Si e përjetoi Lasgush Poradeci vdekjen e gruas: Më fal Nafija ime, më fal...

29 Korrik 2025, 13:33Kulturë TEMA

     … “Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgush Poradeci i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë.

Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.

Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të.

Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.

Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.

*Nga: Lasgush Poradeci, Vepra III, “Shqipja, ditar, korrespondencë” – përgatitur nga të bijat, Kostandina dhe Marie Gusho.

1 Komente

  1. N
    Njeri i kesaj bote

    Shume bukur, shume pikelluese, sa e thjeshte eshte jeta, sa te komplikuar e ben ate politika...... shpresoj te kete mundesi te takohen shpirtra te tille te larte ne nje bote te pertejshme, se kjo bota reale ka qene gjysem ferr. Ose ta bejne nje kategori njerezish (kafshesh), te tille.... Lasgushi hyn te te paktet.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje