Thënien e Samuel Johnson-it, se "Patriotism is the last refuge of a scoundrel", e dëgjon të sjellë në shqip si Patriotizmi është streha e fundit e maskarait; shumë prej nesh e marrin si refuzim a përqeshje të atdhetarit e të patriotit, në mos edhe të kombëtaristit.
E kanë gabim. Ajo thënie nuk është përkufizim i patriotizmit, por shpjegim i çfarë bën maskarai, kur kërkon të dalë nga balta ose të përfitojë edhe më shumë a të krekoset para syleshëve. Nuk do të thotë se patriotët janë maskarenj, por se maskarenjtë – kur zihen ngushtë a kur duan të bëjnë për vete të tjerët, s’e kanë për gjë të hiqen si patriotë.
Për t’u besuar si patriot, maskarai nuk është se shkon të derdhë gjak për atdheun, nis t’i përkushtohet çështjes publike, del vullnetar për të pastruar parkun apo jep anonimisht pará për veteranët dhe jetimët; si rregull, ai mjaftohet me atë që ta deklarojë patriotizmin e tij, sidomos atje ku nuk pritet.
Gjithnjë do të gjenden budallenj që ta besojnë e të rrëmbushen me të.
Sot këta “patriotë” të deklaruar i gjen në stadiume, duke luajtur luftash; ose në forumet e debateve online, duke u kacafytur me gjithfarë të vetëquajturish patriotë serbë, patriotë grekë, patriotë maqedonas e të tjerë të ngjashëm.
Edhe ky lloj debati, sado i zgjyrshëm, është një lloj sporti; veçanërisht i preferuar nga ca që, gjetiu, identifikohen si incels (beqarë të pavullnetshëm); të gjithë këta tërhiqen veçanërisht pas murit të nevojtores, si kanavacë për artin e tyre anonim dhe abstrakt.
Ca të tjerë, shpesh dështakë në kërkim të rehabilitimit, e shpallin “patriotizmin” e tyre duke identifikuar tradhtarët mes nesh – ata që paguhen nga serbi dhe nga greku, “antishqiptarët”; u vjen natyrshëm roli i denoncuesit dhe i prokurorit.
Kjo e të dalit në publik i veshur kuqezi, ose të paktën me plis e me xhamadan, nuk është thjesht pasion për karnevalin, por edhe orvatje – sado e trashë – për të profiluar një profesion. Kush flet me të madhe për atdhe e për popull, thoshte publicisti amerikan Mencken, pret që ta paguajnë për këtë. Dhe hapësira e ashquajtur “intelektuale” – në shqiptari – është tashmë e mbushur me njerëz që kanë bërë karrierë, dhe që madje paguhen bollshëm si nga institucionet publike në Shqipëri, ashtu edhe nga diaspora, duke recituar të gjitha liturgjitë e duhura, ndonjëherë edhe rregullisht me lot në sy.
Lloj-lloj pseudo-historianësh, folkloristësh e publicistësh që sikur e formulojnë dhe e mbajnë gjallë diskursin kombëtarist; por që në fakt mbi atë diskurs thjesht parazitojnë, për të fituar kapital politik a për të nxjerrë dy lekë.
Në italishte ka një frazë të bukur, që e përdorin për t’u tallur me pseudo-patriotët: ARMIAMOCI E PARTITE, që do ta përktheja kështu “të rrëmbejmë armët dhe nisuni”. Vëreni ndryshimin rrëshqitës në vetën e foljes.
Maskarenj? Disa nga këta, patjetër që maskarenj. Në atë masë që të tjerë frymëzohen mirëfilli nga zelli patriotik, nga dëshira për të qenë qytetarë të mirë dhe për t’i shërbyer atdheut ashtu si munden.
Ka një betejë të heshtur, mes të parëve dhe të dytëve, që i jep tonin diskursit publik mes shqiptarëve; dhe duke parë si është degraduar ky diskurs, vështirë të mos mendojë njeriu se maskarenjtë po tregohen më të zotët, sepse i flasin një publiku gjithnjë e më analfabet.
