Në Festivalin e Librit Shqip këtë vit në Toronto, gjatë një bisede për rrëfimin dhe rrëfenjën, ra fjala te fëmijët dhe këmbëngulja e tyre për t’u treguar të njëjtën përrallë a histori, çdo natë, para gjumit.
Të gjithëve do të na ketë qëlluar ta bëjmë – në të dy rolet, edhe të dëgjuesit edhe të rrëfimtarit; dhe ta marrim për të mirëqenë. Njëlloj do të mbajmë mend edhe filmat që i shihnim nga katër-pesë herë në kinema.
Dukuria njihet, është përshkruar dhe është studiuar: fëmijëve u pëlqen përsëritja. Dhe po të provosh që ta ndryshosh disi rrjedhën e ngjarjeve, fëmija të korrigjon sakaq. Rrëfimi – si të ishte lutje a evokim magjik – duhet riprodhuar saktë.
Është thënë se fëmijëve, para gjumit, u duhet qetësia që sjell me vete parashikueshmëria, e cila krijon siguri emocionale. Veç kësaj, kur e dinë se çfarë do të ndodhë më pas në rrëfenjë, fëmijëve u rritet vetëbesimi.
Çfarë nuk kam parë të sillet mjaftueshëm në vëmendje, është raporti që vendos fëmija me të rrëfyerit – si akt performativ, që e mundëson rrëfimin produkt. E mundëson duke e prodhuar.
Tek e fundit, pjesë e rrëfimit është edhe mënyra si e tregojmë një histori, intonacioni i ligjërimit, zërat e ndryshëm që u japim personazheve, pauzat që bëjmë, emocioni që ia shtojmë fjalës, shprehjet e fytyrës, gjestet e duarve dhe të trupit.
Monologu i rrëfimtarit është edhe interpretim skenik.
Nëse fëmijës i japim një histori të re, vëmendja e tij do të përqendrohet te çfarë ndodh, te fati i personazheve, te përpunimi logjik i ngjarjes. Por me kohë, pasi fëmija ta ketë “mësuar” rrëfenjën, mund t’ia lejojë vetes fokusimin tek anë të tjera të procesit rrëfimtar.
Na ngatërron këtu polisemia e fjalës rrëfim në shqipe, që – si në shumë gjuhë të tjera – shënjon edhe produktin e një akti ligjërimor, edhe aktin vetë. Përkundrazi, fjala rrëfenjë priret t’i referohet më shumë produktit, ngjarjes së rrëfyer (e cila ajo vetë mund të konsistojë në akte të ndryshme të personazheve, por që ndodhin dhe konsumohen në një univers tjetër nga ai ku ndodh akti i të rrëfyerit).
Ndryshe nga teatri, që e imiton ngjarjen në skenë dhe filmi që e riprodhon ngjarjen në ekran duke e kaluar nga tre në dy përmasa, rrëfimi ka nevojë për imagjinatën e dëgjuesit, që të mund të realizohet.
Por nuk ka prind që të mos e dijë se fëmijës i pëlqen që një përrallë të tregohet bukur – duke integruar në ligjërim elemente të teatrit. Ndonjëherë të ekzagjeruara.
Synimi këtu është që fëmijën ta përfshish në ngjarjen e rrëfyer, duke ia manipuluar – në kuptimin e mirë – aftësinë e natyrshme për t’u sinkronizuar emocionalisht me rrëfimtarin.
Me fjalë të tjera, fëmija që kërkon me këmbëngulje t’i rrëfehet e njëjta përrallë a histori, e bën edhe ngaqë i pëlqen të rrëfyerit e prindit, ose teatri privat.
Më kujtohet nga fëmijëria e hershme, kur ende nuk kishim televizor, përralla e mbrëmjes për fëmijë në Radio Tirana në orën shtatë pa një çerek, të cilën e rrëfente – në mos gaboj – Vera Zheji. Unë e dëgjoja, edhe pse ishte ende herët për të rënë për gjumë. E dëgjoja bashkë me të tjerët në shtëpi. Dhe mbaj mend nënën time të vërente: “kushedi si e bën fytyrën kjo, kur i thotë këto,” sa herë që folësja imitonte në mikrofon kafshë të ndryshme, personazhe përrallore e tronditëse.
Radioja nuk e lejonte këtë përdorim të mimikës, gjatë rrëfimit; por kjo nuk ishte pengesë për imagjinatën. Mbase edhe unë, fëmija, kisha një përfytyrim timin, për gruan që rrëfente përrallën, të cilin tani nuk e kujtoj dot më; përkundrazi, zërin ia kam në mendje edhe sot.
Në rrëfimin gojor gjen gjithnjë elemente – vegla, teknika – që lajmërojnë, edhe rregullisht, se është duke u përftuar një rrëfenjë. Përrallat gjithnjë nisin dhe mbarojnë me formula të ngrira: “ishte mos na ishte”, “na ishte një herë” e kështu me radhë. Që funksionojnë si sinjali për ta kaluar referencën e ligjërimit nga bota “reale” në një botë imagjinare, me ligje, personazhe dhe rregullsi të tjera, një botë që nuk kërcënon drejtpërdrejt, sepse është përtej. Në shqip, ajo “ishte” e zhvendos edhe kohën në të shkuarën, por kjo është një e shkuar e posaçme, larg nesh edhe në gjeografi.
Kjo formulë nuk është pjesë e rrëfenjës, edhe pse shpesh jepet në tekste e integruar në të. I përket më shumë rrëfimit si akt, dhe i drejtohet fëmijës, ose cilitdo tjetër që po e dëgjon përrallën. Është çelësi që e lajmëron ndryshimin në tonalitetin e përjetimit.
Ngjashëm funksionon edhe e ashtuquajtura “dhanore etike”, si në shembullin më poshtë:
Na ishte një herë një dhelpër e vogël. Dhe kësaj dhelpre na i kish shkuar mendja që të shihte botën.
Kjo na, që është dhanorja e vetorit ne, ndihmon për ta përfshirë dëgjuesin në aktin e të rrëfyerit, duke krijuar një mikro-grup, “ti dhe unë”, të nevojshëm për ta mbajtur gjallë aktin dhe që merr pjesë në kontekstin ku rrëfehet ngjarja, duke shënjuar pjesëmarrësit në produksionin e tekstit.
Në një rrafsh tjetër, fëmijën do ta tërheqë edhe epiteti “e vogël”, për dhelprën – aq sa të indentifikohet me të menjëherë. Të gjitha këto janë shenja tekstuale që narratologjia i identifikon si të lexuesit model (Umberto Eco).
Ngjashëm veprojnë formulat me të cilat mbyllen përrallat: “përralla në lesh/në vesh, shndetja prej nesh/e mira prej nesh”, të cilat janë funksionalisht të barasvlershme me uljen e perdes në teatër, si ndarëse botësh.
Fëmijës i pëlqejnë dhe i shijojnë këto lojëra gjuhësore, sepse nëpërmjet tyre vendos lidhje sa me historinë që i rrëfehet, aq edhe me rrëfimtarit, që është zakonisht prindi ose një familjar tjetër, por mund të jetë edhe një edukatore kopshti a një personazh televiziv.
Ato vërtet përsëriten edhe nga një përrallë në tjetrën, por rrethana kur tregohet e njëjta përrallë, i nxjerrin më mirë në pah, sa kohë që fëmija tani mund t’ia lejojë vetes që ta përdorë energjinë mendore për deshifrimin dhe shijimin e tyre.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Lini një Përgjigje