Piktori i mirënjohur Nexhmedin Zajmi vjen tek publiku i gjerë përmes kësaj monografie, që përmbledh gjithë veprimtarinë artistike të mjeshtrit të penelit, 35 vjet pas ndarjes së tij nga jeta.
Pikturat e tij janë të njohura për syrin e publikut, me portrete, peizazhe e personazhe të sjella me mjeshtëri.
Mbi 130 tablo përmblidhen në këtë botim, puna kërkimore e të cilës ka nisur vite më parë nga familja e tij dhe që është shkruar nga artisti dhe studiuesi i artit Oltsen Gripshi.
“Një album ku pasqyrohet e gjithë veprimtaria e tij, ajo artistike, e shtrirë në një zhanër shumë të gjerë, se ai ishte i natyrës i shumë dimensioneve, e që kërkonte një punë serioze, konkrete”, tha Uvil Zajmi, i biri i Nexhmedin Zajmi.
“Një studim i mirëfilltë shkencor, i cili bën bashkë të gjithë veprën dhe krijimtarinë e piktorit Nexhmedin Zajmi, është tepër e gjerë, e shtrirë në kohë. Për më tepër, zhanre të ndryshme, nga portreti, në figurat, kompozimet”, tha Oltsen Gripshi, artist.
Ky botim vendosi Uvil Zajmin përballë Nexhmedin Zajmit, si baba dhe si piktor.
“Personazh interesant, një personazh piktor, flas më tepër si piktor se në jetën familjare Zajmi ishte pak jo shumë familjar sepse jeta e tij ishte më tepër terreni, piktura, studioja”, tha Uvil Zajmi.
Ndërsa për artistin dhe studiuesin Oltsen Gripshi, krijimtaria e Zajmit është e jashtëzakonshme.
“Një artist që ka revolucionuar pikturën shqiptare. Unë e kam quajtur dhe si fryma e pikturës perendimore në artin pamor shqiptar, duke sjellë stile, qasje dhe interpretime pikërisht të pikturës europiane”, tha Gripshi.
Ky botim është një vlerë për studiuesit, artistët, studentët dhe publikun, që njohin veprimtarinë e tij; narrativa e të cilit shkon përtej ngjyrave dhe zhytet në thellësinë psikologjike të personazheve.
Nexhmedin Zajmi mbetet një nga piktorët më të rëndësishëm në formimin e traditës së artit pamor shqiptar, me një angazhim dhe kontribut të madh. A.K./TemA
Lini një Përgjigje