Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zhvilluan një verifikim në terren të Kishës së “Shën Sotirit”, në fshatin Thanë, Bashkia Lushnjë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi në rrjetet sociale momente nga puna e specialistëve në rrënojat e kësaj kishe mesjetare, ku u bë dokumentimi në detaje përmes evidentimit të gjendjes aktuale dhe mbetjeve arkitektonike.
Ministri bëri të ditur se, procesi do të vijojë me hulumtime të mëtejshme shkencore dhe me përgatitjen e një projekti që synon identifikimin e fazave të ndërtimit dhe vlerësimin e kësaj trashëgimie me rëndësi kulturore dhe historike.
Kisha e “Shën Sotirit” gjendet midis fshatrave Thanë dhe Kosovë e Madhe në Lushnjë. Nga arkeologu Gjerak Karaiskaj, kjo kishë është përmendur si kishë mesjetare e ndërtuar në shekujt XIII-XIV. Gjithashtu në Muzeun e Lushnjës gjendet një dokument në të cilin përmendet shekulli XIII si kohë e ndërtimit të saj, ndërkohë që thuhet se është prishur përpara vitit 1948.
Kisha e “Shën Sotirit” ka qenë një kishë e vogël, me shumë mundësi njënefshe dhe me afreske.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje