Si e shpiku Black Sabbath zhanrin heavy metal

30 Korrik 2025, 20:25Kulturë TEMA
Si e shpiku Black Sabbath zhanrin heavy metal

Ozzy Osbourne, legjenda e rock-ut dhe këngëtari kryesor i grupit Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Së bashku me bashkëthemeluesit Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward, ai krijoi një prej grupeve më me ndikim në historinë e muzikës, duke shpikur vetë heavy metal-in.

Në vitin 1968, grupi nisi si një bandë bluzi me emrin The Polka Tulk Blues Band, por vetëm një vit më vonë u transformuan në Black Sabbath, duke u frymëzuar nga filmat horror dhe realiteti i zymtë i Birminghamit industrial. Ndërsa rock-u i kohës fliste për “lule në flokë”, Sabbath sollën errësirën, frikën dhe rebelimin.


Kitaristi Tony Iommi, i cili humbi majat e dy gishtave në një aksident në fabrikë, zhvilloi një stil unik që çoi në tingullin e rëndë dhe të thellë që do të bëhej bazë për gjithë zhanrin heavy metal. Bashkë me vokalin e trazuar dhe emocional të Ozzy-t, Sabbath krijuan një identitet muzikor të papërsëritshëm.

Albumi debutues i vitit 1970, “Black Sabbath”, u pasua nga kryevepra si “Paranoid” dhe “Master of Reality”, duke sjellë hite si War Pigs, Iron Man dhe Children of the Grave. Megjithëse shpesh u kritikuan për imazhin e errët dhe për tekstet e tyre të ngarkuara me okultizëm, grupi vazhdoi të fitojë ndjekës dhe ndikim në kulturën botërore.

Lars Ulrich nga Metallica tha në ceremoninë e Rock and Roll Hall of Fame: “Nëse nuk do të kishte Black Sabbath, heavy metal-i nuk do të kishte ekzistuar kështu siç është.”

Pas dekadash suksesi dhe ndikimi, Ozzy Osbourne u nda nga jeta, por muzika dhe trashëgimia e tij do të mbeten të përjetshme./tvklan.al

 

Lini një Përgjigje