Ul siparin edicioni i katërt i Javëve Kulturore Ndërkombëtare

20 Dhjetor 2025, 14:07Kulturë TEMA
Ul siparin edicioni i katërt i Javëve Kulturore

avët Kulturore Ndërkombëtare dhe CulturAlb përmbyllën edicionin e katërt, i pasur me kulturë, zëra krijues dhe histori të jashtëzakonshme.

Aktiviteti përmbyllës u zhvillua në Vilën 31 me praninë e artistëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik e tjerë. E pranishme në këtë event ishte edhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa e cila falënderoi artistët për atmosferën e mrekullueshme që i sollën mbrëmjes.

“Kanë qenë shumë aktivitete në këtë edicion të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, me rreth 500 artistë që erdhën në Shqipëri dhe shkëmbyen kulturë e aktivitete me ne. Dua të falënderoj 22 përfaqësues nga bota që na u bashkuan në këtë edicion të katërt, të cilët bënë që JKN të mos ishte vetëm një kalendar kulturor por një platformë kulturore diskutimi e dialogu mes vendeve, si dhe shkëmbimi të programeve, përvojave e artistëve”, u shpreh Pipa.

Aktivitetet e JKN janë konsideruar si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, që gjatë këtij vitit mbushën skenat tona me emocione dhe kreativitet.

JKN është një platformë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i kushtohet një kulture të caktuar botërore nëpërmjet aktiviteteve më të spikatura të këtyre kulturave, si përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë, trashëgimisë etj. JKN është një paradë aktivitetesh që zhvillohen prej majit e deri në nëntor. A.K./TemA

Lini një Përgjigje