Një tjetër film do të restaurohet falë nismës “Adopto Një Film për Restaurim”, një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Drejtori i AQSHF, Eljan Tanini njoftoi se filmi i radhës që do të restaurohet është filmi “Shoku ynë Tili”. Tanini falënderoi në rrjetet sociale shtetasin nga Kosova, Baki Wahsh, për dashamirësinë, duke mundësuar shpëtimin dhe restaurimin e “Tilit”, një film i dashur për shumë breza shqiptarësh.
Kreu i AQSHF tha se, nisma është ende e hapur për çdo film shqiptar, dokumentar dhe animacion shqiptar.
“Shoku ynë Tili” është një film shqiptar i prodhuar në vitin 1981, me regjinë e Fehmi Hoshafit, skenarin nga Qazim Kashari, Naum Bitri dhe Halil Kamberi, si edhe me muzikën e Tahsin Hoshafit. Në rolet kryesore interpretojnë: Elida Janushi si mësuese Besa, Arben Latifi në rolin e Tilit, Lutfi Hoxha si babai i Tilit, Zyliha Miloti, Vasillaq Vangjeli, Ndrek Shkjezi etj.
Më herët AQSHF nënshkroi një tjetër marrëveshje për restaurimin e filmit “Mimoza Llastica”. A.K./TemA
Lini një Përgjigje