Po citoj një komentues të një shkrimit tim të hershëm në “Peizazhe të fjalës”, që vërente:
“Unë, pasi kam vëzhguar disa vende dhe shoqeri europiane ku më ka rënë hera të kaloj vite, kam ardhur në përfundimin e natyrshëm se patriotizmi i vërtetë shkon në raport të zhdrejtë me përdorimin e fjalorit patriotik.
Një shoqëri, sa më pak të flasë për Atdhe e patriotizëm, aq më shumë patriote është.”
Këtu do të shtoja vetëm kaq: që ata që betohen për komb e për flamur dhe që e kapin peng publikun e tyre me premtime dhe besëlidhje “atdhetarie”, janë arsyeja kryesore pse patriotët dhe qytetarët e mirë, ata që e duan me zemër vendin e tyre të përparojë, ndihen të nëpërkëmbur dhe të lënë mënjanë.
Këtyre dua t’u them vetëm kaq: mos u tutni nga maskarenjtë që trashin zërin dhe pispillosen me rroba patriotike dhe duan t’i fitojnë të gjitha davatë dhe debatet, duke thirur në ndihmë “rrezikun” që i vjen Shqipërisë dhe shqiptarisë nga tjetri.
Mos u tutni nga njerëz të pafytyrë, që kanë gjetur patriotizmin si strehën e tyre të fundit.
Mos u ndieni në faj, thjesht ngaqë disa zuzarë kanë dalë të luajnë në skenën publike, si komedi, atë narrativë që ju e keni bërë tuajën si pjesë të identitetit dhe të përkushtimit të tyre qytetar.
Patriotizmi si profesion sot është mishërimi i fundit i tartufit.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".
Lexime shoqëruese:
PATRIOTI SOT (2013)
Mbushur me fjalor banal! Cfare mizerabiliteti per nje njeri qe e heq veten studiues!
Shkrim i shkelqyer, si zakonisht nga Ardian Vehbiu. Puna eshte se Vehbiu eshte levrues i nivelit te larte te gjuhes shqipe dhe 50% e lexuesve mund te hasin veshtiresi t’ia kuptojne qasjen dhe ironine. Si ishte ajo shprehja italiane: “armatisemi dhe nisuni”! Dmth armet i marrin te gjithe, por per tu nisur ne lufte nisuni vetem ju te tjeret. E bukur! Patriote qe hedhin plehrat vend e pavend; patriote qe vec shajne e siu thote goja nje fjale te mire per tjetrin; patriote parazite qe nuk punojne, pastaj ankohen se s’kane leke per buke. Ama leke per smartfon e internet kane. Kohe per te ndejtur online kane. Dhe qahen se iu mbeten femijet rrugeve. Me shume se patriote, keta jane patrIDIOTE.
9 here fjala "maskarenj"! Njeriu eshte cfare flet dhe cfare shkruan. Ky Vehbiu, i cili nuk as kulturen me minimale per te mos perdorur paralelisht edhe fjalen "atdhetar", edhe fjalen "patriot", pa argumente, na shet gomarlleqe te ketij niveli te larte te gjuhes se rruges, por jo te gjuhes shqipe.
Pershendetje Ardiani tim ,shume kohe perpara kur komentoja tek Shekulli ,komentoja afersishte me emrin tim ,.Vellai tim i madh Es me thote ,ti nuk je ne vehte,nuk e kupton mire kete bote te peshtire,qe eshte mbushur me patriote te te gjitha mikrobeve infektuse.Po tu qepen nga pas do ti besoshe dhe ti ato qe te ngarkojne per tratheti karshi atdheut . Ndroje emrin e prezantimit mos te marin vesh kush je dhe vendose [ Tartufi ] nuk ka me bukur kur flitet per mashtrime,qe ne ate kohe vendosa Tartufin te prezantohem ,,,,te lexoj gjithmone dhe pse jemi shum afer njeri tjetrit dhe nuk takohemi ne qytetin e nju jorkut .
Keta pseudopatriote gjejne Terence ne nje teren populate I njorante dhe gjysem analfabete qe po ritet e Shqiperi