të fituar të drejtat e tyre ata u bashkuan dhe formuan shoqërinë “Puna” me qendër në Kuçovë. Fill mbas kapitullimit të Itailisë, Gjermania naziste dërgon me shpejtësi të madhe ushtritë e saj dhe pushton nyjet kryesore të qyteteve. Ajo me shpejtësi të rrufeshme pruri nga Shkupi për në Kuçovë projektet dhe pajisjet e baterive për ngritjen e impiantit distilimit atmosferik, të përgatitura qysh më parë në Gjermani apostafat për tu përdorur në vendet e okupuara, me qëllim prodhim i menjëhershëm karburantesh, sidomos benzinë dhe gazoil.Në shërbim të nazistëve u vu i gjithë personeli italian në Kuçovë  me në krye ish drejtorin AIPA-s, Andrea Taraskoni. Pa u çliruar akoma i gjithë vendi, Qeveria në vjeshtën e vitit 1944 dërgoi menjëherë në Kuçovë, Komisarin e saj të jashtëzakonshëm, Koço Theollosin për të grupuar punëtorët shqiptar, për të filluar rindërtimi dhe për të vënë prodhimin e vajgurit si industri me rëndësi të madhe, që do të ndihmonte në rindërtimin e vendit. Në librin e inxhinier. F. Arkaxhiut me titull TË NJOHIM PASURITË E SHQIPËRISË HEKURI, botuar më 1966, vihet në dukje jo vetëm pasuria e nëntokës shqiptare me minerale, por shtrohet nevoja e domosdoshme e ngritjes së industrive metalurgjike. Sipas një tjetër libri me titull “PASURITË MINERALE TË SHQIPËRISË” me autor profesor Skënder Dede botuar në vitin 1966, krahas tabelave që tregojnë sasinë e prodhimit të naftës ndër vite, si psh nga viti 1928 fillon me 9 mijë tonë e deri në vitin 1965 kemi 822 mijë tonë naftë. Për prodhimin e naftës për frymë, vendi ynë ua kalon sot shumë shteteve të mëdha të Evropës, psh në vitin 1961 Shqipëria prodhonte 464 kg për frymë, Franca 47 kg, Gjermania federale 115 kg etj. Më pas profesor Dede na jep të dhëna për bitumen.

Miniera e Selenicës është nga të lashtat në botë, vendburimet e bitumit janë shumë të rralla dhe njihen në disa shtete, si në Rusi, Venezuelë, Kubë e Palestinë. Më pas në libër flitet për qymyrin dhe krahinat e vendet ku ndodhet dhe industria e qymyrit. Kromi ka rezerva të mëdha në Shqipëri thekson autori. Vendburimet e kromit lidhen me shkëmbinjtë ultrabazikë, të cilët përhapen në veri nga Tropoja, Puka, Kukësi, Lura, Bulqiza, Burreli, Shebeniku e deri në Leskovik. E më pas vazhdon me Hekurin i cili gjendet në zonën e Pogradecit dhe Librazhdit, Kukësit, Krumës, Bilishtit, Lurës. Bakri i cili gjendet në vendburimet e mineralizuara të bakrit të Mirditës (Rubik), Derven dhe të Kukësit. Kripërat që paraqiten me perspektivë në zonat e Dumresë edhe të Korabit, shkruan autori. Silikatet e magnezit, dolomitet, gëlqerorët, përdorimi i boksideve dhe i aluminit, më tej profesori shkruan për mineralet e Titanit, Zirkonin, Granatet, Shkrifërimet. Më tej autori na fton në kapitullin “Mineralet e Dobishme Jo Metalike”. Së pari Squfuri, Piriti, Fosforitet, Argjilet, Rërat, Haliti, Gipsi, Granitet, Albitofiret, Kaolina. Në pjesën e katërt flitet për pasuritë e reja minerale siç janë Mangani, Plumbi, Zingu, Arseniku, Azbesti, Talku. Materiale të tjera me shenja premtuese janë Ari, Platini, shkruan në përfundim profesor Skënder Dede.

Shekulli XXI është quajtur shekulli i energjisë, ndaj kombet që do të kenë depozita uraniumi, litium, burime ujore, dhe energjitike si naftë dhe gaz dhe të tjerë që po përgatiten për energjinë e rinovueshme do të kenë të ardhme dhe zhvillim. Shqipëria i ka hedhur disa hapa, e rëndësishme është që politika të ketë një strategji zhvillimi afatëgjatë e të dakortësuar, duke shpallur çështjen energjisë me rëndësi strategjike kombëtare.

Kastriot Kotoni

Lini një Përgjigje