VIDEO/ Anna Shkreli: Pse përzierja sociale është jetike për qytetet

13 Dhjetor 2025, 21:23Kulturë TEMA
VIDEO/ Anna Shkreli: Pse përzierja sociale është jetike për

E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, botuesja Anna Shkreli, nga shtëpia botuese BERK, vë në dukje diçka që shpesh humbet mes debateve rreth zhvillimit urban të Tiranës: mobiliteti social dhe përzierja sociale janë funksioni thelbësor i një qyteti dhe jo efekte anësore të tij.

Kur qytetet fragmentarizohen, me zyra dhe korporata në një pjesë të tij, ndërsa bizneset e vogla dhe banorët shtyhen drejt zonave më periferike, ata mund të duken më efikasë dhe madje edhe më “modernë,” por reshtin së funksionuari realisht si qytete. Qendrat e tyre shndërrohen në guacka luksi që shkëlqejnë, por që brenda janë bosh: vende përmes të cilave njerëzit kalojnë, por ku nuk zhvillohet asnjë lloj jete e vërtetë njerëzore dhe sociale.

Shkreli na kujton se dekada më parë, qytete të mëdha perëndimore kanë bërë të njëjtin gabim. Në vitet ’80-të, përqëndrimi agresiv i kapitalit dhe politikat e zonimit boshatisën shumë qendra urbane, duke prodhuar ato që ajo i quan “qendra fantazmë.” Ndërkohë, sot të njëjtat qyte po shpenzojnë burime të mëdha për të zhbërë dëmin, duke riprezantuar në përzierjen sociale dhe duke rikthyer hapësirat për biznesin e vogël, në përpjekje për të rindërtuar ndërveprimin e përditshëm.

Paralajmërimi është sa i thjeshtë, aq edhe urgjent: një qytet i ndarë në kompartimente është një qytet jo i shëndetshëm. Pa mbivendosjen e shtresave sociale, profesioneve dhe ritmeve të jetës, jeta urbane e humbet indin e saj lidhës dhe kur bëhet e pamundur për njerëzit që të takohen në mënyrë të natyrshme me njëri-tjetrin, atëherë qyteti resht së qeni një përvojë e përbashkët, për t’u kthyer në një bashkësi jetësh paralele.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00

Poezia e kaosit urban: Të krijosh mes konfuzionit dhe ndryshimit të vazhdueshëm | Apostrof #48