Teatri Kombëtar kujton Nikolin Gurakuqin në 70-vjetorin e lindjes!

25 Korrik 2025, 16:14Kulturë TEMA
Teatri Kombëtar kujton Nikolin Gurakuqin në 70-vjetorin e lindjes!

Sot i urojmë ditëlindjen një prej figurave më të rëndësishme të operës shqiptare, këngëtarit, regjisorit dhe pedagogut Nikolin Gurakuqi, i cili prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar me pasion dhe përkushtim në zhvillimin e artit skenik shqiptar, shkruan Teatri Kombëtar.

Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, fillimisht si korist, e më pas si solist ku realizoi një sërë rolesh të ndryshme, ku mund të përmendim, Gjergj Arianiti nga opera “Skenderbeu”; Mateo, opera “Paja”; Komandanti, opera “Borana”; Deloja, opera “Nëna e trimave”; Il Marchese, opera “La Traviata”; Don Bartolo, opera “Il barbiere di Siviglia”; Colline, opera “La Boheme”; Ferrando, opera “Iltrovatore”; etj.

Ka intepretuar role edhe jashtë vendi si: në Francë e Itali.

Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua me sukses regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike.

Ai ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj Itali, Greqi, Kosovë.

Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut”, e shumë të tjera.

Përveç regjisë, Gurakuqi është gjithashtu autor i shumë skenografive, artikujve dhe librave që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera.

Veçanërisht vihet në dukje libri i tij i fundit: “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”, një botim unik që hedh dritë mbi regjinë operistike në një këndvështrim profesional dhe të thelluar.

Si pedagog pranë Universitetit të Arteve dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin profesional të shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë, nga emra tashmë të afirmuar si Josif Gjipali, Armand Likaj, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, deri tek artistë të rinj në ngjitje si Bledar Domi.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Nikolin Gurakuqi është nderuar me:
Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”

Titullin “Mjeshtër i Madh” dhe është vlerësuar gjithashtu nga shtypi ndërkombëtar, i cili e ka cilësuar si një artist me kulturë të gjerë europiane.

Në këtë ditë të veçantë të 70 vjetorit, i shprehim mirënjohjen më të thellë për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon jep për artin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në historinë e operës në vendin tonë.

Gëzuar ditëlindjen Mjeshtër i Madh.

Lini një Përgjigje