Tirana dhe gruaja bëhen bashkë në art, lidhja në pikturat Dastid Milukës

10 Shtator 2025, 12:17Kulturë TEMA
Tirana dhe gruaja bëhen bashkë në art, lidhja në pikturat

Në zemër të Tiranës, artisti Dastid Miluka sjell ekspozitën “Genius Loci” që tregon shpirtin dhe historinë e qytetit përmes artit të tij. Kjo seri pikturash dhe vizatimesh përshkruan Tiranën duke lidhur të kaluarën me të sotmen dhe kujtimet me ndryshimet që ndodhin.

Në veprat e tij, peizazhi i qytetit, pemët, liqeni dhe hapësirat e gjelbra shfaqen së bashku me figurat femërore.

“Stili që unë sjell është i veçantë dhe nuk fokusohem vetëm tek ndërtesat, por dua të krijoj një lidhje mes peizazhit dhe figurës njerëzore, që tek unë është gruaja. E gjithë shumica e punës time ka qenë e fokusuar te figura femërore, ka qenë frymëzim gjatë gjithë kohës. Gjinia femërore ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme dhe në rastin konkret ka qenë një sfidë sepse doja të kuptoja se çfarë impakti do të krijojë në momentin që unë bëja një lidhje ndërmjet Tiranës dhe pjesës femërore”, thotë piktori Dastid Miluka.

Ndërsa tregoi për idenë e nisjes së ekspozitës, artisti thotë nisi me vizatime studimore në bardhë e zi, që më pas marrin jetë në piktura me ngjyra.

“Bashkimi i Tiranës me figurën e femrës, tregon një lloj lidhje që është shumë esenciale. Më duket se nuk ka asgjë më sublime se kjo. Kjo ishte ideja kryesore. Lidhja e femrës me pjesën tjetër të habitatit ku jeton”, shprehet ai.

Një frymëzim i veçantë për të ka qenë Liqeni Artificial i Tiranës, vend që i ngjall nostalgji që nga koha e studimeve.

“Liqeni artificial ka qenë inspirim që në kohën kur kam qenë student. Unë vij me disa punime nga liqeni artificial. Këtu kemi një figurë që ka pas ekzistuar që në para viteve ’90. Përveç ngjyrave kam dashur që të jap dhe një lloj lëvizje që vet, apo mënyra se si është përdorur ngjyra është ndryshe dhe I jep një pjesë të veçantë të gjithë pjesës së Tiranës”, shton Miluka.

Ekspozita “Genius Loci” fton shikuesit të njohin Tiranën jo vetëm si qytet, por si një vend me shpirt, ku njerëzit dhe natyra jetojnë së bashku, shkruan euronews.

Lini një Përgjigje