Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) organizoi sot një bashkëbisedim të veçantë me gazetarin, studiuesin dhe përkthyesin Ben Andoni, në kuadër të ciklit “Personazhe në Fokus”.
Në prani të panelistëve, miqve dhe të rinjve, Andoni ndau përvojën e tij shumëvjeçare si gazetar, hulumtimin në fushën e studimeve dhe përkthimeve, si edhe foli mbi botimin e tij më të fundit, “Shqipëria prej letrave” (studim mbi epistolarët e shqiptarëve të njohur).
Ky takim ishte një hapësirë reflektimi dhe dialogu mbi kujtesën, kulturën dhe fjalën e shkruar, ku autori ftoi të lexohet më shumë dhe të mendohet më thellë.
Të pranishmit folën mbi kontributin e Ben Andonit si gazetar e publicist, fillesat e profesionit dhe modelin që ai sjell për brezin e ri.
Vetë autori, për të cilin u organizua ky takim letrar, përmendi sfidat me të cilat e përball përkthimi, paragjykimin e përkthimit nga serbishtja, qasjen nacionaliste të shkrimtarëve si dhe dialektet e ndryshme me të cilat përballet gjatë përkthimit, shkruan atsh.
Botuesja Irena Toçi vlerësoi punën e bërë nga Ben Andoni, falë së cilës kanë ardhur në shqip shkrimtarët më të mirë të Serbisë, duke hapur një dritare të jashtëzakonshme në kulturën shqiptare për të njohur kulturën serbe.
Toçi përmendi faktin se, thuajse të gjithë autorët e përkthyer prej tij nga serbishtja janë ftuar në Tiranë nëpërmjet ndërmjetësimit të Ben Andonit.
“Ben Andoni është një njeri me tone të ulëta në përgjithësi, por kontributet e tij në shoqërinë tonë janë të shumëfishta dhe ai është i përgjegjshëm për rolin që ka, se përndryshe nuk do të kishte treguar përgjegjësinë që ka treguar në çdo fushë ku ka kontribuar, të paktën në 25 vite gjatë të cilave ne kemi bashkëpunuar”, u shpreh botuesja Irena Toçi.
Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, vlerësoi kontributin e Ben Andonit në disa fusha, e sidomos kontributin e tij të vazhdueshëm në diskursin publik.
“Kur flasim për kulturë, është shumë e rëndësishme që kultura të jetë aktive. Kohët në të cilat jetojmë sot kanë nevojë për kulturë të vazhdueshme, për njerëz që kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme, duke mos u stepur, duke mos hezituar dhe duke dhënë më të mirën për të cilën shoqëria ka nevojë, dhe Beni e jep këtë përmes zërit të tij, një zë që vjen nga librat dhe autorët që ai përkthen, nga dituria e madhe që rrjedh nga këto lexime, u shpreh Alda Bardhyli.
E ftuar të fliste mbi librin “Shqipëria prej letrave”, historiania Nevila Nika, vlerësoi rolin e letrave si pasqyrë e kohës.
“Sot jemi në epokën kur letra nuk shkruan më njeri dhe kjo është një fatkeqësi shumë e madhe, pasi në botën digjitale mund t’i korrigjojmë sa herë të duam. Por edhe pika dhe presja kanë rëndësinë e vet”, tha Nevila Nika, e cila vijoi fjalën e saj duke sjellë detaje interesante nga letrat (korrespondencën) që gjenden në arkivat shqiptare.
Lini një Përgjigje