Shitja e vizatimit të fundit të Michelangelos në ankand fillon nga 30 milionë euro

17 Maj 2022, 14:53Kulturë TEMA

Shitja e vizatimit të fundit të Michelangelos në ankand fillon

Një vizatim i mahnitshëm. Është nënshkruar Michelangelo (1475-1564). Dhe është gjithashtu i fundit që ka mbetur në duar private. Kjo është arsyeja pse ankandi i “Christie’s” që do të mbahet nesër në Paris është event tepër i madh. Protagonist absolut: Një i ri nudo (nga Masaccio) i rrethuar nga dy figura, një vizatim i bërë në fillim të karrierës së tij që do të dalë në shitje me një vlerësim fillestar prej 30 milionë euro.

“Është një vepër jashtëzakonisht e rrallë, një nga vizatimet e pakta të Michelangelo-s ende në duar private”, specifikuan nga shtëpia e ankandit Christie’s, që do ta prezantojë veprën si top-lotin e katalogut “Maîtres anciens et du XIXe siècle. Tableaux, dessins, scultures». (Mjeshtrat e vjetër dhe arti i shekullit të 19-të: piktura, vizatime dhe skulptura).

I ardhur nga një koleksion privat francez, vizatimi (33 x 20 cm) ishte shpallur një “thesar kombëtar francez”, duke penguar fillimisht eksportin e tij nga Franca për një periudhë 30 mujore. Qeveria franceze kohët e fundit hoqi këtë pengesë dhe dha licencën e saj të eksportit, duke lejuar që dizajni të ofrohet pa kufizime për koleksionistët në mbarë botën. Para shitjes në Paris, vizatimi i Michelangelo-s do të ekspozohet në Hong Kong dhe New York.

Njohur në 2019 si “një Michelangelo”

Vepra u njoh për herë të parë si “një Michelangelo” në vitin 2019 nga Furio Rinaldi, atëherë specialist në departamentin e vizatimeve antike të “Christie’s”.

Paul Joannides, profesor emeritus i historisë së artit në Universitetin e Cambridge dhe autor i katalogëve të plotë të vizatimeve nga Michelangelo dhe shkollës së tij në Muzeun “Ashmolean” në Oxford dhe në Louver, më pas ishte në gjendje të studionte origjinalin dhe të arrinte t’ia atribuonte atij.

I shitur në vitin 1907 në Hôtel Drouot në Paris si një vepër e shkollës së Michelangelo-s, vizatimi i kishte shpëtuar vëmendjes së të gjithë studiuesve deri në rizbulimin e tij të fundit. (Ky vizatim është ndoshta studimi i parë nudo i mbijetuar i artistit).

Modelet e frymëzuara nga Masaccio

Figura qendrore e veprës riprodhon njeriun që dridhet të përshkruar në Pagëzimin e Neofitëve, një nga afresket e famshme në kapelën Brancacci të kishës së Santa Maria del Carmine në Firenze nga mjeshtri i parë italian i Rilindjes, Masaccio (1401-1428).

Disa studime të tjera të Michelangelo-s të frymëzuara nga Masaccio janë të njohura, duke përfshirë një vizatim në “Staatliche Graphische Sammlung” në Munich dhe një në “Albertina” në Vjenë, si dhe një vizatim i frymëzuar nga një afreske e Giotto-s në Louver.

Duke përdorur dy nuanca të bojës kafe, Michelangelo e bën të tijën figurën e Masaccio-s, duke rritur muskulaturën e njeriut dhe duke krijuar një figurë më të fuqishme dhe më të ngjeshur që lajmëron paraqitjet e tij më të famshme të trupit të njeriut, siç është Davidi i tij monumental në mermer në “Galleria dell’Accademia” di Firenze dhe “Dy skllevërit” e tij në Louver.

Në një stil krejtësisht të ndryshëm dhe më energjik, Michelangelo më vonë shtoi dy figura pas “burrit që dridhej”, që nuk kishin lidhje me kompozimin e parë të Masaccios.

Kryeveprat e mëparshme: nga Raffaello te Leonardo

Shitja e këtij vizatimi të ruajtur mirë nga Michelangelo zë vendin e saj në radhët e veprave të tjera të shkëlqyera në letër të ofruara në ankand nga “Christie’s” vitet e fundit, duke përfshirë “Koka e muzës” të Raffaello-s, i cili është shitur në Londër për më shumë se 29 milionë pound në dhjetor 2009; “Koka e ariut” e Leonardo da Vinçi-t, e cila arriti gati 9 milionë pound në 2021; një studim i rrallë nudo mashkullor nga Michelangelo u shit në Londër më 4 korrik 2000 për më shumë se 8 milionë paund, duke vendosur rekordin botëror për një vepër të artistit.

Stijn Alsteens, kreu i Departamentit Ndërkombëtar të Vizatimeve Antike të “Christie-t”, tha: “Që nga zbulimi në vitin 2001 i një vizatimi nga Michelangelo në Castle Howard, tani në Muzeun J. Paul Getty në Los Angelos, nuk është rishfaqur kurrë më parë në ankand një vizatim i panjohur me një bukuri dhe rëndësi më të madhe prej një nga figurave më të mëdha të historisë së artit. Vizatimi është një nga më të mirët nga më pak se dhjetë veprat në letër të Michelangelo-s ende në duar private dhe do të bëhet një gur prove për çdo diskutim të pjesës së hershme të karrierës së gjatë të artistit. Me shumë krenari e sjellim në treg këtë vizatim, tashmë i njohur plotësisht si vepër e Michelangelo-s, pas daljes së tij të fundit më shumë se një shekull më parë”.

Lini një Përgjigje