“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”/ Nënë e bijë, Yllka Mujo dhe Elia Zaharia, i japin zë katër dekadave krijimtari të poetit Preç Zogaj

19 Maj 2026, 09:23Kulturë TEMA
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”/

"Në çdo pasqyrë na sheh mëkati, po unë s'kam tjetër pasqyrë përveç teje..."

Me këtë varg që mban edhe titullin e vëllimit jubilar të Preç Zogajt, u hap sipari i një mbrëmjeje ku fjala mori peshën e shpirtit. Në recitalin e mbajtur në Teatrin Eksperimental, përpara një sallë të mbushur plot me miq, shkrimtarë dhe personalitete të shquara të artit e kulturës, këto vargje gjetën interpretimin më të pastër pikërisht kur nënë e bijë, Yllka Mujo dhe Elia Zaharia u bënë bashkë për t'i dhënë jetë katër dekadave krijimtari të poetit.

Yllka Mujo, me zërin e saj dhe pjekurinë skenike, Elia Zaharia me një finesë, brishtësi e ndjeshmëri të lartë, sollën secila një ngjyrim krejtësisht unik duke recituar disa nga poezitë më të spikatura të këtij vëllimi.

Ky bashkim i nënës dhe bijës, përmes një harmonie të rrallë artistike, e bëri poezinë e Zogajt të ndihet e gjallë dhe e prekshme për të gjithë publikun e pranishëm në sallë.

Kësaj mbrëmjeje plot dritë i dha një nuancë akoma më të ngrohtë dhe të ndjerë prania në skenë e Luiza Xhuvanit.  Me një finesë të rrallë dhe një zë që përcillte një qetësi drithëruese, ajo u zhyt në vargjet e Zogajt duke sjellë një interpretim tejet intim dhe plot dritëhije emocionale. 

*Recitali poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” kushtuar Preç Zogajt, një prej zërave më të rëndësishëm të poezisë, bëri bashkë më 13 maj, në Teatrin Eksperimental figura të shquara të artit. Ky recital do të mbahet ne 5 qytete të ndryshme të Shqipërisë.

/mapo/

Lini një Përgjigje